Një nga personazhet e “Bluetooth” për sot do të jetë dhe Argjentina Ramosaj, bukuroshja 19-vjeçare nga Gjakova, që prej vitesh banon në Holandë.

Ndonëse që prej fëmijërisë së saj banon në një shtet të huaj, Argjentina nuk e ka harruar për asnjë moment gjuhën dhe vendlindjen e saj. Kjo gjë u vërtetua më së miri në klipin që ajo ka realizuar së fundmi në gjuhën shqipe në bashkëpunim me kompozitorin Flori Mumajesi dhe regjisorin Ardit Roshi…

Përmes kësaj interviste Argjentina na tregon se dashuria për artin ka lindur në të njëjtën ditë me të, pasi veç këngës Argjentina aderon edhe në botën e modës, lidhja me këtë sferë të artit vjen ndoshta dhe për shkak të trashëgimisë familjare, pasi nëna e saj, Suzana Mushkolaj, është një ndër fotografet më të njohura sot për sot në Holandë.

E shtyrë pikërisht nga ky pasion i madh, Argjentina ka vendosur të ndjekë studimet e larta në degën e dizajnit grafik. Zbuloni më tej sekretet e karrierës dhe jetës private të bukuroshes gjakovare, Argjentina Ramosaj…

Në radhë të parë komplimente për emrin e veçantë, kush jua ka vendosur dhe, a ka ndonjë lidhje me shtetin që mban po të njëjtin emër?
Faleminderit për komplimentin… Emri s’ka kurrfarë lidhje me shtetin e Argjentinës. Emrin ma ka dhuruar mami, Argjent (metal i çmuar).

Si ka qenë Argjentina fëmijë? Cilat kanë qenë ëndrrat dhe pasionet e saj dhe, a i ka realizuar ajo këto ëndrra?
Plot jetë, ambicioze, e lumtur… Ëndrrat e mia kanë qenë të ndryshme dhe janë në realizim e sipër.

Argjentina, si je bërë pjesë e botës së modës?
Krejt rastësisht, duke qenë se mamin e kam fotografe të talentuar dhe të njohur, ajo më ka mësuar hapat e para të modelimit, me fotot dhe këshillat e saj unë jam kthyer në një ndër fotomodelet më të kërkuara në Holandë.

Ç’do të thotë për ty të jesh e bukur?
Bukuria është një dhuratë e trashëguar, që të jep mundësi të depërtosh në fusha të ndryshme, kombinimi i saj me talentin dhe inteligjencën të dhuron në mënyrë të pashmangshme suksesin.

Sa rëndësi i kushton paraqitjes së jashtme?
Pamjes së jashtme i kushtoj shumë rëndësi, ajo është një pasqyrim i brendisë sonë, normal nëse ai person e paraqet veten me origjinalitet dhe stil personal…

Sa shpenzon për të?
Shumë…

Prej kohësh një modele, si ju lindi ideja për t’iu përkushtuar këngës?
Me muzikën, ndonëse më parë s’e kam shfaqur, merrem që në vegjëli, gjithmonë kam pasur një dëshirë të flaktë për të kënduar, muzika zë një pjesë shumë të rëndësishme në jetën time…

Me kë keni bashkëpunuar për realizimin e kësaj kënge?
Flori Mumajesi ishte kompozitori dhe producenti i këngës. Ndërsa për tekstin dhe realizimin e videoklipit është kujdesur Ardit Roshi. Janë djem shumë të talentuar që të dy dhe ndihem shumë e lumtur që kam bashkëpunuar me ta.
Po ideja e realizimit të videoklipit si ka lindur, ku është realizuar dhe cilët kanë qenë autorët?
Të gjitha meritat i takojnë Ardit Roshit dhe Flori Mumajesit. Videoklipi është një përshtatje me tekstin e këngës, që siç e thashë, është shkruar nga Ardit Roshi, i cili në këtë bashkëpunim ka pasur edhe rolin e drejtorit të krijimit për sa i përket klipit. Videoklipi është xhiruar në Tiranë dhe xhirimet kanë zgjatur rreth 3 ditë.

Cilat kanë qenë komentet që keni marrë për këngën?
Fenomenale, kënga ka pasur një sukses shumë të madh, madje më shumë nga sa unë kam pritur, për këtë arsye ndihem tejet e lumtur dhe e kënaqur…

Mendoni të vazhdoni në këtë fushë?
Absolutisht.

Nga 1-10, çfarë note do t’i vinit vetes?
Vlerësimin do t’ua lë njerëzve ta bëjnë.

Kujt ia dedikoni suksesin e deritanishëm?
Kuptohet, të fejuarit tim Valon Hoti dhe familjes sime natyrisht, që i dua pa masë.

Tani le të flasim pak për jetën private, kur e ka dhënë Argjentina puthjen e parë?
Kur kam qenë e vogël. (Qesh)

Cili është statusi juaj aktual në aspektin sentimental?
Jam shumë e lumtur dhe marrëzisht e dashuruar.

A i respekton i fejuari zgjedhjet tuaja?
Jo vetëm që i respekton, por më inkurajon dhe më përkrah në të gjitha aspektet, e kam shumë xhan.

A është ai xheloz?
Jo, ai është shumë progresiv dhe e njeh shumë mirë personalitetin tim, e di mirë që ai është mashkulli i vetëm që ia kam dhuruar zemrën. Ne jemi të fejuar dhe shumë të dashuruar me njëri-tjetrin, ky akt përbën një gjë shumë të shenjtë për mua.

Çfarë është dashuria për Argjentinën?
Është një gjendje e thellë emocionale, kombinim i respektit, lojalitetit, mirëkuptimit, përkrahjes dhe pasionit.

Cila është sakrifica më e madhe që do të bëje për hir të dashurisë?
Në dashuri nuk duhet të ketë sakrifica. Unë mendoj se sakrifica më e madhe që mund të bëjë një individ për dashurinë, është të jetë i sinqertë dhe i qartë në atë që kërkon dhe pret nga partneri, mendoj se në dashuri relacioni duhet të vihet në vend të parë.

Cila është motoja juaj në jetë?
Qielli është limiti.

Si i ka Argjentina marrëdhëniet me miqtë?
Shumë të afërta.

Marrëdhënia juaj me celularin si është?
Si të gjithë, të pandashëm.

Sa e përdor Argjentina Internetin?
Kur më premton koha.

Sa kohë ju ha facebook-u?
Nuk e di saktësisht, se jam aktive me kombinim me gjëra të tjera.

Ju ka shërbyer ai për të krijuar miqësi të reja?
Po, përmes facebooku-t kam njohur shumë miq të rinj dhe kam takuar miq të vjetër dhe farefis, i jemi mirënjohës teknikës së përparuar që na mundëson të jemi në kontakt dhe të bashkëpunojmë.

Modelingu
Ajo është e përfshirë në ngjarjet më të rëndësishme të modës në Holandë, dhe shumë prej dizenjuesve holandezë kërkojnë që ajo të jetë pjesëmarrëse në sfilatat e tyre. Ishte vera e vitit 2009 kur Argjentina u ftua nga fotografi i njohur holandez Willem Van Walderveen për të marrë pjesë në konkursin shtetëror holandez, si konkurrente për “Miss Univers”, konkurs nga i cili Argjentina fitoi shumë. Mes 2000 konkurrenteve ajo ia del të futet në gjysmëfinale e më tej në finalen e madhe. Edhe pse pritjet ishin shumë ambicioze, madje dhe pse Argjentina konsiderohej si një ndër favoritet kryesore të kurorës, asaj iu desh të pajtohej me rangimin e saj në Top-Ddjetëshe, që pa dyshim konsiderohet një sukses i jashtëzakonshëm i bukurisë shqiptare.

Fotografët me të cilët ka bashkëpunuar:
“Suzana Mushkolaj photography”, “Fadil Berisha photography”, “Hans Phetersen photography”, “Willem Van Walderveen photography”, “Otto Van den Toorn Photography”, “Ibrahim Farah photography”, “Marcel Zuurmond photography”.
Bashkëpunimet
Veç bashkëpunimeve të shumta me stilistë të njohur holandezë, Argjentina ka pozuar dhe për ikona të industrisë së modës si: Janice design, Glamour dhe Zahra Haute Couture./
Bluetooth/

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here