Ai kishte preferuar të shndërrohej protagonist i aparatit të tij. Shtatë fotografi protagonistit Astrit Ismaili ia siguruan fitoren në konkursin “Artistët e së nesërmes”.

Në tri prej tyre ai ka pozuar nudo, në njërën nga rrugët e kryeqytetit, i mbështjellë me pëlhurë të hollë të gjelbër. Në të tjerat ai reflekton izolim. E krejt këto janë reflektim i “Qenies njerëzore”, “Një ditë”…që janë disa nga titujt e imazheve të tij.  

Fituesi i edicionit të nëntë të konkursit tradicional, i cili mbahet në disa vende të Evropës, u shpall të enjten mbrëma në një ceremoni të mbajtur në oborrin e Galerisë së Arteve të Kosovës. Arta Agani, Fahredin Spahija, Lorik Sylejmani dhe Penesta Dika ka qenë katërshja e jurisë vlerësuese.

Shpalljes së fituesit të konkursit “Artistët e së nesërmes” (i cili ia siguron qëndrimin gjashtëjavor në një rezidencë në New York) i parapriu një performancë e Din Azizit, njërit nga finalistët e garës.

Çmimi të cilin e ndan Ambasada Amerikane në Prishtinë u nda nga Jenny Washelesky, zyrtare për marrëdhënie me publikun.

“Nuk dua të them shumë fjalë, por dua të theksoj se gara ka qenë e fortë dhe se në Kosovë ka shumë artistë të rinj të talentuar”, ka thënë Washelesky.

Fituesi i garës, Astrit Ismaili, ishte tepër i emocionuar për të gjetur fjalë.

“Po ndihem shumë i lumtur dhe jam shumë i emocionuar. Nuk di çka të them tjetër”, ka thënë Ismaili, i cili ka heshtur edhe pas përfundimit të ceremonisë së ndarjes së çmimit.

Arta Agani, koordinatore e konkursit “Artistët…”, ka thënë se në edicionin e sivjetmë kanë garuar rreth tridhjetë artistë të rinj.

“Për befasinë time kanë qenë shumë më të përgatitur. Për këtë arsye e kemi pasur vështirë të zgjedhim finalistët”, ka thënë Agani.

Përveç Astrit Ismailit dhe Din Azizit, finalistët e tjerë të konkursit të sivjetmë ishin Jeton Muja, Kushtrim Zeqiri, Skënder Bedriu dhe Shpend Havolli.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here