Ajo që kanë kuptuar edhe moderatorët e kalibrit të Ardit Gjebresë, është se të bësh një prezantim të këngëve që do të jenë pjesëmarrëse në festival, nuk mjafton, sado cilësore qofshin ato.

Pjesa e show-t që krijojnë këngëtarët, është ajo që tërheq më shumë. Prandaj dhe këtë të diel, Gjebrea thuhet se do të përdorë një hile të vogël, do të ftojë në të njëjtën ditë për të prezantuar këngët e tyre edhe Rozana Radin, edhe Rezarta Shkurtën, raporton sot Panorama plus.

Tashmë është shkruar deri në detaje mbi konfliktin që lindi mes dy këngëtareve, qysh kur ato morën pjesë në një reality show, ku u duhej të bashkëjetonin për disa javë.

Konflikti vijoi më pas me kërcënime verbale, derisa një natë degjeneroi në dhunë fizike. Më pas, vajzat akuzuan njëra- tjetrën dhe iu drejtuan organeve të drejtësisë, kështu që emrat dhe fotot e dy artisteve i gjeje më shpesh në faqet e kronikës së zezë, sesa tek ato rozë.

Ndërkohë që çështja e zënies së tyre ka kaluar në Gjykatë, ku siç dihet seanca e parë nuk është zhvilluar ende, sepse Rozana edhe pse është akuzuesja, nuk është paraqitur. Ajo që vazhdon me sukses, është karriera e tyre muzikore.

Që të dyja kanë provuar shijen e suksesit te “Kënga Magjike” vitin e kaluar, kështu që kanë vendosur të jenë pjesëmarrëse edhe këtë edicion. Këtë të diel, vajzat do të performojnë këngët e tyre, por do të jenë të përfshira edhe nga lojërat që realizohen aty.

Të gjithë jemi kuriozë të shikojmë se si do të reagojnë dy këngëtaret, të cilat janë armike të betuara me njëra-tjetrën. A do ta shprehin ato këtë armiqësi apo do të jenë më të moderuara përballë kamerave? Për ta marrë këtë përgjigje, na duhet të presim deri të dielën.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here