Një dhuratë e Zotit në çdo çast e mirëpritur nga ne”. Kështu e ka quajtur Argita Berisha ardhjen në jetë të djalit të saj të parë që pritet të ndodhë rreth katër muaj më pas.

Tre vajzat e saj, sigurisht e kanë bërë të ndihet një nënë e realizuar, por kënaqësia e saj është tejet e madhe sa herë merr një bebe në duar. Ndaj dhe ka “guxuar” sërish, për herë ta katërt.

Assesi s’i ka munguar djali. Së paku kështu thotë ajo vetë në intervistën e saj të parë ekskluzive, dhënë për revistën “PSIKOLOGJI” e cila nga sot ndodhet në treg.

Rrëfimin ia nis nga lajmi më i fundit, fëmija i katërt, por jo për të qëndruar vetëm këtu. Vajza e Kryeministrit i zbulon me detaje të 37 vitet e jetës së saj, që nga koha kur mbërriti në këtë botë, bazuar në tregimet e më të mëdhenjve, dhe deri tani, në ditët e ftohta të dimrit 2010.

Ka qenë dimër. Një dimër nga të rrallët në Tiranë, me borë…”, tregon Argita Berisha kujtimin e largët të 30 viteve të shkuara, kur ajo u bë me vëlla. Ka qenë një moment i veçantë për të, mbi të gjitha për faktin se ajo bebe e bukur, do të bëhej njeriu më i afërt i jetës së saj, për vite të tëra, s’ka gjë pse ndodhi një ditë, që u zemërua me të motrën, ngase ajo paskësh prishur zakonin… zakonin për t’i thënë gjithçka njëri-tjetrit… Ndodhi kur Argita u dashurua me burrin e saj të ardhshëm, dhe njeriu i parë të cilit iu rrëfye kish qenë e ëma. Jo vëllait, sepse i dukej i vogël. Në fakt ai ishte veç 13 vjeç, por dëshironte të merrte besimin që meriton një burrë. Por zemërimi kaloi. Argita kërkoi disa herë falje.

Argita Berisha u njoh me Jamarbër Malltezin në vitin e parë të fakultetit, kur studionin të dy. Mandej lidhja u bë e pazgjidhshme, edhe pse: “Asnjëherë nuk është folur për hapa konkretë që duhet t’i hidhnim në lidhjen tonë. Ato thjesht kanë ardhur.

Me përjashtim të martesës fetare që kemi bërë në xhami, një vit e gjysmë para se të bënim dasmën…” Po është martuar në xhami, sepse është besimtare, dhe qysh asokohe e mendoi si një veprim tejet serioz këtë hap. “Për atë kohë ishte një ceremoni shumë e rrallë. Ishte viti 1995 dhe në fillim u interpretua si një tekë e jona, edhe pse ishte një vendim shumë serioz”, thotë.

Pas martesës në xhami u bë dasma, u vesh fustani i bardhë… erdhën fëmijët. Planet e rinisë u përmbysën. Sepse, më parë, Argita Berisha nuk e kish menduar se familjen do ta krijonte kaq herët. Por, fati përgatit surprizat e veta. Kurse Argita s’duket të ketë ndonjë kundërshtim me fatin e saj. Jo vetëm familja i pëlqen, e është gati të sakrifikojë çdo gjë për të, por i pëlqen pikërisht e madhe, siç e ka… Mandej, jo vetëm në rast, gruaja e re, nuk ka ndjekur modelin bashkëkohor të vajzës.

Pas martesës nuk vazhdoi të identifikohet me mbiemrin e babait. Jo, Argita Berisha u bë Malltezi. Arsyeja?: “Abi e donte këtë gjë. Dhe unë e pashë si një plotësim të natyrshëm të një dëshire të natyrshme. Mamaja ime kishte bërë të njëjtën gjë… halla ime kishte bërë të njëjtën gjë… pse jo unë?” Dhe rrëfimi i Argita Berishës, vazhdon i plotë në revistën “PSIKOLOGJI” duke mos lënë jashtë as të atin, në raport me të, me vajzën, me djalin… me mbesat apo nipin që do t’i vijë së shpejti…/panorama/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here