Arta Bajrami: Unë nuk mjaftohem vetëm me një singël!A e dini ku qëndron sekreti për pamjen e bukur? Pikërisht në vetëdijesimin se duhet jetuar në mënyrë të shëndetshme (pra, kujdes në ushqim dhe të jesh sa më aktive fizikisht), por edhe vetëdijesimi se “less is more” që do të thotë se sa më pak grim, sa më natyrale, jo vulgare në veshje, por sa më e rafinuar aq më sensuale dhe më atraktive.

Këngëtarja Arta Bajrami, së fundmi ka publikuar albumin e saj “Victory”, album ky i cili mban edhe emrin e vajzës së saj. Arta në një intervistë ekskluzive për gazetën “Zëri” ka treguar gjithçka rreth këtij albumi. Madje, ajo ka thënë se pavarësisht faktit që publikimi i albumeve në ditët e sotme nuk të sjellë ndonjë përfitim financiar, Arta thotë se këtë e bën për fansat e saj.

Zëri: Arta, urime albumi i ri. Na e prezanto pak të lutem?

Arta: Ju faleminderit “Zëri”. Ndihem e nderuar që për një projekt serioz të intervistohem nga një gazetë serioze si ju. Albumi është punuar si zakonisht në studion “Arbasound” dhe ka 10 këngë, ku dy prej tyre janë bashkëpunime. Njëra është duet me Dulin (muzikë popullore) dhe tjetra me një anëtar të ri të studios tonë, Boletinin (R&B). Tekstet janë të shkruara nga Avni Qahili, Arsim Bunjaku dhe Mitat Sadiku.

Zëri: Diçka më shumë rreth këngëve?

Arta: Këngët janë sikurse që pritet nga unë, pra zhanre të përziera. Për çdo kë diçka do të thosha. Ka “R&B”, ka “Techno-House”, “Pop” dhe natyrisht muzikë “Folk” që kohëve të fundit po më fle më së shumti në zemër. Unë gjatë karrierës sime gati 20-vjeçare e kam dëshmuar veten se jam e gjithanshme e kjo vërehet edhe në këtë album. Ka këngë moderne (një madje është në anglisht), por dominon zhanri “Folk”. Për mua zhanri nuk ka rëndësi, përderisa muzika është e mirë dhe ndjehet nga dëgjuesi, pra prek ata emocionalisht. E këtë besoj se e kam arritur sidomos me dy baladat që kanë vërtet një përmbajtje emotive. Por, edhe këngët e tjera s’të lënë indiferentë, pra ose të bëjnë të qashë ose të qeshesh ose të kërcesh (gjitha emocionet e mundshme).

Zëri: Cilat këngë do t’i veçonit më shumë?

Arta: Balada “Më shumë se gabim” më emocionon shumë kur e këndoj, por edhe balada “Oj Nanë” të ngjallë mallëngjim. Ndërsa, nga ritmiket fillimisht më ka pëlqyer kënga “Taman”, por me kalimin e kohës e preferuara ime u bë “Boma qefin, dj”. Pastaj filloi të më çmend kënga “Llaser”, por tash përfundimisht po më hallakat kënga “Thuaj jo”.

Zëri: Shumica e estradës presin të vijë vera dhe të hedhin nga një singël që t’i mbajë aktual gjatë sezonit, ndërsa ju sillni albume, pse?

Arta: Unë nuk kam asgjë kundër singlave se hedh herë pas here edhe vetë ndonjë në treg, por unë nuk mjaftohem vetëm me një singël. Një herë në 2-3 vjet e kam me patjetër ta bëjë një album. Me një singël nuk nderohet publiku. Sado i suksesshëm që mund të jetë ai singël, është fyerje për fansat e tu të mos punosh albume sepse është matematikë e thjeshtë: çdo verë nga një singël do të thotë që fansat e tu të presin 10 vjet që ti të jesh në gjendje t’u mbash një gjysmë koncerti (sepse pa pasur së paku 20 këngë ti nuk mban dot koncert apo mbrëmje muzikore). Unë jam shumë e gëzuar që kam mbi 70 këngë dhe jo që kam problem me mbushjen e repertorit, por në fakt kam problem me përzgjedhjen e tij sepse gjithmonë ka ndonjë këngë, shumë e bukur, që mbetet jashtë repertorit sepse nuk mund t’i këndojë të gjitha.

Zëri: Cilat këngë do t’i ekranizosh nga albumi i ri?

Arta: Kënga me Dulin është ekranizuar dhe pritet të dalë këto ditë. Është një këngë siç populli e quan “që të qejfliesë”. Pak lojë fjalësh, pak humor. Madje në video-klip luan edhe personazhi humoristik “Sofia”, që vajza ime Viktoria çmendet pas saj. Kemi realizuar dhe lansuar edhe video-klipin për këngën “Oj Nanë” dhe shpresoj t’u pëlqejë publikut. Këto dy video-klipe do prezantojnë albumin, por ky është vetëm fillimi pasi që këngët e mia të preferuara akoma skam filluar t’i ekranizojë dhe po e kam të vështirë të vendosi mes 5-6 këngëve që janë: “Taman”, “Llaser”, “Thuaj jo”, “Boma qefin, dj”, “Milioner” dhe “Më shumë se gabim”.

Zëri: Fotot në album zbulonin një Artë shumë në formë dhe me shumë klasë, po lënë një përshtypje se ti sa po vjen e më e bukur po bëhesh, pajtohesh me këtë?

Arta: Ju faleminderit për komplimentet. Në njëfarë mënyre pajtohem, por jo që unë jam bërë më e bukur sepse unë akoma ajo jam. Por e dini ku qëndron sekreti? Pikërisht në vetëdijesimin se duhet jetuar në mënyrë të shëndetshme (pra, kujdes në ushqim dhe të jesh sa më aktive fizikisht), por edhe vetëdijesimi se “less is more” që do të thotë sesa më pak grim, sa më natyrale, jo vulgare në veshje, por sa më e rafinuar aq më sensuale dhe më atraktive. Tani kam realizuar edhe logon ARTA që është po ashtu mjaft e mirë e dizajnuar dhe shkon shumë bukur me imazhin tim të ri, sexy por e sofistikuar.

Zëri: Të urojmë suksese me albumin e ri Arta! Diçka për fund?

Arta: Dua të falënderoj vëllanë tim Don Arbas, për punën e palodhshme dhe t’i them të ma bëjë hallall se e kam munduar shumë. Ka qenë punë intensive rreth 1 vit dhe unë nuk jam shumë e lehtë për të bashkëpunuar sepse i dua gjërat ashtu siç dua unë dhe vetëm ai ma di saktësisht shijen. Të bësh një album nuk është gjë e lehtë. Pastaj financiarisht nuk është aspak e leverdishme sepse albumet sot dalin nesër i ke ne “YouTube”. Krejt këtë punë e kam bërë vetëm për adhuruesit e mi dhe nëse ata janë të kënaqur, ai është shpërblimi më i madh. Për adhuruesit e mi dhe gjithë lexuesit tuaj ia bashkëngjit kësaj interviste një foto të papublikuar ndonjëherë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here