Baladë dashurie kundër sëmundjeve të tregutNdonjëherë” është kënga me të cilën Prodani prezantohet në Festivalin e  Këngës në RTSH, me tekst të Timo Fllokos. Kompozitori ia ka besuar krijimin këngëtares Kejsi Tola, fituese e edicionit të 44-të.

Duket sikur krijimi i një këngë është thjesht një moment frymëzimi. Por, përveçse gjendje, ajo duhet të dijë të ecë në të njëjtën vijë melodike me fjalët e tekstit dhe vokalin e këngëtares që e këndon.

Për këtë ka menduar edhe Voltan Prodani, teksa në një gjendje melankolie, ka krijuar baladën “Ndonjëherë” me tekst të Timo Fllokos.

Në këtë bisedë, përpara festivalit, Prodani tregon për këngën, gjendjen në të cilën ajo është krijuar, përse ka zgjedhur Kejsi Tolën dhe si mbrohet nga “sëmundja” komerciale.

Voltan, si lindi bashkëpunimi me autorin e tekstit, aktorin Timo Flloko?
Që në momentin e parë i tregoj Timos një fragment muzikor, pa patur fjalët parasysh. Duke qenë se muzika që kam zgjedhur për këtë festival ka ndjenjë brenda, është baladë, mendova që personi më adapt për të krijuar vargjet e këngës do të ishte aktori Timo Flloko. Kisha parasysh botën e tij artistike, faktin që është autor poezish të forta. Menjëherë sapo e dëgjoi muzikën, më telefon dhe më thotë që më pëlqen materiali, më frymëzon, më vë përpara përgjegjësisë për të krijuar një tekst të mirë për këtë festival. Mu bë qejfi që në fund ka mbajtur diçka të mirë nga ajo çka unë krijova në fillim.

Çfarë mund të zbulosh për këngën?
Kënga është baladë, por jo nga ato që kemi dëgjuar shpesh. Është muzikë e lehtë, por ka edhe nota të forta dramatike, jo të mërzitshme dhe që përfundojnë me mesazhin optimist “Çfarë ndjen zemra nuk krahasohet me një natë. Ndonjëherë kur dashuron më tepër fal. Bëhet fjalë për një flirt, i cili ka prishur një lidhje të fortë dashurie. Fjala flirt u hoq nga teksti i këngës dhe u zëvendësua me “ndjenjë pa shpirt”, duke qenë se nuk i shkon kjo tematikë, këngëtares që do ta këndojë këngën, Kejsi Tolës.

Në ç’gjendje e ke krijuar?
Në një gjendje meditative, të frymëzuar dhe pak melankolike. Ka ndjenjë në këngë dhe pak dramatizëm. Në momentin kur mora tekstin e interpretova edhe me më tepër ndjenjë. Efekti i vargjeve e ngarkon edhe me më shumë emocion, të bën të futesh më thellë, nuk është thjesht ana vokale.

Përse ia besove këngëtares Kejsi Tola këtë krijim?
E zgjodha Kejsin që kënga të këndohej më fort, sesa mund ta këndoja vetë, kantautori nuk e përçon maksimumin në skenë. Këngëtarja Kejsi Tola vjen nga një nivel i lartë artistik dhe është një bashkëpunim shumë i mirë për t’u prezantuar si kompozitor në festival.

Si mbrohesh nga komerci?
Jam përpjekur gjithë këto vite të mos devijoj nga vlerat e vërteta që mbart muzika serioze e vërtetë. Kjo mendoj se është edhe pasojë e formimit tim. Kam studiuar 3 vite kompozicion në Konservatorin e Bolonjës, 1994 deri më 1997.

Sa i rëndësishëm është Festivali i Këngës në RTSH për një krijues?
I vetmi festival ku përcillen vlerat e vërteta të kompozitorit në mënyrën më të drejtpërdrejtë tek shikuesi./shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here