Gjithnjë më shumë bashkatdhetarët tanë që jetojnë në shtetet perëndimore, po dëshmojnë se janë të denjë në shumë fusha, duke përfshirë sportin, muzikën por edhe në prezantimin e bukurisë shqiptare.

Rasti më i fundit është ai i Ardita Ukajt, kosovarja 21 vjeçare, e cila fitoi vendin e parë në “Miss Globe Swizerland”.

Deçanasja, e cila para 17 vjetëve migroi në Cyrih të Zvicrës aty ku edhe vazhdon të jeton, do të përfaqësojë Zvicrën në “Miss Globe International” që do të mbahet më 24 dhjetor në Stamboll të Turqisë.

Ajo në intervistën ekskluzive dhënë gazetës “Zëri”, flet për rrugën deri te shpallja Miss Zvicra si dhe planet e saj për të ardhmen.

Ke fituar vendin e parë në “Miss Globe Switzerland”. Si erdhi deri të kjo?

Ishte një konkurs për organizimin e “Miss Globe Switzerland” dhe pasi që tani çdo informatë shumë lehtë mund ta gjejmë në internet hyra dhe pasi i analizova disa gjëra, mendova që është një organizim mjaft i madh dhe më rëndësi. Vendosa të konkurroj dhe befas arrita të fitoj vendin e parë dhe tash të përfaqësoj Zvicrën në “Miss Globe International”

A keni marrë pjesë ndonjëherë përpara në ndonjë sfilatë apo spektakël bukurie?

Edhe pse kam pasur gjithmonë ftesa të shumta qoftë për sfilata apo konkurse të bukurisë, nuk isha e interesuar sepse më shumë isha e dhënë pas punës të cilën e bëj në Zvicër. Tani, pas fitimit të spektaklit “Miss Globe Switzerland”, jam duke punuar intensivisht me Monica Salinas e cila është instruktore profesionale dhe e cila ka bashkëpunuar edhe me Miss World të Perusë.

Sa ishte konkurrenca e fortë në “Miss Globe Swizerland”?

Një kohë të gjatë, Zvicra nuk kishte marr pjesë në këtë organizim dhe pas shumë vitesh, sivjet ishte një fillim tjetër për “Miss Globe Switzerland”. Organizimi shkoi në formë interviste nga ekipi i “Miss Globe Switzerland”. Mendoj që ka pas interesim shumë të madh dhe kjo u vë re qartë sepse koha e intervistimit të kandidatëve ka zgjat 2-3 muaj.

A ishit ju e vetmja kosovare në këtë konkurs?

Në “Miss Globe Switzerland” isha e vetmja nga Kosova. Por, jam e lumtur që në finalen e “Miss Globe International” do të jetë edhe përfaqësuesja nga Kosova, Mirjeta Shala nga Vushtrria.

Si ndihesh që një kosovare të përfaqësojë shtetin e Zvicrës në një garë botërore?

T’ju them me sinqeritet se unë nuk prisja të fitoj këtë garë në Zvicër, por pasi u bëra finaliste dhe e mora vendin e parë, jam shumë e lumtur. Sipas mendimit tim, kjo është një arritje e mirë për mua, por edhe për shqiptaret që jetojnë në Zvicër, sepse një shqiptare do ta përfaqësojë Zvicrën në finalen e madhe të “Miss Globe International”.

Kur do të mbahet finalja e “Miss Globe International”?

Finalja do të mbahet më 24 dhjetor në Stamboll të Turqisë. Nisja për në Turqi do të bëhet më 10 dhjetor, ku dhe më këtë datë do të fillojë kampanja në Stamboll. Në këtë garë do të marrin pjesë rreth 80 kandidate nga e gjithë bota.

Çfarë bën tjetër jashtë fushës se modës, punon, studion?

Është hera e parë që marr pjesë në një spektakël bukurie. Ky është fillimi im në këtë fushë, sepse siç thash më lart unë jam më shumë e orientuar nga puna ime, të cilën e bëj si përgjegjëse për shitjen e mallrave me pakicë të një butiku. Mirëpo, në të ardhmen e afërt mendoj që të studioj një degë të biznesit, që do të më ndihmoj për të arritur edhe më shumë suksese në punë dhe gjëra të tjera.

Cila është ëndrra juaj ?

Ëndrra ime për jetë është që t’i arrij qëllimet e mia në punë dhe në botën e modës. Nga ana e fushës së modës, dëshiroj që t’i ndihmoj vajzat e reja në zhvillimin e tyre dhe të marrin rrugën e drejtë në botën e modës./zeri/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here