Ajo është vajza e një figure të njohur të ekranit, Arben Mevlanit. Armina një vit më parë vendosi të bëhet e njohur duke u zgjedhur si përfaqësuese e Shqipërisë në Miss World.

Tani që ka kaluar kjo fazë, ajo është një studente e Filozofisë me përkushtim ndaj shkollës dhe me dashurinë për të bukurën dhe ekranin që dashje pa dashje e ka të trashëguar. Në fakt, Armina nuk ka vetëm fatin që ka babanë njëri të ekranit, por, nga ana tjetër, ka dhe fatin që ka një nënë koreografe, Mimoza.

Të dy këta prindër kanë sjellë një jetë një vajzë që ka dashuri për televizionin dhe përkujdesje maksimale për turpin. Në këtë bisedë për “Sh2-in”, ajo na tregon veçanërisht për marrëdhënien e saj me të atin. Duke na rrëfyer se për të, “babi, në radhë të parë, ka qenë një shok e më pas baba”, e gjithë kjo flet shumë për një marrëdhënie babë e bijë. Pas rritjes së saj, gjërat kanë ndryshuar, nuk mungojnë këshillat e vazhdueshme, por lihet fushë e lirë për të vendosur vetë. Për mamin është gjithmonë vajza për të cilën ajo duhet të kujdeset e të merakoset në çdo moment, ndërsa për babin është princesha. Armina, sot 19-vjeçare është një studente Filozofie, një nga vajzat më të bukura dhe me pretendime për të hyrë në politikë.

Armina, na tregoni diçka për veten, me çfarë po merreni aktualisht?

Aktualisht po vazhdoj studimet e larta, shumicën e ditës ma zë shkolla dhe normalisht që përveç saj i dedikohem dhe pjesës tjetër që është ajo që do të sjellë rrjedhën e karrierës sime. Pas kthimit nga Miss World, ku përfaqësova vendin tonë, në kthim pata shumë oferta, po nga të cilat pranova vetëm disa publicitete dhe imazhe, pasi ajo çka presim është shumë, por them më mirë të mbetet surprize, ndërkohë që dhe unë po bëj zgjedhjen që më duket më e sakta për veten time në këtë moment.

Për çfarë po i vazhdoni studimet e larta?

Studimet e larta i vazhdoj për Filozofi në Fakultetin e Shkencave Sociale. Bëra këtë zgjedhje, pasi gjithmonë kam qenë e dhënë pas librave dhe normalisht më pëlqen të hap një botë më të gjerë, qoftë mendërisht, por edhe në oratori… më pas masteri është një zgjedhje individuale, por unë tashmë e kam bërë zgjedhjen për Marrëdhënie me Publikun. Një nga synimet e mia është edhe politika.

Çfarë kujtimesh ruan nga konkurrimi në Mis Albania… a do të vazhdoni më tej konkurrimet për bukurinë?

Ç’është e vërteta, unë kujtimet e mia i ruaj në Miss World ku përfaqësova denjësisht Shqipërinë në një eveniment botëror prej 112 shtetesh. Aty mora dhe çmimin THE BEST LOOK, por përveç kësaj fitova një eksperiencë të paharrueshme në vendet që vizituam Londër, ABU DHABI, Afrikë, por, gjithashtu, zura miqësi të reja në mbarë botën.

Cili është koncepti juaj për të bukurën?

Për mua e bukura është e domosdoshme, por nuk quaj të bukur thjeshtë pamjen fizike, pasi ajo rrezohet shpejt, nëse mungon karakteri, zgjuarsia, kultura, mënyra e të folurit, por edhe stili. Kompleksi i të gjitha këtyre quhet e bukur… mund të duket e paarritshme, por unë thjeshtë them që është e rrallë.

Si mund ta përshkruani më hapur shprehjen për babin, “në disa raste e kam shok dhe disa të tjera e kam baba”?

(qesh) Pikërisht, atë sapo lart përmenda, mua asnjëherë s’më ka munguar një shok, babi im në radhë të parë ka qenë një shok për mua e më pas një prind.

Ju ka bërë ndonjëherë babi të qani?

(qesh) Joooo, megjithëse mendoj se është prekur kur unë erdha në jetë :-) .

Sa pranë ju ka qëndruar ai në fushën e modës dhe aktualisht?

Babi normalisht që më qëndron afër, sidomos për sa i përket TV-së, por ama thjesht, duke më këshilluar se si të veproj dhe çfarë është më e mira dhe çfarë jo, pasi të tjerat mi lë në dorë mua, duke qenë se është më mirë që unë të vendos dhe të mësoj vetë në jetë.

Çfarë ju këshillon më shumë për ekranin?

Më këshillon të bëj zgjedhjen e duhur, pasi nuk dua të konsumoj imazhin tepër dhe kështu përveç kësaj, pasi bëjmë një zgjedhje më këshillon dhe nga ana profesionale, në mënyrë që gjërat të jenë më të thjeshta dhe të sakta. Ai shpesh herë më thotë që ta trajtoj publikun si mik, të jem e lirshme dhe spontane, megjithëse unë jam gjithmonë e tillë.

Sa ju ndihmon ai që ju të paraqiteni denjësisht si prezantuese, modele…?

Për sa i përket modës, kjo është pjesë e femrave (qesh), ndërsa si prezantuese ka plot vend për t’u mbushur dhe për këtë me ndihmon, më dëgjon dhe normal që edhe më thotë në vende ku mundet edhe të gaboj.

Sa ju ndihmon pamja për realizimin e ambicieve?

Pamja është mjaftueshëm e rëndësishme, sidomos tek një femër dhe sidomos nëse ke të besh me ekranin. Mua më ka ndihmuar, por nuk është e mjaftueshme, sepse krahas pamjes të duhet dhe një karakter i forte për t’ia dalë mbanë, jo vetëm në ekran, por kudo, normalisht, s’duhet të mungojë dhe aftësia. Lufta drejt majave është ajo që na mbush zemrën, kështu që duhet të përdorim çdo armë që kemi.

Ambiciet tuaja në politikë deri ku shkojnë?

Me saktësi nuk mundem të them për momentin se ku shkojnë, thjesht di të them që shkolla ime deri diku ka të bëjë me mënyrën sesi të bëjmë politikë dhe mua nuk po më mungon kjo pjesë, por në të ardhmen asnjëherë nuk i dihet… thjeshtë them që politikës sonë i duhen pak më shumë femra, e pse jo ndoshta një ditë mund të jem pjesë e saj.

Bota e magjishme e modës për ju është një fazë kalimtare që do t’ia lërë vendin diçkaje tjetër, apo do të vazhdoni të jeni pjesë e saj si organizatore?

Unë për momentin u futa në këtë botë dhe po me shijon tepër, pasi është ajo çka mund të bëj me mirë për momentin, por me kalimin e kohës edhe pikësynimet ndryshojnë. Mendoj se është fazë kalimtare të qenit pjesë e saj e jashtme, por një ditë do të jem pjesë e brendshme, pasi kurrë nuk do të largohem nga moda, sepse thjesht më bën të ndihem shumë femër. Pjesa që do të mbetet do të mbushet me gjëra të tjera nga këto të shumtat që u përmendën më lart. (qesh)

Është e domosdoshme të jesh e bukur, për të qenë e famshme?

Absolutisht jo, të qenit e famshme vjen si pasojë e shumë gjërave… mund të kesh aftësi që të bëjnë të famshme, mund të kesh anë jo pozitive që të bëjnë të famshme ka plot raste të tilla, mund të jesh një artist i talentuar etj. Nëse do të na bënte të famshme vetëm të qenit të bukur, ajo famë do të zgjaste shumë, shumë pak.

Si do të donit të nisë një ditë e juaja ideale?

Për mua dita ideale dallohet që në momentin që zgjohesh kur është një zgjim me pozitivitet dhe vazhdon dita ashtu. Po meqë po flasim për idealen, ku ka kënaqësi më të madhe se sa të zgjohesh e të kesh pranë njerëzit që do, të dalësh dhe të jetë një ditë e bukur me diell… për mua mjafton të mbushet plot dhe gjithmonë është e bukur.

Gjendjen tuaj shpirtërore, aktualisht si do ta përshkruani?

Jam e lumtur, gjithmonë kam qenë e lumtur. Jo, sepse jam njeri i çuditshëm (qesh), por, sepse, asnjëherë, nuk e lejoj veten që mërzitjet të më zgjasin gjatë, të më zbehin ditët. Gjithmonë eci me pozitivistet, pasi e di që çdo gjë kalon dhe ndodh për një arsye… ne na takon vetëm të jemi të fortë, të japim dashuri dhe të marrim dashuri.

Pse tremben meshkujt shqiptarë, kur ndodhen përballë një femre të zonjën, sipas jush?

Meshkujt janë të fortë në pamje dhe të brishtë në shpirt, nuk kanë fuqinë që duket. Flas këtu për meshkujt që tremben, normalisht. Kjo ndodh, sepse një femër e bukur dhe e plotësuar është shumë e vështirë për t’u mbajtur nga një mashkull në mënyrën se si një mashkull kërkon ta posedojë një femër dhe, dihet, shenja e parë e pëlqimit tek një femër është guximi, ndërsa tek mashkulli stepja.

Çfarë ju bën të mësoni nga pësimi?

Thjesht fakti që jemi njerëz dhe gabojmë. Mua më pëlqen hera-herës të gaboj dhe ia lejoj vetes, sepse ndryshe nuk do të mësonim dot çfarë është e mirë apo e keqe. Njohja vjen nga përvoja, kjo tregon se gjërat duhet t’i jetojmë vetë që të bëjmë dallime.

Sa të zënë e ka zemrën Armina?

Zemrën e kam mjaftueshëm të zënë dhe asnjëherë s’ka qenë bosh, pasi kam njerëz që më duan shumë dhe normalisht i dua shumë, kryesisht familja e më pas vijon me persona të afërt të tjerë në jetën time.

Si ju pëlqen ta kaloni atë pak kohë të lirë?

Koha tamam e lirë është fundjava, më pëlqen ta kaloj me miqtë duke dëgjuar muzikë të mirë, në kinema apo në ndonjë eveniment, kryesisht e diela është dita e qetë me familjen, ku i dedikoj kohë dhe ndonjë libri të bukur.

Nëse ju vjen një ofertë shumë e majme për të pozuar nudo, a do ta pranonit?

Nuk mund të flas në ajër për këtë, pasi oferta varet nga kush vjen e duhen plotësuar shumë kushte, megjithatë nuk besoj se do ta pranoja një gjë të tillë… Sh2

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here