Armina Mevlani, raportet e saj me ushqimin. Nuk është ende një amvisë e mirë, por ato që gatuan, i qan, dhe janë… makaronat.

I pëlqejnë shumë krudot e detit, spagetit dhe konsumon shumë… shalqi e qershi. Gjëja që nuk e ha kurrë? Spinaqi!

Kur vendosim bashkë, ushqimin dhe një ikonë bukurie duam të dimë më shumë se si shkojnë në paqe këto të dyja bashkë. Armina Mevlani, ish-miss dhe një nga vajzat më të bukura të Tiranës, tregon sot për fundjavën e “Shekullit”, marrëdhënien e saj me atë që e bën më të lumtur, ushqimin.

Sigurisht, një nga bazat e kulturës në ushqyerjen saj e kanë prindërit. Armina nuk ka vetëm fatin që ka babanë, njeri të ekranit, Arben Mevlanin, por, nga ana tjetër, ka dhe fatin që ka një nënë koreografe, Mimozën. Të dy këta kanë sjellë në jetë një vajzë që ka dashuri për televizionin, modën, revistat dhe përkujdesje maksimale për turpin. Sot, ajo na rrëfen, marrëdhënien me ushqyerjen, alkoolin dhe sekretin e të pasurit një fizik të bukur edhe duke ngrënë. Armina ju tregon…

Armina, cili është raporti juaj me mëngjesin, cili është mëngjesi juaj në ushqim?

Mëngjesi më pëlqen të jetë i lehtë, ndoshta drithëra me qumësht dhe një gotë lëng i freskët.

Na tregoni pak për ushqyerjen tuaj në fëmijëri, si ka qenë në raport me atë sot?Patjetër, që e ushqyera ime sot, me atë të fëmijërisë ka ndryshuar shumë. Atëherë, si çdo fëmijë më pëlqenin dhe gjërat e gatshme, pak të dëmshme për shëndetin, por mami im kujdesej edhe që të konsumoja ushqimet e duhura, megjithëse nuk mund t’i shmangia picat, sanduiçët apo patatinat. Sot kujdesem vetë pasi e kam kuptuar rëndësinë e ushqimit dhe mundohem të ha gjëra të freskëta dhe të shëndetshme.

Çfarë nuk hanit kur ishit fëmijë, por që tani keni ndryshuar mendje?

Kur isha fëmijë, nuk më pëlqenin shumë gjellërat në shtëpi, por sot janë gjëja që më pëlqen më shumë.

Na trego, hani më shumë në shtëpi apo restorante?

Koha nuk më lejon të ha shumë në shtëpi, ndaj në pushimin e punës ha në ndonjë restorant, por kur shkoj në shtëpi e shijoj shumë.

Keni mbajtur ndonjëherë dietë për të ruajtur linjat?

Nuk kam mbajtur asnjëherë dietë dhe s’e besoj se do të mbaj. Për mua sekreti është të hash pak dhe shpesh, të shmangësh darkat e rënda dhe të bësh sport.

Çfarë marrëdhënie keni me ëmbëlsirat?

Ëmbëlsirat më pëlqejnë vetëm disa të caktuara, ndaj nuk është se i ha shpesh.

Po me pijet, alkoolin?

Alkooli më pëlqen, por edhe sot i kam vënë një kufi. Dikur në adoleshencë pija më shumë, ndërsa tani ka kufij dhe vetëm në raste të veçanta mund ta kaloj kufirin. Gjithmonë, nëse e di, që alkooli është i cilësisë jo të keqe.

Kur ka qenë rasti i fundit kur jeni dehur?

Rasti fundit që jam dehur? Mmmm, ndoshta verës që kaloi në pushime me shoqërinë.

Çdokush ka një ushqim që nuk e ha, ju keni një të tillë, cila është ajo gjë që nuk e keni ngrënë asnjëherë?

Fatkeqësisht, nuk më pëlqen spinaqi fare dhe pse e ha me raste, me zor…

Konsumoni fruta, çfarë më shumë?

Fruta, patjetër, konsumoj, por më pëlqejnë më shumë në formë lëngu të shtrydhur, të freskët.

Na rendit disa gjellëra, fruta, perime që keni më shumë përzemër?

Ushqime që pëlqej, ka shumë. Do të veçoja krudot e detit, spagetit dhe mund të them edhe që jam një mishngrënëse e mirë. Për fruta, më pëlqen të ha shumë shalqi dhe qershi.

Ju vetë, çfarë raporti keni me gatimin?

Mund të them që, akoma nuk jam një amvisë e mirë, por gjërat që di t’i gatuaj, i di shumë mirë. Avash avash, po mësoj të bëhem edhe më e mirë.

Çfarë dini të gatuani më mirë, na tregoni recetën tuaj?

Më mirë di të gatuaj makaronat. Janë një art më vete sado të thjeshta duken. Unë kujdesem që të jenë të mira dhe salca të jetë e veçantë, sepse ajo i jep shijen. Gjithmonë, salcën e gatuaj veç në një tigan të veçantë dhe më pas e gatuaj edhe me makaronat, në po këtë tigan. Zakonisht përdor salce domatesh, të shoqëruar me perime dhe hudhra.

Cila është koha më e gjatë që keni ndenjur në kuzhinë?

Koha më e gjatë është kur mami më mëson gjëra të reja.

Është ambienti i kuzhinës, një ambient relaksi për ju?

Patjetër që është vend relaksi, por nuk është më i preferuari (qesh).

Cila është gjëja që ha më shumë nga ‘duart” e mamit?

Gjëja që ha më shumë dhe gjithmonë më ka pëlqyer nga mami janë specat e mbushur.

Nga ajo çfarë dini, a duhet të jemi të kujdesshëm në ushqim, cili duhet të jetë raporti i njeriut me ushqyerjen?

Mendoj se, ushqimi është një ndër gjërat më të rëndësishme për shëndetin tonë. Yndyrërat e tepërta duhen shmangur dhe duhet ditur mirë se cili ushqim na përshtatet me organizmin dhe sesi reagon trupi ndaj ushqimeve të caktuara.

Thuhet se ushqimi është ndër kënaqësitë më të mëdha, ja keni privuar vetes ndonjëherë këtë kënaqësi, vetëm për mos të vendosur disa kile më shumë?

Unë ushqimin e adhuroj dhe ia di shumë vlerën. Nuk e kam privuar veten për çështje kilesh. E kam privuar nga ushqimet që më bëjnë dëm dhe i preferoj shumë nga ana tjetër.

Na tregoni pak për aktivitetet tuaja të momentit, si po shkon revista, pushimet, keni ndonjë plan pas pushimeve?

Për momentin po kaloj pushime me familjen në jug të Shqipërisë, më pas nisem për në Spanjë me shoqërinë. Sapo të kthehem, do t’i futem punës dhe patjetër që vjeshta vjen me plane të reja.

Bukuria sipas Arminës

“Për mua e bukura është e domosdoshme, por nuk quaj të bukur thjesht pamjen fizike, pasi ajo rrëzohet shpejt, nëse mungon karakteri, zgjuarsia, kultura, mënyra e të folurit, por edhe stili. Kompleksi i të gjitha këtyre quhet e bukur… mund të duket e paarritshme, por unë thjesht them që është e rrallë. Nga ana tjetër pamja është mjaftueshmërisht e rëndësishme, sidomos tek një femër dhe sidomos, nëse ke të bësh me ekranin. Mua më ka ndihmuar, por nuk është e mjaftueshme, sepse krahas pamjes të duhet edhe një karakter i fortë për t’ia dalë mbanë, jo vetëm në ekran, por kudo, normalisht, s’duhet të mungojë dhe aftësia. Lufta drejt majave është ajo që na mbush zemrën, kështu që duhet të përdorim çdo armë që kemi”.

E bukur = e famshme?

“Absolutisht jo, të qenit e famshme vjen si pasojë e shumë gjërave… mund të kesh aftësi që të bëjnë të famshme, mund të kesh anë jopozitive që të bëjnë të famshme, ka plot raste të tilla, mund të jesh një artist i talentuar, etj. Nëse do të na bënte të famshme vetëm të qenit të bukur, ajo famë do të zgjaste shumë, shumë pak”.

Emri: Armina Mevlani,

Datëlindja: 6 qershor, 1991

Çmimet: Miss Albania në vitin 2009 dhe përfaqësuese e Shqipërisë në “Miss Ëorld”

Studimet: Filozofi në Universitetin e Tiranës

Angazhimi aktual: Drejtoreshë e një reviste të përmuajshme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here