fatmaaulonaNjë ide e nisur për televizion dhe e përmbushur në web. Guximi i dy gazetareve për t’i thënë gjërat troç, kritikat për personazhet e njohur, hatërmbetjet, kërcënimet dhe fansët. Rrëfimi i Aulonës dhe Fatmës për karrierën dhe veten pas thumbit të fundit.

Në emisionin e fundit thumbuan reklamat. Ato spotet e shëmtuara publicitare made in Albania, me ide qesharake e shpesh pa subjekt, të llojit “çudira nga bota”, që e meritonin një të shkulur veshi për mungesën e profesionalizmit. Ose, siç duhet thënë në gjuhën e tyre, një thumb “të vockël”, sa për të kujtuar se Aulona dhe Fatma janë gjithmonë aty e nuk ua përtojnë edhe ca temave si këto. S’ka gjë pse kësaj radhe objektivi nuk ishte një prej atyre personazheve të famshëm, VIP, që bëjnë hite e punë të mëdha. Dhe si rrjedhojë tërheqin edhe më shumë audiencë. Për të zgjedhur ka plot, emisioni është i përditshëm dhe dy vajzat gazetare, që sidomos këto javët e fundit po shfaqen kudo prej llojit të emisionit, formatit dhe vendit ku e transmetojnë, janë shndërruar në trend tashmë.

Batutat u zënë vend e personazhet e njohur ua kanë frikën sepse më në fund e kanë kuptuar se mund të ndodhë edhe kështu: përveç intervistave të sheqerosura, superlativave për format, performancën, zërin apo imazhin, mund edhe të kritikohen. Absolutisht pa ofendime e as duke u marrë me thashetheme. Aulona dhe Fatma të parin sqarim që bëjnë në krye të herës është ky: nuk tallen e as shajnë ndokënd. Vetëm bëjnë pak ironi për aq ngjarje, personazhe apo evente që e meritojnë një të tillë, sipas këndvështrimit të tyre. Për të realizuar “Thumbin” u mjafton ajo që shohin e dëgjojnë. E meqë Tirana ka plot për të ofruar edhe emisioni është i thjeshtë për t’ia gjetur temat e bashkë me to, siç ka rezultuar, edhe për të mbledhur fansë. Qofshin ata edhe online. Nëse deri para pak kohësh Aulona Musta ishte vetëm kryeredaktorja e gazetës “Paloma” dhe Fatma Haxhialiu gazetare e saj, jo edhe aq personazhe publikë, tani kanë me qindra që i ndjekin në Youtube, po kaq që i komentojnë, të tjerë që i duan e i përgëzojnë dhe nga ata që u mbajnë inat. Sepse i thumbojnë.
Ndërsa mbledhin letrat e shpërndara mbi tavolinë, në studion e Radio NRG, Aulona përditëson të rejat nga Facebook-u. Hap Ipad-in e veshur me lëkurë të bardhë, ndoshta poston një status, i hedh një batutë mikeshës së vet dhe dhuron një buzëqeshje: Jam gati. Për dikë që nuk i njeh, takimi i parë t’i çorodit idetë. Vështirë ta kuptosh nëse janë dy kolege që realizojnë një emision dhe kaq, dy mikesha apo dy rivale që një fat i keq i ka hedhur bashkë në të njëjtën studio e si të tilla nuk kanë nga t’ia mbajnë. Papritur e pakujtuar një thumb i dedikohet Fatmës, e kjo e fundit që gjithashtu nuk ia përton, ia kthen flakë për flakë. E kupton që ishte shaka vetëm pas të qeshurës së fortë që pason lojën dhe ndonjë fjalie të dytë me nënkuptim se kujt i ishte adresuar thumbimi. Marrëdhënia e tyre është e tillë dhe paqja e sqarimi përfundimtar vjen vetëm pasi ulesh e bisedon shtruar me to.

U ka ngjitur qysh ditën e parë që janë njohur në gazetë dhe ndonëse në të përditshmen e tyre u ndodh edhe të debatojnë, të kundërshtojnë njëra-tjetrën, të kritikojnë, në fund rezulton të kenë të njëjtat parime, të dëshirojnë të njëjtat gjëra, pra të rrinë bashkë gjatë, pothuaj, gjithë ditës. Kur kanë xhirime, edhe deri në orët e para të mëngjesit. Vetëm për një gjë nuk merren vesh Aulona dhe Fatma: korrektesën. Të parës i ndodh ca si shpesh ta presë, gjysmë ore e mos më shumë të dytën, sa herë që lënë një takim. “E di, është gabim, por as unë vetë nuk e kuptoj se si vonohem”, sqaron variantin e vet Fatma duke mbledhur supet pafajësisht. Me të vetën bëhet gati në kohë, por rrugës, i bllokohet çelësi për shembull, ose shikohet për herë të fundit në paqyrë dhe vë re se ndoshta i kuqi nuk është vënë siç duhet a gjëra të tjera si këto dhe pa e kuptuar kalojnë tre çerek ore. Ama edhe Aulona ka të metat e veta – vjen “hakmarrja”. Është lloji i bashkëpunëtores korrekte që kur i fikson të gjitha detajet e një projekti, kërkon që të gjithë të përgjigjen njësoj. Stërzgjatjet e një pune që mund të mbyllet për pak orë e nervozojnë. Thumb për thumb i thonë kësaj, por sërish e qeshura përmbyll gjithçka. Fundja të gjithë kanë të meta.
Aulona-dhe-Fatma-THUMBMegjithatë dy vajzat e kanë gjetur guximin që atë që nisi si rubrikë në të përjavshmen “Paloma” ta bëjnë edhe emision. Kjo rubrikë i ka njohur këtu e pesë vjet të shkuara kur Aulona kërkonte një gazetare për “In and Out” dhe bashkëpunëtorja që iu përgjigj ishte Fatma. Bëhej fjalë për shkrime kritike, nga ato të guximshmet, me emër e mbiemër që mund të paralajmëronin edhe pakënaqësi. “Dhe pakënaqësia erdhi e para në redaksinë tonë. Pikërisht kur po ndjeja kënaqësinë e parë të një rubrike të tillë, prindi i një këngëtareje për të cilën kishte shkruar Fatma na mori në telefon dhe na kërcënoi. Të them të vërtetën u tremba pak sepse nuk prisja një reagim të tillë aq ekstrem, por kur bisedova me Fatmën dhe ajo u tregua e vendosur të vazhdonte, u qetësova. Deri në atë kohë kjo gjë nuk ndodhte në gazetat shqiptare. Intervistat e personazheve ishin të kornizuara njësoj dhe mendimi kritik ishte risi”, thotë Aulona. “Këtu nisi edhe dashuria jonë”, shtojnë me të qeshur. Rubrika vazhdoi dhe pati efekt ndër lexues e prej andej dy vajzat u bënë bashkë për një ide akoma më të guximshme: pse të mos transferohej në ekran kjo ideja e kritikës? Provuan të trokisnin në dyert e shumë televizioneve, por tek të gjithë morën të njëjtën përgjigje. “E shikonin si risk këtë ide. Ndaj dhe ne e përshtatëm dhe krijuam emisionin “Silikon” në Radio “Energy”. Më pas duke dëgjuar për web-in, klikimet e pagesat menduam se mund të kishim diçka tjetër tonën”. Kështu lindi “Thumbi”. Meqë televizionet nuk ua hapën dyert, emisioni i tyre do të transmetohej online, në Youtube, si lloji i emisionit thumbues, ku flitet pa doreza dhe ku Fatma dhe Aulona ndiheshin të lira për t’i bërë gjërat siç donin: pa iu lutur askujt e pa qenë të detyruara të bënin kompromise në kurriz të emisionit. Zakonisht xhirojnë dy herë në javë e kur janë me humor të mirë dhe në formë, mbarojnë shpejt. Por ka edhe raste të tjera kur i zë ora katër ose pesë e mëngjesit dhe këto ndodhin në ato rastet kur Aulona nervozohet: puna zgjatet pse disa nuk janë korrektë, e nisin punën me një kafe e ca llafe, përgjegjësia shkon dorë më dorë e kështu xhirimet e nisura për t’u mbyllur shpejt kthehen në një impenjim të mundimshëm. Barrën e lehtëson fakti se vajzat janë vetë edhe producente, edhe skenariste, edhe regjisore, gazetare e prezantuese, pra për shumçka vendosin vetë. Bashkëpunëtorët i përkasin vetëm pjesës teknike. “Sigurisht është një punë që ka koston e vet, por ne e minimizojmë duke zgjedhur bashkëpunëtorët”, thotë Fatma. “Thumbi” deri tani numëron me miliona klikime, por megjithatë vajzat thonë se ende nuk kanë nisur të fitojnë prej tij. Fitimet nga klikimet janë të vogla, ndërsa për sponsor mbeten të hapura për bashkëpunim. Ka ndryshuar kah marrëdhënia me televizionet. Nëse dikur Aulona dhe Fatma kërkonin bashkëpunim, tani janë ata që kanë hedhur oferta. “Por nuk kemi pranuar. “Thumbi” është i destinuar për në web dhe po ta transferojmë në ekran, i humbet lezeti”, thotë Aulona. Pastaj ky lloj transferimi rrezikon ta ndryshojë formatin sepse u është propozuar ta shtojnë me të ftuar, me intervista e të tjerë elementë në përmbajtje që nuk u vjen mbas avazit idesë së dy gazetareve. “Por në televizion mund të bëjmë gjëra të tjera”, plotëson Fatma.
Për më tepër që asnjëra prej tyre ekranin nuk do ta kishte për herë të parë. Fatma është diplomuar për filozofi-psikologji, por karrierën e ka ndërtuar në televizion. Dhe 26 vjeçarja e ka nisur rastësisht, pas propozimit të një kushëriri të saj, në Vizion Plus me post-produksionin e emisionit “Mos u nxeh” e më pas ka pasur një tjetër emision të vetin, për tre sezone rrjesht, “Koktej”. Më vonë u angazhua si kryeredaktore në edicionin e dytë të “Dancing with the stars” deri kur trokiti në derën e Aulonës për të provuar shtypin e shkruar. “Më pëlqen televizioni, por nuk e kisha menduar ndonjëherë që do punoja në një të tillë”, thotë ajo. “Më thonë se që kur kam filluar të flas, nuk kam pushuar më”, shton duke qeshur. “Jam marrë me organizime dhe kam prezantuar, në shkollë të mesme RinFest-et i organizoja të gjitha unë. Por më vonë kur nisa studimet, e mendoja veten si drejtuese të shoqatave të grave, si aktiviste, jo në zyrë, por në terren”. Por i ngjiti televizioni dhe tani vështirë të ndryshojë drejtim.
Ndërsa Aulona është personazh i famshëm i një tjetër lloji. Tetë vjet të shkuara, kur nuk i kishte më shumë se 20 vjeçe, ka qenë një nga protagonistet e reality-t “Kafazi i Artë”. U bë e njohur atë kohë dhe thotë se nëse është ndjerë ndonjëherë e famshme, ka qenë pikërisht kur doli nga Kafazi. Adhuruesit që e ndalonin në rrugë, dera e shtëpisë që nuk mbyllej, interesi që të gjithë tregonin për të, përmblidhen në kujtimet e një eksperience që ia ka vlejtur. “U identifikova me atë program dhe në atë kohë e mendoja se do të ishte një trampolinë e mirë për të hyrë në botën e televizionit. Por kjo gjë këtu nuk ndodh, personazhet që dalin nga emisionet reality nuk shfryëzohen nga ekranet që i prodhojnë, ndryshe nga sa ndodh në vende të tjera të botës”. Prandaj dhe Aulona hoqi dorë nga ëndrra, pa e ditur se pikërisht prej “Kafazit” do t’i hapej një tjetër dritë jeshile, për një tjetër lloj karriere. “Shkova te gazeta “Paloma” sepse më kishin kërkuar të jepja një intervistë dhe aty më propozuan të punoja gazetare”. Dy vjet më vonë fitoi postin e kryeredaktores dhe tregon se si kjo gazetë e nisur fillimisht si gazetë telenovelash u shndërrua në më të shiturën, prej rubrikave që shtoi vit pas viti, sidomos atë të djemve dhe vajzave që deri tani numëron pesë çifte të martuar dhe shumë lidhje të lindura prej atyre faqeve. “Kam dashur gjithmonë të jem prezantuese, por kam qenë e turpshme, e drojtur. Ata që më njohin, çuditen sesi jam shndërruar me kalimin e viteve”.
Pjesën më të madhe të meritës ua dedikojnë familjeve e sidomos nënave. Fatma e ka pasur të atin larg për shumë vite, në emigracion, ndaj dhe heroina e saj është mamaja, e cila sado provokativ, e pëlqen emisionin me të cilin e bija po fiton famë. Ndërsa mamaja e Aulonës, “Thumbin” nuk e ka edhe me aq qejf, por për sa kohë që e bija ndihet e plotësuar me punën e saj, e përkrah. Kanë qëlluar të dyja me fat edhe sa i takon jetës sentimentale, për aq kohë sa edhe Fatma, edhe Aulona kanë në krah dy partnerë që gjithashtu thonë se u qëndrojnë pranë.
“Përparimi është mjek veteriner”, thotë Fatma, “dhe jam me fat që kam pranë një njeri si ai. Është mbështetës, mirëkuptues dhe kjo ka shumë rëndësi kur punon në një profesion si ky i yni”. Numërojnë shtatë vjet bashkë, katër nga të cilat bashkëjetesë. Fatma ëndërron edhe një ceremoni martese kur mundësitë financiare t’ia lejojnë, një nga ato të llojit intim, me njerëzit më të dashur e të afërt pranë. Ndërsa Aulona me Tomin ka tre vjet. Nuk bashkëjetojnë ende, por rri “më shumë në shtëpinë e tij se në të sajën”. Tomi është tipi i djalit të njohur në Tiranë, muskuloz, nga ata që bien në sy dhe që preferohen. “Më pëlqen mashkulli që e pëlqejnë vajzat e tjera, por që e di se është mashkulli im”, thotë. “Është një lloj sfide”. Sipas saj, aspak e rrezikshme për aq kohë sa ka besim tek vetja. Pastaj një vajzë e llastuar nga prindërit si Aulona i pëlqen lloji i mashkullit mbështetës, pse jo, ai që thotë fjalën e fundit. Tomi i plotëson të gjithë këto kritere ndaj dhe ardhmërinë e sheh në krah të tij. Por pa hequr asnjë presje nga të gjitha ambicjet që ka për karrierën, në televizion ose jo.

Burimi: Vipat.info

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here