Një edicion special lajmesh i të shtunave në orën 23:00 në “Top Channel”, ku prezenca serioze e Ardit Roshit në një studio plot drita njëkohësisht shkon paralel me ironinë dhe sarkazmën që bën me lajme të zgjedhura nga Shqipëria dhe bota.

Që të kuptosh çfarë thuhet ekzaktësisht në programin “Pop Channel”, së pari duhet të njohësh shqipen me shumë kuptime. Folësi i lajmeve jo të zakonshme në “Top Channel” tregon për eksperiencën e re, ku realiteti dhe fantazia plotësojnë njëra-tjetrën.

Ardit, tashmë çdo të shtunë shfaqesh në “Top Channel” me programin  e ri “Pop Channel”. Përse do na i sugjeroje lajmet e tua, çfarë mund të besojmë dhe çfarë jo në to?
Besojini të gjitha, ose asnjërën! Në të vërtetë, gjithsecili e ka në dorë të besojë çfarë të dojë. Le të themi që lajmet tona nuk janë “të zakonshme”. Gjithsesi, çdo lajm yni nuk besoj se ka nevojë për ndonjë koment të madh. Ne përpiqemi që çdo gjë të flasë për vete. Dhe të gjithë si staf besoj se do ia dalim më së miri.

Në siglën hyrëse citohet që “programi i dedikohet një publiku specifik, situatat dhe personazhet janë fiksionale”. Ti si folësi “serioz” në këtë rast, çfarë publiku specifik ke parasysh?
Publiku është realisht shumë specifik. Ka një rregullë të pashkruar dhe shumë të rëndësishme për këtë program, dhe që është “Duhet të dish shqip!”. Realisht, programi është për të gjithë, pasi kudo, në çdo cep të Shqipërisë ka humor, ironi, sarkazëm dhe cinizëm, ndaj i përfshin të gjithë dhe nuk përjashton askënd.

Është ky formati yt i preferuar, si ndodhi që u bëre pjesë e projektit?
Le të themi që është diçka ndryshe, një sfidë e re, të cilën nuk e kisha hasur ndonjëherë më parë dhe me pëlqeu.

Cilat janë komentet që ke marrë pas edicionit të parë të lajmeve (nëse do i quanim kështu), po vërejtja që të ka prishur pak qejfin?
Si gjithmonë, ishin të mira. Vështirë të ndodhë të bësh ndonjëherë program të dobët dhe të tjerët të ta thonë. Një vërejtje që më bëri gjysma ime më e mirë, ishte vetëm një “mirë ishte”, por që unë e marr si sfidë për të përmirësuar çdo gjë të mundshme. Ama programi në tërësi është i mirë dhe na jep kënaqësi të gjithëve.

Ke ndonjë model prezantimi të këtij formati, cili është prezantuesi që ti dëshiron t’i ngjash?Nuk mendoj se kam pasur ndonjëherë qëllim t’i ngjaj njeriu. “Publiku” në jetën tonë të përditshme, ashtu si edhe ai që na ndjek nga ekrani, kërkon individualitete, as stampa dhe as kopje të ndokujt. Te paktën kështu mendoj unë…
Si djali i një profesionisti, që është regjisori Roland Roshi, cili është komunikimi artistik që keni mes jush?
Grindemi shumë, diskutojmë shumë gjëra, por nuk takohemi shumë shpesh këto kohë, sepse im atë është duke vënë në skenë “Monseratin” në Teatrin e Prizrenit në Kosovë.

Ndërkohe, je dhe tekstshkrues  këngësh e regjisor spektaklesh. Të pëlqen më shumë të shfaqesh në ekran, apo të jesh pas kuintave?
Vështirë të ngjasojnë me njeri-tjetrin këto profile. Le te themi që tekstshkrues u gjenda aksidentalisht, dhe u bë kohë pa shkruar këngë. Regjia është magjia e televizionit, e kinemasë, e teatrit dhe ka një vend të sajin shumë të veçantë tek unë. Sigurisht që edhe të dalësh në ekran ka avantazhet e veta, me sa thonë të paktën. (Qesh)

Pak me sipër përmende “gjysmën tënde më të mirë”… Përtej ftohtësisë që shfaq një spiker lajmesh, ti mund ta thuash nëse je i dashuruar?
Pooo. Pafundësisht! Do të shtoj vetëm diçka që është vetëm për një vajzë në botë, pikërisht gjysmën time më të mirë, 11/11./panorama/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here