Modelja kosovare, Arjeta Krasniqi, ka vendosur që të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. 22- vjeçarja ka qenë “blerja” e re e trajnerit të Kombëtares shqiptare për femra, Altin Rraklli, i cili pas themelimit të kombëtares për femra vitin e kaluar, synon të themelojë edhe Kombëtaren U-17.

Bukuroshja kosovare, e cila është shpërngulur me familjen në Gjermani që në moshën 3-vjeçare, angazhohet me klubin për femra në Ligën 4 gjermane, DJK St.Hubert.

Arjeta Krasniqi dëshiron të ketë një karrierë shumëdimensionale, pasi përveçse është një futbolliste, ajo në profesion është ndihmëse dentiste, ku për këtë degë po vazhdon edhe një kurs profesional, gjithashtu asaj i pëlqejnë edhe pasarelat duke sfiluar si modele.

Gjatë një interviste për “Spox”, mesfushorja shpalos se si mundi të bëhej pjesë e planeve të Kombëtares për femra në Shqipëri. Ajo i thur elozhe strategjisë dhe tipit të trajnerit, Altin Rraklli, por tregon se synimi i saj pas debutimit kundër Maqedonisë (4-1), është ta shndërrojë Shqipërinë në kombëtaren më të fortë të Ballkanit.

“Kombëtarja jonë ka startuar shumë mirë. Edhe pse ka një vit që është themeluar, i ka fituar të dyja ndeshjet kundër Maqedonisë. Një fillim i mbarë të motivon më shumë dhe mezi presim ndeshjen e radhës”,- nënvizon mesfushorja Krasniqi.

Gjithashtu bukuroshja tregon mbi aktivizimin e saj dhe trajnerit Rraklli: “Një shok i babait e pati këshilluar trajnerin Altin Rraklli që të më përzgjidhte në kombëtare. Rraklli është një trajner i përgatitur, ka shumë vullnet, i disiplinuar, që po kujdeset që të marrë në Kombëtare femra shqiptare, të cilat angazhohen në SHBA, Gjermani, Norvegji, Suedi, Zvicër dhe në shtete të tjera”, përfundon bukuroshja kosovare.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here