Numëron shumë vite në skenë, aq sa për të rrëfyer prapaskenën e gjithë jetës së tij i duhet një jetë e tërë. Gjithsesi atë çfarë do të dëshironte çdo personazh publik i ekranit, ai e ka arritur. Tashmë është kthyer në personazhet më popullorë, për të cilin publiku gjithmonë do të dijë. Ardit Gjebrea ka vendosur të rrëfehet në një moment kulminant të “Kënga Magjike 2012”, ndërsa adhuruesit e muzikës i kanë kthyer sytë nga këngët e këtij festivali. Shumë rrallë i ndodh t’i dorëzohet rrëfimit me nge në ekran, dhe ndaj uljen në studion e “Takimi i Pasdites” të Rudina Magjistarit e ka cilësuar si një shërbim që po i bëhet atij, ndërkohë që në kaq vite program të “E diela shqiptare” është ai që u shërben të ftuarve të tij me intervista e biseda të drejtpërdrejta në ekran.

Për rrëfimin e tij shkak u bë edicioni i 14-të i “Kënga Magjike 2012”, ndërsa producenti i njohur i këtij festivali ka vendosur të flasë për veten përpara fillimit të “Kënga Magjike”, ku konkurrojnë emra të rinj e të njohur të muzikës në pritje të çmimit të madh sot në natën finale. Arditi ka lënë mënjanë tensionin e provave non stop në “Pallatin e Kongreseve”, duke pohuar: “Unë besoj se jeta të jep prioritete dhe ndaj besoj që jam në një prioritet, ndërsa jam ulur këtu të flas për jetën time. Duke folur për familjen, ai madje dhe u përlot, duke e veçuar këtë si rastin e parë të shprehjes së dobësisë në ekran. Ja për çfarë rrëfehet Arditi.

I bëra këngëtarët të votojnë njëri-tjetrin për t’i hequr këtë siklet vetes
“Sigurisht ethet e Festivalit tashmë që numërojmë orët, janë drejt fundit. Dua të theksoj që në momentin që hyjmë në provat e Pallatit të Kongreseve, emocionet largohen nga ne dhe u kalojnë këngëtarëve, të cilët përjetojnë ethet e paraqitjes skenike dhe se si do të priten në publik. Zakonisht në momentin që mbaron gjithçka e shpallen fituesit, unë gjithmonë pyes veten, po edicioni tjetër a do jetë kaq i mirë sa ky që sapo përfundoi?!  Këngët vijnë nga kompozitorë të ndryshëm, të rrymave të ndryshme dhe këngëtarët që votojnë për njëri-tjetrin do e kenë shumë të vështirë për të votuar. Kjo është një formulë që unë e kam bërë për të shpëtuar veten, pra për t’i hequr këtë siklet vetes në ndarjen e çmimeve. Por dua të theksoj që lënda e parë është shumë e mirë dhe ndaj fle i qetë natën. A do të mbeten hite nga ky festival? Patjetër, pasi është vetë publiku që i nxjerr në pah hitet. Po ashtu ka dhe këngë që zbulohen vonë. Një miku im këngëtar më ka pohuar: ”Ka disa këngë që janë si nëndetëset, ato dalin në një moment të caktuar në sipërfaqëse, aq sa çuditesh e thua: ua çfarë ishte kjo?!”

 Surprizat e natës finale sot
“Ka ende surpriza me performancat, që disa këngëtarë i kanë ruajtur për skenën e “Pallatit të Kongreseve”. Gjithsesi, në një natë finale, supriza më e madhe është emri i fituesit. Po sa i rëndësishëm është të jesh fitues?! Thjesht pjesëmarrja është një garë në vetvete, pra për mua mjafton të marrësh pjesë. E them këtë, pasi nuk është shumë e rëndësishme kush është fitues, sepse të gjitha këngët pas pak kohësh sigurisht mbahen mend fitueset, por shpesh kujtohen dhe ato që s’kanë fituar, si: “Kuturu” e Sandër Gjokës etj. Pra, theksoj që për mua të gjithë artistët që marrin pjesë janë të fituar, jo vetëm finalistët, por edhe gjysmëfinalistët”.

KM është sulmuar pasi nuk këndohet “live”, kështu e kam zgjedhur
“Në ‘Kënga Magjike’ ne u japim rëndësi performancave, pasi nuk këndohet live, dhe këngëtarët bëjnë qejf në skenë se nuk e kanë mendjen te mikrofoni. Madje është sulmuar KM për këtë fakt, por unë e kam sqaruar dhe e sqaroj që ky festival kështu është konceptuar dhe s’ka asgjë të keqe për këtë. Dua të nënvizoj faktin që mënyra se si xhirohen këngët janë gati si klipe dhe meritën e ka dhe regjisori Pali Kuke”. Gjithashu ai ka folur për skenografinë industriale të Gattiano Castelit, i cili sipas Arditit refuzoi të bënte “Sanremon” nga ngarkesa që kishte për momentin, dhe nuk i vuri kryqin “Kënga Magjike”. Duke bërë një reflektim, në fillimet e tij ai pohon:” Ajo që kujtoj me dhimbje nga fillimet e mia, është se askush nuk besonte në këtë sipërmarrje timen për të bërë festivalin e parë privat”. Më kujtohet që natën e parë ishin vetë 200 veta në sallë, natën e dytë 400 veta, natën e tretë salla u mbush. Kujtoj që mosbesimi i skeptikëve vinte në financimin e Festivalit, dhe mbaj mend që shpenzova gjithë kursimet e mia. Tani gjërat kanë ndryshuar, ka sponsorë që më kërkojnë që në fillim të vitit që të mos i lë jashtë festivalit. Në rrëfimin e tij ai tregoi se si e bindi skenografin e njohur italian, Gattiano Castello, për të realizuar skenën e “Kënga Magjike”.

Arditi përlotet në ekran: Do të dëshiroja që im atë të kishte njohur Anën  
“Babai dhe nëna ime më kanë influencuar në jetën time si artist”, – është shprehur Arditi në rrëfimin e tij intim për jetën si artist dhe marrëdhënien me familjen. “Nëna gjithmonë ka qenë në backstage dhe ëmbëlsia e dashuria e saj më kanë rrethuar e mbështjellë gjithë kohës. Ajo ka qenë një engjëll mbrojtës për mua në distancë. Nëse më thonë se jam i butë dhe kam komunikim të ëmbël e të mirë me njerëzit, e kam në sajë të nënës sime. Jam shumë i lumtur që jetoj në një çati me të, që më përcjell në mëngjes, e pas kësaj më shkon dita mbarë”, – u shpreh ai, një moment rrëfimi që e bëri të përlotej, ndërsa kujtoi dhe babain që s’jeton më. “Nuk më ka ndodhur asnjëherë një gjë e tillë në një studio televizive, por prekem ngaqë më vjen keq që im atë nuk mundi të shihte suksesin tim dhe të njihte Anën, që erdhi në jetë vonë. Vjen një moment në jetë ku kupton që gjithçka që bën njeriu, e bën për familjen. Jam shumë i lumtur që im bir Joni studion për Administrim biznesi në Vjenë dhe shkon shumë mirë me mësime, u shpreh ai i emocionuar. Do të pyesni ju pse u emocionova sot në ekran. Për gjithçka. Për prindërit, djalin, vajzën, bashkëshorten time që është një heroinë dhe më qëndron gjithmonë pranë. Në fund të fundit është familja që mbetet dhe tashmë që Jonin e kam me studime dhe mirë, i lutem Zotit për shëndet që të mund ta nxjerr në jetë dhe t’i siguroj diçka dhe Anës së vogël”.

Popullor në ekran? Nuk pretendoj të më duan 100 për qind
Arditi, i komentuar si një nga figurat më popullore në ekran, thotë se “jo vetëm unë por askush nuk pretendon që të jetë 100 për qind i dashur për publikun. Çdo njeri i ekranit ka fansat e tij dhe unë nuk pretendoj që të kem 100 për qind të publikut. E rëndësishme është që dhe ata që nuk të duan, të mund t’u japësh një mesazh pozitiv. Për ata që punojnë me mua, unë u kam borxh kohën që ata më kushtojnë dhe që s’mund t’ia japin familjes. Kohën s’ua kthej dot, ndaj unë u jap dashuri për t’ua bërë punën të bukur, edhe pse shpesh nuk e mohoj që jam i rreptë në punë”.

Rikthim në muzikë? Nuk premtoj për momentin
Por në këtë periudhë të punës së tij si prezantues i “E diela shqiptare”, Arditi ka munguar si këngëtar. “Janë shumë pak këngët e mia të kësaj periudhe, madje janë me pikatore, ato që kanë kënduar Juliana Pasha dhe  Genta Ismajli. Dua të them që është e pamundur të krijosh në një punë të tillë intensive në ekran. Unë jam me idenë e ciklit, çdo gjë ka ciklin e vet dhe kur Arditit t’i mbyllet cikli i moderatorit tek “E diela shqiptare”, atëherë mund të rikthehem sërish me një album të ri.

Burimi:PanoramaPlUS

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here