Kur një gazetar dhe një personazh publik nuk arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të bien në një mendje për një publikim të caktuar, kjo është fare normale.

Por edhe kur palët mund të përfundojnë në dyert e Gjykatës për të vendosur drejtësi mbi një çështje të caktuar, as kjo nuk habit më askënd.

Në rastin e padisë që këngëtarja Soni Malaj ka ngritur ndaj revistës “Shqip” për një profil të paautorizuar që revista i bën këngëtares, palët kanë vendosur të flasin para se drejtësia të thotë fjalën e saj, duke u përpjekur që të sqarojnë publikun për çfarë ka ndodhur dhe duke mbrojtur gjithsecili kauzën e vet.

Një javë më parë, në gazetën “Panorama” gazetari Arjan Konomi sqaron për opinionin versionin e tij të fakteve, duke argumentuar pse Soni Malaj nuk ka të drejtë teksa thotë që shkrimi tek “Shqip” i ka prishur imazhin, pasi sipas tij në atë shkrim nuk ka asnjë fyerje apo ndonjë fakt mbi këngëtaren që të mos dihej botërisht, sepse janë fakte të thëna e stërthëna në media dhe të pohuara nga vetë goja e Sonit. Mirëpo, babai i Sonit dhe njëkohësisht një biznesmen i njohur në fushën e turizmit, zoti Sadri Malaj, mendon se Arjan Konomi jo vetëm që ka bërë një shkrim tendencioz në revistën e tij, por ai vazhdon të kërkojë hapësira mediatike për ta përdhosur figurën e së bijës. “Vajza ime ka që 15 vjeç në skenë dhe ka investuar shumë për artin e saj. As ajo, dhe besoj asnjë këngëtar tjetër, nuk pretendon që ta pëlqejnë të gjithë”, – e fillon kështu rrëfimin e tij zoti Malaj.

“Nëse Arjanit nuk i pëlqen ‘Shukarija’, një këngë që ka bërë xhiron e botës, aq e famshme është, nuk e shoh si problem, por mënyra cinike me të cilën ai e thotë këtë fakt, e bën atë një njeri të vogël dhe ziliqar për suksesin e tjetrit.” Sipas zotit Malaj, asgjë të keqe nuk ka nëse një gazetar kërkon të analizojë mënyrën që një artist zgjedh për të bërë art, me kushtin që kritika e tij të jetë e shëndoshë dhe e argumentuar, dhe jo tendencioze, e ndihmuar nga fakti që ty të jepet hapësirë në media për t’u shprehur.

“Është shumë lehtë ta thuash fjalën e keqe, pa të vrarë ndërgjegjja, se çdonjëri karrierën e tij e ngre me shumë mund dhe sakrifica”, – vijon ai. “Dhe lexuesit nuk janë budallenj që të mos e kuptojnë këtë tendencë të keqe, sepse ai në fund të fundit e ka bërë zgjedhjen e tij, duke preferuar një artist më shumë se një tjetër. Unë nuk kam nevojë të flas për sukseset artistike të vajzës sime dhe një publik të gjerë që e pëlqen atë, ata janë kritikët më të mirë të saj, jo penat inatçije”.

Por argumenti i karrierës dhe i cilësisë së saj mbetet sekondar si problematikë, në krahasim me mënyrën se si shkruan Arjan Konomi mbi jetën private të Sonit. Ja çfarë na thotë babai i saj: “Arjan Konomi që në titull thotë: Nuk është detyrë e medias të ruajë imazhin e Sonit, ne vetëm sa ia kemi renditur të fejuarit”. Unë, Arjani dhe ju që po e lexoni këtë shkrim, jemi shqiptarë dhe, si të tillë, kemi traditat tona. Ne i themi të fejuar atij djali që vjen në shtëpi dhe të kërkon dorën e vajzës. Në shtëpi, dorën e vajzës sime ka ardhur ta kërkojë vetëm Mirko, bashkëshorti aktual i Sonit. Por edhe ajo si çdo vajzë ka pasur një jetë private para se të krijonte familjen e saj, por ata nuk kanë qenë të fejuar, siç thotë Konomi.

Në mentalitetin tonë ka një diferencë të madhe mes një djali që dashuron dhe një të fejuari. Pastaj kush na qenka ky njeri që na i renditka të fejuarit në gazetën e tij, duke pretenduar në të njëjtën kohë që është edhe gazetar serioz?! Natyrisht që është e dukshme tendenca e tij dashakeqëse për ta ulur figurën e vajzës sime”. Konomi në intervistën e tij jep dhe detajet mbi momentin kur Mirko paraqitet në shtëpinë e Sonit për t’i kërkuar dorën. Ai thotë se Mirkos iu shtrua një darkë me ushqime tradicionale shqiptare, siç është pula me pilaf, fakt që Konomi thotë se e ka shprehur vetë Soni në media. Ndërsa i ati këtë detaj e sheh kështu: “Në këtë moment të intervistës jemi ndier të fyer familjarisht, sepse Konomi na ka përgojuar të gjithëve. “Kanë ngrënë pulë me pilaf dhe jo pjata franceze”, thotë ai. Po këto janë budallallëqe, që një gazetar profesionist nuk duhet t’ia lejojë vetes t’i nxjerrë nga goja.

Nëse do të merremi me detaje denigruese, edhe unë atëherë kam të drejtën të them se Arjan Konomi është një person problematik në jetën e tij private, sepse kam lexuar në shtyp se ai ka kaluar edhe në dhunë fizike nëpër pub-e, teksa ka qenë i pirë. Jetojmë në një vend të vogël dhe mund të themi gjithçka për gjithkënd, por nuk është rruga e duhur kjo”.

Më pas, Malaj vijon: “Do doja të theksoja se ky artikull pasqyron idetë e përbashkëta që kemi unë, Mirko dhe Soni dhe e di që Mirko,si kryefamiljar, do te donte të thoshtë fjalën e vet për sa u përket fakteve të ndodhura. Por duke qenë se janë në proces gjyqësor, për fat të keq nuk mund të thonë fjalën e tyre në këtë artikull.

Mirko ndihet thellësisht i fyer nga intervista e Arjan Konomit, sepse ka bërë pis imazhin e familjes së tij. Përtej faktit juridik, Mirko kërkon që Arjan Konomi të kërkojë ndjesë publikisht për gënjeshtrat që ka thënë në intervistën e tij.”
Tashmë, çështja “Konomi-Malaj” pret zgjidhje nga drejtësia dhe ne të gjithë jemi kuriozë të mësojmë se cili do të jetë përfundimi.

Meqë padinë e ka bërë Soni, pyetëm të atin nëse kanë menduar që të tërhiqen nga kjo padi, pasi pas dy vjetësh njeriu edhe mund të ndërrojë mendje. “Kanë ndryshuar shumë gjëra në këto dy vite. Soni ka krijuar familje me Mirkon, kanë dhe një vajzë, si dhe është rezidente në një shtet tjetër. Ne ia kemi lënë këtë çështje në dorë drejtësisë për ta zgjidhur, sepse kemi menduar se është më mirë kështu, paçka se një realitet si yni, ku gjakrat nxehen shpejt, ndodh që njeriu të mos ketë durim të presë, sepse unë jam baba dhe fëmijët, si për çdo njeri tjetër, janë gjëja më e shtrenjtë që kam dhe nuk ia lejoj askujt të m’i cenojë. Por mendoj që është më mirë të presim vendimin e gjykatës”, – përfundon zoti Malaj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here