Një vajzë me çorape deri në gjunjë, që kujtonte heroinën e filmave për fëmijë – Pipi Çorapegjatën, para një dekade kishte hipnotizuar publikun kosovar në Sallën e Kuqe.

Loja në piano me gishtërinjtë ende të njomë, atëbotë kishte nxitur duartrokitje që kishin përfunduar me laurimin e Ardita Statovcit me çmimin “Talenti Kosovar”.

Si pianiste që kishte ngritur në këmbë shumë prej sallave prestigjioze në të cilat kishte performuar, Statovci, sonte (e enjte), do të zërë përsëri mesin e sallës së vetme të koncerteve në Prishtinë. Tani jo si një vajze me çorape të gjata që kërkonte një çmim talenti, por si një pianiste me nam.

Fiks 13 vjet i kanë mjaftuar Statovcit të bëjë emër në skenën muzikore botërore. Përzgjedhja e saj më 2009 për t’u bërë imazhi i markës prestigjioze të pianove “Steinway & Sons”, është vetëm një prej sukseseve të saj.

Në një bisedë për “Kohën Ditore”, 28-vjeçarja Statovci e cila tash më shumë se një dekadë jeton në Austri – ka shpalosur eksperiencat e saj nëpër koncerte të mbajtura në mbarë botën. Në çdo koncert ajo thotë se publikut i bën nga një “dhuratë” – një copë nga historitë e epokave në të cilat janë kompozuar veprat që interpreton. Kur jep koncert në përgjithësi dhuron; dhuron emocionin, intelektin dhe epokën në të cilën ka vepruar kompozitori, duke krijuar kështu ura lidhëse me publikun, gjithnjë nëse ata kanë një gatishmëri për ta bërë këtë gjë”, ka thënë Statovci.

Por, jo çdo gjë shkon lehtë, para se të ngjitet në skenë. Ajo thotë se rruga deri ta dalja para publikut është një udhëtim shkencor. Duhet lexuar shumë para ekzekutimit të një vepre, si në fushën e filozofisë, psikologjisë dhe historisë që ka karakterizuar kompozitorin në epokën e shkrimit të veprës”, ka thënë Statovci, teksa ka shpjeguar edhe procesin e transformimit në një gjendje shpirtërore të caktuar.

Gjatë interpretimit shkencërisht është vërtetuar se qendrat nervore janë të aktivizuara të gjitha përnjëherë. Kur interpreton, përveç që aktivizohen një mori sistemesh, aktivizohet edhe një synim – që përveç mesazhit të kompozitorit t’i japësh veprës së caktuar nota personale, duke krijuar origjinalitetin personal”, ka thënë pianistja e njohur.

Megjithatë, edhe pse e koncentruar maksimalisht gjatë interpretimit, Statovci gjithnjë di të masë pulsin e publikut. Që një koncert të konsiderohet i suksesshëm publiku duhet të marrë me vete një pjesë të tij. Të tilla raste kam pasur në shumë koncerte”, ka thënë ajo teksa ka kujtuar edhe vendet në të cilat ka interpretuar.

Pa dyshim që kujtimet i ndalen në Kosovë.Në një koncert të hapur në Kosovë nuk kam performuar që nga viti 2006, edhe pse në tetorin e muajit të kaluar në kuadër të një manifestimi përkujtimor për 10-vjetorin e vdekjes së babait tim, profesor Ejup Statovcit, u paraqita me një vepër.

Por ajo që pres edhe në koncertin tim të radhës në kuadër të festivalit për Chopinin, është që të shoh një publik që më kanë ndjekur që kur isha fëmijë e që atëherë shikonin një talente ndërkaq tani – një profesioniste”, ka thënë ajo. Ajo i thjeshtëzon arritjet e saj, ndonëse janë të shumta.

Nuk jam as afër arritjes së pikës sime kulmore”, ka thënë ajo, teksa ka vazhduar t’i numërojë sukseset që iu kishin bindur një thënieje: përmes muzikës të arrihet një botë më e mirë. Përzgjedhja ime për të qenë një nga fytyrat e “Steinway & Sons”, e të cilin epitet e mbajnë emrat e mëdhenj të pianistëve ka qenë një ndodhi që më ka sjellë shumë satisfaksion.

Nuk mund të lë anash as bashkëpunimet që vazhdoj t’i kem me dirigjentë dhe pianistë të njohur si dhe numrin e madh të kritikave pozitive që kam marrë së fundi në një koncert që kam mbajtur në Dortmund të Gjermanisë”, ka thënë Statovci, teksa ka shpalosur koncertet që e presin pas atij në Prishtinë.Pas këtu do të performoj në një koncert në Itali, Austri, Berlin, Amerikë”, ka thënë e diplomuara në Universitetin Mozarteum për të vazhduar më pas ato pasdiplomike në Itali.

1 Koment

  1. Ardita,

    te lumte, je krenaria e Kosoves, si bije e prinderve te mire nuk
    mund te jesh ndryshe.

    Suksese te deshiron Luljeta nga Peja

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here