Na kërkoi para më shumë se ç’merr në koncertet me ‘shukariet’ dhe në mënyrë ilegale, pa faturë tatimore”

Nuk është rast i rrallë që personazhet e njohur vihen kundër gazetarëve apo botuesve, ndërsa diskutohet ende çështja delikate e kufirit se ku mbaron liria e personave publikë dhe ku fillon ajo e medias, ndërsa shkruajnë për ta dhe jetën e tyre private.

Por për gazetarin e njohur Arjan Konomi, i cili drejton prej vitesh revistën “Shqip”, kjo është hera e parë që ndaj medias që ai përfaqëson, të ngrihet një padi. Këngëtarja Soni Malaj ka hapur çështje gjyqësore për një portret të pautorizuar, që u botua para dy vitesh për lidhjen e saj me balerinin italian Mirko. Arjan Konomi në këtë intervistë tregon gjithë historinë me këngëtaren, nga kërkesa e saj për të dhënë intervistë në shkëmbim të 2000 eurove, dhe deri tek padia e ngritur, ku këngëtarja kërkon tashmë dëmshpërblim prej 8000 eurosh.

Këngëtarja Soni Malaj ka hapur ndaj jush një çështje gjyqësore për një shkrim të botuar në revistën “Shqip” para dy vitesh. Si e pritët ju padinë e këngëtares?
Në fakt, është e vërtetë që kjo çështje gjyqësore ka dy vjet që ka nisur. Është ngritur një padi absurde e kengëtarës Soni Malaj ndaj revistës “Shqip”, që unë drejtoj, për një shkrim të titulluar: “Soni e Mirko; dashuria që lindi nga një kërcim”. Shkrimi nuk është bërë nga unë por unë kam vendosur ta botoj, sepse jam i bindur që nuk përbën asnjë shkelje të privatësisë së këngëtares së njohur. Në të vërtetë, unë kisha folur me këngëtaren për të bërë një kopertinë më të dhe ajo s’ishte dakord. Pasi nuk kishte qenë asnjëherë në kopertinën e revistës “Shqip”, mendova se duhet të bëj diçka edhe për këngëtaren, për të cilën kisha dhe kam një konsideratë si njeri dhe si artiste. Këngëtarja, edhe pse biseduam bashkë, më drejtoi te një menaxher i saj, i cili ishte ai që paraqiste kërkesat për pagesë. Në atë periudhë, këngëtarja në fjalë kishte nisur t’u kërkonte shuma të konsiderrueshme pagese për të dhënë intervista. Me sa jam informuar, edhe gazetës suaj i ka kërkuar një shumë jo të vogël në këmbim të një interviste. Pasi u publikua shkrimi, një përfaqësues ligjor i këngëtares nuk ka rreshtur për muaj të tërë së ardhuri në zyrën time, në mënyrë konstante dhe insistuese. Qëllimi i tij ishte të bënim një marrëveshje me këngëtaren, duke e paguar atë më një shumë që ishte jo pak e vogël për një revistë. Unë, si drejtues i revistës “Shqip”, pasi e lexova me vëmendje artikullin edhe një herë, nuk pashë shkelje të privatësisë, as denigrim të figurës artistike të saj. Duket edhe nga titulli. Ndaj nuk pranova të bëja asnjë kompromis për pagesë, edhe për arsyen se Soni Malaj nuk mund të sillte një faturë tatimore për të bërë pagesën duke qenë se ka një jetë, që zhvillon aktivitet artistik fitimprurës pa pasur asnjë licencë dhe pa i paguar asnjë taksë shtetit shqiptar. Kështu avokati e drejtoi kërkesën në Gjykatë.
Dimë që ajo kërkon si dëmshpërblim shumën 8000 mijë euro me pretendimin për prishje imazhi. Si gazetar profesionist që jeni, mund të jetë cenuar reputacioni i saj?
Është një kërkesë absurde, sepse në këtë rast nuk është bërë një intervitë, por një shkrim, ku është cituar këngëtarja nga intervista të tjera të dhëna në televizion apo gazetë. Në padinë e saj cilësohet se kemi prishur imazhin pasi kemi shkruar që “Soni me Mirkon hëngrën pulë me pilaf natën e tyre të parë pas vizitës në shtëpinë e prindërve të Sonit”. Këtë fakt ajo e quan denigrim, edhe pse mua nuk më rezulton që “Pula me pilaf” na qenka prishje imazhi, ndërkohë që është një pjatë tipike shqiptare që shqiptarët e hanë më kënaqësi, përfshirë mua, sa herë më jepet mundësia. Madje, është edhe tradicionale për natën festive të Vitit të Ri. Ndoshta këngëtarja do të kishte preferuar që të vendosnim emra pjatash franceze, por ka qenë vete ajo që e ka thënë këtë fakt në një intervistë për «Vizion +». Përveç kësaj edhe pse përmendet historia e saj më një shtetas francez që është e ditur botërisht dhe e pasqyruar gjerë nga mediat, ne ishim të fundit që e përmendëm. Ndoshta Sonit i ka ardhur keq sepse nga revista mund ta ketë marrë vesh dhe Mirko, por unë besoj se ajo duhet të kishte qenë më e sinqertë për lidhjet e saj të mëparshme me të dashurin aktual.
Siç e përmendët më sipër, ajo ju ka kërkuar një shumë të hollash në shkëmbim të intervistës, fakt që nuk e përmend vetë në sqarimin e saj. Si ju tingëlloi kjo kërkesë?
Po, pas habisë sime, sepse nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë që të kërkojnë lekë për të dhënë një intervistë mbi karrierën, dashurinë e re dhe eksperiencën në “Dancing with the stars”, mbi të cilën ishte ndërtuar ideja pse pikërisht Sonin kishim vendosur për ta pasur në kopertinë, fola edhe me kolegë të tjerë gazetarë, të cilët më konfirmuan të njëjtin fakt… Që Soni Malaj nuk jep intervista pa qenë e paguar. Dhe shifra ishte tepër e lartë për një treg shqiptar. Më duket një rast i rrallë që asnjë artist shqiptar nuk e ka bërë deri më sot, aq më tepër në rastin e kësaj këngëtareje, që nuk është se kishte arritur ndonjë gjë në karrierën e saj në atë moment, përkundrazi. Për të ishte një moment shumë i vakët artistik për të mos thënë i dobët. Ka shumë kolosa të artit e muzikës shqiptare, që meritojnë të jenë të paguar sepse i kanë dhënë këtij vendi aq shumë sa konsiderohen në krenaritë tona kombëtare, dhe që kanë mirësinë dhe urtësinë të mos kërkojnë pagesa.
Dhe sa ishte shuma që këngëtarja ju kërkoi?
Nëpërmjet përfaqësuesit të saj, Soni kërkoi 2000 euro; shumë më tepër se për një koncert ku këndon “shukariet” e saj. Në padi pastaj e rriti shumën, në 8 milionë lekë të vjetër.
Çfarë faktesh nga jeta e saj pasqyrohen në atë artikull?
Shkrimi nuk përmban asgjë, që mund t’i prishë imazhin këngëtares, përkundrazi. Ndërkohë që ne jemi një revistë aktualiteti dhe qëllon shpesh të kritikojmë prezantues tele-vizivë, gazetarë të ekranit, këngëtarë, aktorë etj. Por për faktin se nuk ekziston tek ne një kritikë e mirëfilltë, e për më tepër duke u mësuar artistët të përkëdhelen nga gazetarët (që në shumë raste janë këngëtarët që u hedhin një sy të fundit shkrimit për ta), duket sikur ndaj Sonit është bërë një padrejtësi e madhe. Ndërkohë që është detyrë e shtypit të këtij sektori të shkruajë nëse një shfaqje është e arritur apo e dështuar, që një këngë është e bukur apo jo etj. Gjë që nuk ka ndodhur në rastin e Sonit, edhe pse ka pasur shumë për të thënë për sa i përket artit të saj muzikor. Edhe në këtë rast nuk do të ishte prishje imazhi, por një kritikë artistike.

Ajo çfarë e ka indinjuar më shumë këngëtaren, është përmendja në shkrim e lidhjeve të saj të mëparshme.
Nuk ka asnjë fakt, që përmendet për herë të parë. Fakte që vetë këngëtarja në harkun e viteve ka vendosur t’i bëjë publike. Pra, nuk është media që i ka bërë publike, por vetë këngëtarja, e cila në rastin me francezin bëri dhe një fejesë të madhe, të pasqyruar me foto nëpër faqet e shtypit rozë. Nëse Soni ndërron shpesh të fejuarit nuk është një problem imi, por i saj, derisa ajo e quan një problem. Revista “Shqip” vetëm i renditi. Nuk shoh asnjë arsye në rastin në fjalë që të të vijë turp nga e kaluara. E kaluara është një pjesë e rëndësishme e jetës së çdo njeriu dhe nuk është asnjeherë për të ardhur turp, edhe kur nuk je më dakord me të shkuarën tënde.

Ju e njihni personalisht këngëtaren? Dhe nëse do e lexoni atë shkrim pas dy vitesh që është botuar, do të rishkruhej sërish një shkrim i tillë?
Natyrisht që po, sidomos në ato raste kur nuk ka intervistë, është e drejta universale e publikimit që ma lejon ta bëj këtë. Si dhe shprehja e mendimit të lirë, derisa jetojmë në një vend të lirë. Ashtu si është edhe e drejta e këngëtares që të japë versionin e saj. Këngëtarja nuk është se mohon faktet, por thotë vetëm se ato i prishin imazhin, gjë për të cilin ajo duhet të kujdeset më shumë vetë sesa shtypi.
Gjatë punës suaj kemi pasur raste të tjera, kur një personazh publik ju padit në Gjykatë?
Jo. Është hera e parë. Dhe në këtë rast jam në Gjykatë jo si autor i shkrimit, por si botues i saj dhe kam vendosur që të shkoj vetë dhe të marr përsipër mbrojtjen e shkrimit, të cilin unë dhashë autorizimin për ta botuar.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here