Balina BodinakuËshtë gjatë gjithë kohës e zënë, aq sa na u desh ta takonim në parukeri, ndërkohë që po bënte provën e flokëve të kësaj të diele. E kemi fjalën për Balina Bodinakun. Shumëkush mund ta kujtojë si vajzën e makinave në Vizion plus, ndërsa prej pak javësh e kemi parë në krahët e Ardit Gjebreas.

Sapo ka përfunduar orarin e punës në bankë. Duke i dhënë gaz makinës, ora tre e pasdites e gjen te estetistja. Po, po, në Bankë. Jemi mësuar që ta shohim në ekranin e televizionit por, Balina nuk bën vetëm këtë punë…

Prej më shumë se dy vjetësh ajo është pjesë e rëndësishme e stafit të një prej bankave më me influencë në Shqipëri. Është nga ato punë që e “joshi” të shkëputej për pak kohë nga media, por nuk ia doli dot deri në fund.

Tashmë, është përsëri pjesë e tij. Tani me “Të dielën shqiptare” dhe në krah të Gjebreas, Bodinaku po provon një eksperiencë tërësisht të re.

Në një intervistë për “Sh2”- shin, ajo pranon të na rrëfejë gjithçka. Për veten, punën në bankë dhe atë në televizion. Duke mos dashur t’i tradhtojë ajo po jeton mes dy dashurish.

Çfarë ishit duke bërë para kësaj interviste?
Isha në palestër.

Sa orë në ditë je e zënë me punë dhe e kalon jashtë shtëpisë?
Pothuajse gjithë ditën jam në lëvizje. Vetëm darka më mbledh në shtëpi.

Të qenit prezantuese në një emision televiziv është një punë që kërkon përgatitje dhe angazhim, apo në rastin tuaj nuk është nevoja?
Është punë, e si e tillë meriton gjithë vëmendjen e nevojshme. Sigurisht, që i kërkon të dyja, si përgatitjen ashtu dhe angazhimin maksimal. Bëj pjesë tek ata persona që besojnë fort se asnjë rezultat nuk është rastësor. Sigurisht, që rastësia mund të t’i bëjë gjerat më të thjeshta, ose më të vështira, por vetëm puna është në gjendje të të japë sigurinë se në çdo rast, rezultati nuk do të mungojë.

Ndryshe nga më parë, ju këtë herë jeni në një format krejt tjetër, çfarë ndryshimi ka mes tyre?
Në “Moto Plus” isha thuajse gjithë kohën mbi katër rrota, tek “E Diela Shqiptare” mbi taka Ndryshimi mes të dyjave është kaq i dukshëm.Por për mua ka të bëjë kryesisht me mënyrën e impenjimit tim. “Moto Plus” ishte një emision që ndërtova dhe për të cilin kujdesesha vetë në çdo detaj, ishte një emision sportiv në natyrë dhe që kërkonte shumë punë në terren. “E diela Shqiptare” ka përmasa krejt të tjera. Është një show televiziv që kërkon rregullisht punën dhe impenjimin e një ekipi shumë të madh profesionistësh.

Si u gjende në “Të dielën shqiptare”, e kërkove ti të ishe prezantuese apo të kërkuan?
Isha sikurse sot, në palestër, kur mora një telefonatë nga Ardit Gjebrea. Propozimin ma bëri që atë pasdite në telefon, por sigurisht që pas kësaj u takuam dhe biseduam më gjatë.

Si është të prezantosh përkrah Ardit Gjebreas?
Ashtu siç duket në ekran. Aq mirë, aq qetë, aq lirshëm. Arditi është shumë i kujdesshëm dhe di t’i kurojë marrëdhëniet me bashkëpunëtorët e tij. Aq i kujdesshëm sa është në ekran, po aq tregohet dhe jashtë tij. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse në këtë mënyrë çdo gjë vjen më natyrshëm në transmetim.

Sa herë e ka ngritur zërin me ty ?
Një herë. Po flisnim në telefon dhe sinjali u dobësua ngaqë hyra në ashensor (shaka).Pas javëve të tua të para në skenën e “Së dielës”, normalisht ke marrë reagime, cili ishte komplimenti më i bukur dhe një vërejtje e veçantë që ju është bërë? Komplimente kam marrë shumë, në të vërtetë. Më bëhet qejfi,
po mbetem në pritje, derisa të marr telefonatën e radhës nga prindërit, sidomos babi. Kaloj provën e tij, pastaj qetësohem.

Vërejtje?
Miqtë me thonë që duhet të qetësoj gjestikulacionin, po unë e tillë jam, kështu flas kudo dhe kurdo dhe nuk është diçka që më ndodh vetëm në ekran.

Çfarë simbolizon “E diela” për ty, tani edhe më parë?
“E diela”? Ummm, nuk mund të them se ka qenë ndonjëherë dita ime e preferuar e javës. Është dita e fundit, dita që nuk harron asnjëherë të të kujtojë se fundjava mbaroi dhe se të nesërmen fillon sërish puna. Nëse fundjavën e kisha kaluar në udhëtim, e diela ishte dita kur duhej të kthehesha në Tiranë. Nëse të shtunën, apo të premten i lejon vetes të dëfrehesh edhe në ndonjë orë të vonë, të dielën duhet të flesh shpejt që të ngrihesh herët të nesërmen. E diela shkon më shumë në funksion të së hënës, e për këtë arsye nuk kisha krijuar ndonjëherë ndonjë lidhje të veçantë me të dielën…Të paktën deri 5 javë më parë ☺ Që nga ai moment e deri tani që flasim, e diela është një ditë që me ka dhënë shumë kënaqësi.

Cila është e diela më e bukur që ke kaluar ndonjëherë?
Do të gënjeja po të të thoja një në veçanti, besoj se kam kaluar shumë të diela të bukura, po në këtë moment nuk di të ndaj njërën.

Për një periudhë u shkëpute nga ekrani, cilat ishin angazhimet e tua gjatë kësaj kohe?
Prej dy vjetësh punoj në një bankë shumë të njohur dhe popullore në vendin tonë. Një punë të cilës iu përkushtova, duke menduar seriozisht të heq dorë edhe nga ekrani. Momentalisht, kam gjetur një formulë që lejon që të dyja këto dashuri të miat të bashkëjetojnë dhe jam shumë e kënaqur për këtë.
Ndërkohë, kam pasur dhe impenjime të tjera të natyrës personale.

Balina, u bënë vite që jeni pjesë e medias, jeni e kënaqur nga kjo punë, çfarë të ka dhënë, çfarë i ke dhënë ti dhe çfarë ke humbur nga ky profesion?
Me punën në media jemi në gjendje barazimi: kam dhënë dhe kam marrë. Natyrisht, përtej kënaqësisë që marr duke bërë një punë që më pëlqen, si çdo punë tjetër, ka vështirësitë e veta, por për sa kohë që është një punë që e dua, mendoj se nuk ka vend të ankohem për vështirësitë.

Për të bërë diçka shumë mirë, normalisht duhet pasion dhe ta duash shumë atë gjë që bën, sa e dashuruar është Balina nga ky aspekt?
Shumë. Besoj se nga gjithë ç’kemi folur me sipër, kjo gjë duket qartë.
Ka Balina dike pranë në këto momente (të dashur)?
Jo, po mos i trego njeriu, se për momentin jam shumë qetë kështu
Pas përfundimit të spektaklit të së dielës, si e mbyll ditën më pas?
Si gjithmonë. Shkoj në shtëpi dhe pres të hënën

Me kë jeton Balina?
Bëj një jetë të pavarur, prej shtatë vjetësh jetoj në një shtëpi tërësisht timen.

PYETSORI I PRUSTIT
“Pendohem kur bëj fjalë me prindërit”
Çfarë është lumturia absolute për ju?
Ekziston lumturia absolute?
Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Alarmi në orën 7:00
Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Para pak minutash.
Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Besoj.
Defekti juaj kryesor?
Mungesa e durimit.
Ndaj cilave gabime jeni më tolerantë?
(Ndaj gabimeve ortografike. Përgjithësisht jam tolerante, ose më saktë, i fal lehtë.

Hera e fundit që u përlotët?
Para disa javësh, në një ditëlindje.
Cilin virtyt vlerësoni më shumë te një burrë?
Vlerësoj njerëzit e fortë, që dinë të mbajnë fjalën, që luftojnë për atë në të cilën besojnë, njerëzit që dinë të vlerësojnë e të respektojnë veten e tyre me dinjitet e që e njohin rëndësinë dhe bukurinë e mirënjohjes.
Te një grua?
Të njëjtat gjëra.
Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?
Nuk fërshëllej, se kur isha e vogël, mami, që të ma hiqte si ves me bindi që po të fërshëlleja do bëhesha çun.
Libri që ju la mbresë të pashlyeshme?
Kam qenë 11-12 vjeç kur lexova “Konti i Montekristos” për shumë pak ditë dhe emocionet që më dha atëherë i kujtoj shumë qartë dhe tani. Besoj se mund të quhet mbresë e pashlyeshme…

Filmi që ju la mbresë të thellë?
Së fundmi ” The reader”.
Ngjyra juaj e preferuar?
E gjelbra dhe e bardha.
Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?
Të qënit e pavarur. Siguria që kam te vetja ime.
Pija juaj e preferuar?
Uji pa gaz.
Çfarë është ajo, për të cilën pendoheni më shumë?
Kur bëj fjalë me prindërit.
Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Urrejtjen.
Frika juaj më e madhe?
Të humbas njerëzit e mi të dashur.
Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
Kur e kam vërtet shumë të nevojshme.
Keni dhënë ndonjëherë ryshfet?
Po.
Cila është motoja juaj?
Ç’do mbjellësh, do korrësh.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Pa pengje e borxhe të çfarëdolloj natyre.
Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t’i thoshit?
Do t’i lutesha të kishte kujdes njerëzit që dua.
Në çfarë gjendjeje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?
E qetë dhe e kënaqur. /Shekulli 2

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here