Klipi i këngës “High”, i publikuar para disa muajve në të cilin shiheshin pjesëtarë të grupit “Skillz” dhe grupit “Tingulli Trent” duke tymosur marijuanë në një fushë të mbjellë me hashash, këto ditë është bërë temë diskutimi në shumë media, madje për këtë klip është shfaqur diskutim edhe nëpër komisionet rregullative të mediave, si dhe Policinë e Kosovës.

Teksti i këngës është një himn që i thuret tymosjes së “barit”, kurse Getoari me Co në këngë mburren me këtë gjë.

Klipi është edhe në Youtube, por nuk mund të shikohet nga persona që nuk kanë profil të hapur aty dhe konsiderohet i ndaluar për ata që janë nën moshën 18 vjeç. Megjithatë, ky klip gjendet i klasifikuar lart sa i përket kategorisë “Music” në Youtube, duke arritur të klikohet më shumë se 400.000 herë.

Kjo nuk është hera e parë që reperët kosovarë bëjnë këngë ku reklamohet alkooli dhe marijuana, përderisa shpesh ka këngë me tekste ku grupe rivale reperësh kërcënojnë njëri-tjetrin me vrasje. Kënga “High” ishte njëra prej këngëve që dy grupet “Tingulli 3nt” e “Skillz”, që janë pjesë e labelit “Baba Records” dhe udhëhiqet nga Getoar Selimi, e planifikonin me bujë për festat e fundvitit.

Videoklipi kishte filluar xhirimet qysh në verë të vitit 2011, por për shkak të angazhimeve, siç ka thënë grupi, nuk kanë pasur mundësi që ta lançojnë më përpara. “High” është xhiruar në Lazarat dhe në Tiranë nga “Max Production”, ndërsa beati i “High” u bë nga Zapp&Chriss.

Ishte hit i verës që shkoi dhe arriti që edhe pa videoklip të ketë mijëra klikime në internet, por kur është folur për klipin, mediat në Shqipëri kanë shkruar se grupi kan hyrë në një fshat ku edhe policia nuk e ka pasur të lehtë të hyjë.

Paraqitja e anëtarëve të “Baba Records” në disa fusha të Lazaratit me marijuanë mund t’u kushtojnë atyre ndonjë hetim të mundshëm nga Policia e Kosovës. Ç’është e vërteta, rep-grupet kosovare shpesh i këndojnë drogës nëpër këngët e tyre, sidomos marijuanës, madje është përdorur para gjithë të rinjve nëpër koncerte të reperëve amerikanë që kanë ardhur në Kosovë. Polica e Kosovës ende nuk e ka konfirmuar nëse është duke zhvilluar hetime.

Zëdhënësi i saj, Brahim Sadriu, ka thënë se Policia përdor mediat si burim informacioni për të gjitha rastet kur konsideron se në një pamje ose një incizim personat e caktuar kanë rënë ndesh me ligjin ose kanë bërë një veprim të kundërligjshëm. Megjithatë, kur është pyetur për këtë klip, ai as nuk ka pohuar e as mohuar se Policia është duke hetuar këtë rast.

“Sa i përket specifikisht rastit, nuk mund të flasim për shkak se momentalisht ne si zyrë nuk kemi informacione nëse ka hetime ose nuk ka”,- ka thënë Sadriu për agjencinë e lajmeve ”Kosovapress”. Për shkak të reklamimit të marijuanës në të, Këshilli për Mediat në Shqipëri ka ndaluar emetimin e këtij klipi qysh vitin e kaluar, madje ka thënë se mediat që do ta lançojnë klipin, mund të dënohen.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here