Pasi ka korrur sukses në skenat amerikane, modelja shqiptare që prej vitesh jeton në San Francisko, ka shprehur dëshirën e saj për të marrë pjesë në një reality shqiptar.

Quhet Belina Haxhija, është 25 vjeç, dhe prej 11 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjithë karriera e saj ka nisur krejt rastësisht, në fillim ishte thjesht një pasion për modelimin, por përfundimi ishte i paimagjinueshëm, tanimë shqiptarja seksi është një prej modeleve të industrisë gjigante të “Play Boy”.

E ndërsa përmendim emrin “Play Boy”, të gjithëve u shkon mendja tek realizimi i filmave me pullë të kuqe, por jo, ajo sqaron për “Summer Pages” se nuk është një ‘Play Mate’, por thjesht një modele. “Nëse nënshkruan kontratën për ‘Play Boy’ dhe shndërrohesh në ‘Play Mate’, atëherë ti je e detyruar që të bësh gjithçka për llogari të tyre, madje edhe të xhirosh filma apo të pozosh nudo. Nëse shndërrohesh në ‘Play Mate’, atëherë je e detyruar të jetosh në shtëpinë e ‘Play Boy-t’. Unë nuk e kam nënshkruar këtë kontratë dhe ende nuk kam ndërmend ta nënshkruaj”, – sqaron bukuroshja seksi…Por kush është Belina dhe si ka lindur dëshira e saj që të marrë pjesë në një reality show në Shqipëri? E zbulojmë bashkë në vijim të intervistës…

Belina, si jeni lidhur me ‘Play Boy’?
E gjithë aventura ime nisi në vitet e gjimnazit, kur unë kam qenë shumë aktive në kurse të ndryshme në shkollë. Kështu kam marrë pjesë në grupin e kërcimit të shkollës, madje kam qenë edhe ‘cheerleader’ për një periudhë të gjatë kohe. Ftesa e një mikes sime, modele çeke, Kamela Polcak, për të marrë pjesë në një nga sfilatat e saj, më hapi dritat jeshile kudo. Pasi e ndoqa në sfilatë, një nga regjisorët e eventit m’u afrua dhe më pyeti nëse sytë dhe buzët i kisha të miat, natyrale. E çuditur nga pyetja e tij, iu përgjigja me ‘Po’, pasi të gjithë mendojnë se u jam nënshtruar operacioneve plastike. Pas ftesës së regjisorit për të marrë pjesë në një album fotografish, nisi edhe karriera ime. Kështu, unë nisa që të realizoj si fillim disa punë të vogla, por ndërkohë nisa të plotësoj edhe ‘portofolion’ tim (albumin). Pasi isha vetëm në hapat e parë të karrierës sime, dy reperë të njohur amerikan Young Win dhe Rod më ftuan që të merrja pjesë në xhirimet e klipit të tyre. Në fakt u gëzova shumë, pasi unë kisha rreth një vit që kisha nisur të merresha me modelim. Në klipin “Can’t Stand You”, unë luajta rolin e personazhit kryesor (mean girl). As vetë nuk e besoja, por ky klip u shfaq në MTV. Pas bujës që bëri në MTV, disa regjisorë të ‘Play Boy-t’ më kontaktuan dhe më ftuan që të punoja për ta. Padyshim e pranova ftesën me shumë kënaqësi.

Cilat janë planet e tua të ardhshme me ‘Play Boy’?
Në fakt, që javën që vjen ne do të nisemi për një set fotografish në natyrë (outdoor). Kjo në fakt është diçka e jashtëzakonshme dhe unë jam shumë e emocionuar, sepse nga gjithë modelet e ‘Play Boy’, shumë pak vajza kanë mundësi që të marrin pjesë në një event të tillë, dhe mes tyre jam edhe unë. Ndërkohë, dëshiroj të sqaroj që unë në fillim karrierën time e kam nisur si ‘Play Boy Golf’. Ajo që unë bëja ishte pjesëmarrja në lojërat e golfit. Ne ishim disa vajza të shteteve të ndryshme që merrnim pjesë në audicione të ‘Play Boy’. Nga çdo shtet zgjidheshin 2-3 vajza që të merrnin pjesë në event. Kështu që unë u përzgjodha të isha në ‘Play Boy Golf’. Kështu ne vazhdojmë të marrim pjesë në eventet që realizohen, madje edhe në një event special që mbahet veç një herë në vit. Lojtarë të famshëm dhe supermiliarderë të golfit nga e gjithë bota, mblidhen në SHBA. Atje ato luajnë për qejf në këtë event që realizohet nga ‘Play Boy’, ku ne vajzat, jemi thjesht për ta bërë më interesante lojën. Thjesht i nxisim lojtarët dhe u ofrojmë pije.

Pak përpara se të nisnim bisedën po më tregoje për ambiciet e tua për të marrë pjesë në “Big Brother Albania”. Si ka lindur kjo dëshirë?

Po, unë kam shumë dëshirë që të marr pjesë në show-n “Big Brother”. Në fakt i kam ndjekur me interes edhe edicionet e kaluara dhe gjithmonë kam menduar, përse mos të shkoj të prezantoj edhe unë veten time. Në fakt unë kam shumë për të thënë edhe për të treguar. Kam marrë pjesë në shumë show gjigant të USA-s dhe përse të mos marrë pjesë në një show shqiptar. Unë jam krenare që jam shqiptare dhe këtë e them vazhdimisht edhe gjatë punës sime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë dua të marr pjesë në këtë “Big Brother” dhe të tregoj se sa vajza të bukura dhe të zgjuara ka Shqipëria anë e mbanë botës. Mendoj se do të jem atje për të treguar një jetë krejt tjetër, një stil krejt të veçantë dhe të prezantoj në radhë të parë Belën. Unë kam shumë dëshirë dhe sapo të nisë audicioni do të regjistrohem. Kam dëgjuar që në edicionet e kaluara kanë fituar vetëm meshkuj ndërsa këtë herën e fundit një femër. Përse jo do të doja të isha unë femra e dytë, fituese (qesh). Për mua edhe vetë ardhja nga San Francisko në Shqipëri është një fitore më vete. Kam dëshirë të marr pjesë në këtë show pasi dua të bëjë diçka për vendin tim.

Përse mendoni se do të votojnë njerëzit për ju?
Nuk e di, kam shumë për të thënë, kam shumë gjëra për të treguar. Nga jeta ime në USA e deri më sot. Kjo është shumë pak, unë vazhdimisht kudo jam e lirë, jam vetvetja dhe jo e frustuar. Kam parë se si njerëzit kanë ndryshuar kur kanë marrë pjesë në show edhe këtu në USA. Unë nuk do të ndryshoj, unë jam kjo që jam dhe e tillë do të mbetem edhe brenda shtëpisë. Ndërkohë dua që të hyj për të përcjellë edhe një mesazh për mbarë femrat shqiptare. Dua që të ndikoj sadopak për ndryshimin e mentalitetit. Shoh që ato janë shumë të “ngrira” nuk bëjnë se çfarë duan, janë të frustruara shumë. Ka ardhur koha që ky mentalitet të ndryshojë dhe përse jo, unë të jap kontribut sado të vogël. Big Brother do të jetë një eksperiencë e shkëlqyer për mua, si eksperiencë jetësore, por edhe në karrierën time. Big Brother është një ëndërr për mua dhe unë dua që të bëhet realitet. /E.Re.Gazeta Shqiptare/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here