Gazeta kanadeze “National Post” e ka futur Arta Dorboshin në listën e atyre që do të duhej të ishin nominuar për shpërblimet prestigjioze të filmit “Oscar”, në kategorinë e aktores më të mirë.

Në shkrimin “Të shpërfillurit e ‘Oscarit’ – kur është nder të mos jesh i zgjedhur”, gazeta e ka vlerësuar Dobroshin e cila u bë e njohur me rolin e saj në “Lorna’s Silence” (“Heshtja e Lornës”) si një “aktore të mrekullueshme reale” dhe e ka përgëzuar atë për performancën në prodhimin e vëllezërve belgë, mjeshtërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne.

“E mishëruar në një rol viktime të një martese të rrejshme për fitim të shtetësisë, ajo është një prani e mrekullueshme humane”, shkruan “National Post”, duke e radhitur Dobroshin në listë përkrah aktorëve të famshëm, si: Matt Damon, Paul Giamatti, Nicolas Cage, Michael Sheen, Saoirse Ronan dhe Gwyneth Paltrow, si emrat që i kanë munguar listës.

Arta Dobroshi u bë e njohur brenda natës me rolin e saj të Lornës. Ajo ishte aktorja e parë shqiptare që shkeli tepihun e kuq në Festivalin e Filmit në Cannes, më 2008, ku edhe u nominua për aktoren më të mirë. Pas premierës në Cannes Dobroshi ka kaluar nëpër festivale të shumta, jo vetëm në Evropë por edhe në Kanada e Japoni, për të promovuar filmin. Kritika dhe mediat botërore e kanë përcjellë atë gjatë gjithë kohës, duke e cilësuar si ambasadoren e vërtetë të Kosovës.

Në anën tjetër “Academy of Motion Picture Arts and Sciences”, e cila do ta mbajë ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar” më 7 mars, këtë vit ka zgjeruar listën e të nominuarve për secilën kategori nga pesë në dhjetë. Por “National Post” vlerëson se lista është dashur të zgjerohet edhe më shumë, sepse “çfarë do të thoshin të nominuarit e tanishëm në natën e ‘Oscarit’?”
“Është nder vetëm të jesh i nominuar!”, do të ishte përgjigjja e tyre.

Gazeta bën një shëtitje nëpër vite, teksa kritikon “Academy Awards”, për lënien jashtë të aktorëve që realisht e meritonin të garonin për “Oscar”. Kësisoj, kur më 2005, “Sideaway” u nominua për filmin më të mirë, të cilin shpërblim e fitoi bashkë me tri çmime të tjera – atë për regjinë më të mirë (Alexander Payne) aktorin më të mirë në rolin (Thomas Haden Church) dhe aktorja më e mirë në rol dytësor (Virginia Madsen) – “National Post” vlerëson se aty mungoi më meritori, Paul Giamatti, i cili ishte zemra e këtij filmi. Ai kujtohet edhe për vargun e tij të famshëm: “Unë nuk jam duke pirë një “Merlot” të shkërdhyer!”

Gazeta e ka vlerësuar mospërfillës vendimin e “Academy of Motion Picture Arts and Sciences”, lënien anash të rolit të fundit të Paul Giamattit në filmin “Cold Souls”, teksa shton se në këtë film ai ka pasur “performancën më të mirë që nga koha e rolit në “Being John Malkovich”.

Një tjetër mospërfillje ishte roli i Nicolas Cage, kur regjisori gjerman Werner Herzog vendosi ta angazhonte Cagen, të cilit iu dha një detyrë e vështirë të një polici me mosbaraspeshë mendore dhe i varur nga droga.

Michael Sheen në “The Damned United” kishte luajtur role “të djemve të vërtetë që nga vitet e shtatëdhjeta. Tani, sikur ai të kishte ndaluar së luajturi vampir (New Moon) dhe njerëzit-ujq (Underworld), Akademia mbase do ta kishte marrë seriozisht në konsideratë”.
Nëse ishte kënaqësi ta shikoje “The Lovely Bones”, magnet ishte narracioni dhe performanca e vajzës së babait të luajtur nga Saoirse Ronan, vlerëson gazeta e Ontarios.

Në listën e të nominuarve për rolin më të mirë dytësor mungojnë edhe emra të njohur, si: Karl Urban i “Star Trek”, Jemaine Clement i “Gentlemen Broncos” dhe Christian McKay, “Me and Orson Welles”,
Në rolin më të mirë dytësor të aktoreve listës nuk i janë shtuar emra të njohur: Betty White e “Proposal”, Amy Admas e “Night at the Museum: Battle of the Smithsonian”, Jeniffer Garner e “Ghosts of Girlfriends Past and The Invention of Lying”, vlerëson gazeta në një shkrim kritik./koha/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here