Armina Mevlani, është një nga ato vajza që rrallë i takon rrugëve të kryeqytetit. Një 22- vjeçare që mban mbi krye kurorën e më të bukurës shqiptare për vitin 2009, që ka realizuar reklama për kompani të rëndësishme biznesi, e që sot punon si drejtore kreative e një reviste konkurruese në lëmin e revistave që ka tregu… Megjithatë në suplementin e së shtunës s’do të flasim për asnjë prej këtyre angazhimeve. Një tjetër projekt, i madh dhe i rëndësishëm i është besuar asaj. Si e priti Armina Mevlani ftesën e Ardit Gjebreas për të prezantuar bashkë me të dhe Olta Gixharin “Këngën Magjike” dhe emocionet që po e shoqërojnë këto ditë, i zbuloni sot në “Bluetooth”.

Je përzgjedhur si një nga prezantueset e “Këngës Magjike”. Si të erdhi oferta dhe si u ndjeve kur Ardit Gjebrea ta komunikoi këtë?

Olta ishte ajo që u zbulua e para dhe ajo e dinte se cili do të ishte emri tjetër, por nuk më kishte treguar gjë edhe pse e kam shumë mikeshë. Pastaj Arditi më kërkoi takim dhe me këtë ftesë unë kuptova që diçka e re do të vinte për mua në televizion, por nuk ma merrte mendja që unë do të qëndroja përkrah tij në netët finale të festivalit “Kënga Magjike”. Ndonëse kishte shumë gjëra që lidheshin, nuk doja ta mbushja veten me ëndrra, derisa ai ma komunikoi vetë lajmin. U lumturova pa masë, por edhe u ‘ frikësova’ për përgjegjësinë që po më jepej.

Prezantueset femra në “Këngë Magjike”, kanë pak a shumë rolin e koketave, d. m. th. nuk flasin shumë. Të kanë thënë gjë se çfarë do të bësh, çfarë hapësire do të kesh?

Femra është etaloni i të bukurës, sepse ajo tërheq vëmendje së pari me dukjen e saj dhe pastaj me atë që thotë, ndaj dhe është krijuar kjo ide kam përshtypjen. Gjithsesi duhet të kemi parasysh që në vitet e shkuara, prezantueset kanë qenë të huaja dhe fakti që nuk dinin shqip ka ndikuar. Këtë vit roli i prezantueseve femra është shumë i rëndësishëm dhe përmbushja me sukses e këtij misioni është një sfidë e madhe që na pret.

E ke pasur ëndërr prezantimin?

Unë faktikisht që e vogël kam bërë prezantuesen, miss- in, jurinë. I bëja të gjitha bashkë. Kam pasur natyrisht edhe babin një shtysë shumë të fortë, sepse ai ka një jetë që bën prezantuesin dhe unë e kam ndjekur që kur isha e vogël, ndërsa ai moderonte përpara një turme të madhe njerëzish. Në atë kohë e mendoja shumë të vështirë detyrën e tij, tani më është besuar mua kjo gjë dhe nuk e di si do t’ia dal.

Me Oltën njihesh edhe nga jashtë dhe njerëzit e kanë komentuar si të ngjashëm imazhin tuaj. Po çfarë tjetër ju lidh ju të dyjave?

Ne kemi të përbashkët stilin, – na pëlqen të vishemi si femrat e viteve ’ 40, – ndërkohë që të dyja jemi vajza të qeshura. M’u bë shumë qejfi që m’u bë kjo ftesë, edhe për faktin se kolege do të kem Oltën. Shkoj shumë mirë me të.

A e ke pasur Ardit Gjebrean idhull në fëmijërinë tënde? Si ndihesh sot që je përkrah tij?

Arditin e kam pasur idhull, është e vërtetë, madje kam edhe një autograf të tij, të cilin e ruaj dhe sot. Emocionohesha sa herë e shihja dhe për të qenë e sinqertë unë e kam dashuruar Arditin si figurë televizive. Edhe tani që jam rritur, kam kuptuar që është një person i veçantë i ekranit dhe normal, është një emocion i jashtëzakonshëm prezantimi përkrah tij.

Çfarë mendon të bësh pas kësaj? Mendon të bëhesh seriozisht pjesë e televizionit?

Faktikisht është shumë herët, sepse duhet ta provoj si eksperiencë. Faktikisht në rastet e mëparshme që unë kam qenë në televizion, kam qenë në rolin e të ftuarës. Është ndryshe të jesh përpara një turme të madhe njerëzish…

Je një person që shpenzon shumë për paraqitjen e jashtme, për veshjet… Sa kohë nga dita jote dhe sa të ardhura i dedikon kësaj pjese?

Veshjen e kam pikë të dobët, sepse mendoj që një femër e ka si pjesë të karakterit. Mund të duket mendjelehtësi kur e thua, por realisht veshja na karakterizon. Për punën që unë bëj më takon ta përcjell këtë ide tek njerëzit. Nuk mund të them që u kushtoj kohë kombinimeve. U kushtoj vëmendje gjërave të reja të sezonit dhe atyre që më nevojiten gjatë eventeve të ndryshme ku marr pjesë. Sa i takon anës ekonomike, një pjesë të të ardhurave të mia e heq gjithmonë mënjanë vetëm për veshjet.

Si është dita jote prej 22- vjeçareje?

Këtë vit duhej ta kisha mbaruar shkollën por më kanë mbetur dy provime, të cilat i kam shtyrë për shkak të punës. Dita ime fillon me punë. Në orët e lira u përkushtohem miqve dhe njerëzve të mi të afërt. Kjo është një periudhë me shumë angazhime dhe jam gjithë kohën në lëvizje, kështu që dita ime e punës mbaron vonë.

Ka kohë për të dashur Armina?

Kush do, e gjen kohën ( qesh).

Atëherë ke një të dashur?!

Nuk kam një histori dashurie, por mund të them që jam e rrethuar nga njerëz që më simpatizojnë dhe i simpatizoj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here