Argjentina Ramosaj, këngëtarja e cila së fundi shkëlqeu në festivalin ´Kënga Magjike´, duke fituar edhe çmimin ´Magjia e Parë´, thotë për Telegrafi.com se fama është gjë e bukur për një artist.

“Jeta ime ka ndryshuar shumë. Nuk ka shans të eci nëpër rrugë pa më njohur njerëzit, është një gjë shumë e çuditshme. Dhe i falënderoj të gjithë fansat që më përshëndesin dhe komplimentojnë gjithmonë. Fama është një gjë shumë e bukur për një artist.

Sa më shumë famë aq më shumë do të ketë njerëz që e dëgjojnë dhe e vlerësojnë muzikën, punën tënde”, është shprehur Argjentina.

Falënderimin më të madh për sukseset e saj ajo ia dedikon familjes së saj dhe të fejuarit Valonit, me të cilin tash e dy vite është duke bashkëjetuar.

“Ka dy vite që bashkëjetojmë. Dhe jemi shumë të lumtur me njëri tjetrin. Valoni është spontan, lojal, elegant, dhe shumë i dashur. Ne jemi sikur të martuar pasi që edhe bashkëjetojmë, por meqë jemi shumë të angazhuar ende nuk jemi duke menduar për martesë. Por dasma e ëndrrave të mija do të ishte në ndonjë bregdet të bukur”, ka thënë Argjentina.

Ajo thotë se çmimi “Magjia e parë” në festivalin “Kënga Magjike” ka ardhur si befasi e këndshme për të.

“Ishte një çmim befasues për mua. Kjo është hera e parë që marr pjesë në ndonjë festival dhe të fitosh çmim do të thotë shumë. ´Magjia e parë´ është një çmim që u jepet artistëve të rinj dhe unë jam shumë e lumtur jo vetëm për çmimin, por edhe për këngën që është pëlqyer shumë”, është shprehur ajo.

Argjentina, e cila përveç muzikës studion fotografinë në akademinë e arteve, aktualisht është në përgatitje edhe të tre këngëve të reja, dy prej të cilave janë këngë ritmike dhe një tjetër është baladë. Kjo e fundit, sipas këngëtares, do të realizohet në bashkëpunim me aktorin dhe këngëtarin Fatos Kryeziu. /Telegrafi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here