Këngëtarja Ardiana Rama, përmes një rrugëtimi të gjatë ia ka dalë mbanë për të bërë realitet një ëndërr: të përcjell emocion për publikun. Ajo, me ‘ekstravagancën’ e saj të hollë e të bukur, sikur po dëshmon katërçipërisht talentin e saj të lindur dhe pasionin e saj të madh për artin, përgjithësisht.

Ardiana Rama, së fundi, ka luajtur edhe në serialet televizive “Qyteti pa lumë” (RTK), dhe ‘Shtëpia ime’ ku ka shfaqur talent edhe në këtë lëmë. Për të gjitha këto, lexojeni intervistën në vazhdim.

Intervistoi: Agon Foniqi

Ardiana, duket se qysh e re tek ju është hetuar një talent, ose shumë talente; po ashtu duket se të gjitha kanë shpërthyer vrullshëm. Cilin talent do ta veçonit dhe cilit talent do t’i kushtoni më shumë përkushtim?
Është e vërtetë se qysh si fëmijë e kam dashur skenën, artin në përgjithësi. Muzikën e kam adhuruar dhe kam ëndërruar që në një të ardhme të jem në skenë (ja që ëndrra ngjaka të bëhet realitet). Do ta veçoja muzikën, sepse ka qenë dhe mbetet pasioni im.

Skenën muzikore e keni shkelur, pushtuar, qysh herët. Me cilën këngë jeni paraqitur. Ishte një rrugë e vështirë uvertura e ngjitjes dhe e ngritjes skenike?
Jam prezantuar për herë të parë me këngën “Mos më prek” në “Show Fest”, më 2004. Ishte një rrugë e vështirë, të cilën e përballova me pasion dhe dëshirë, por edhe me një dashuri dhe sakrificë.

A e keni hetuar se, megjithatë, rruga e artit është e gjatë dhe jo gjithherë e shtruar me lule, ose me tepih të kuq?
Të tillë e kam menduar, por sikur ekziston një ligj i pashkruar, se arti aq sa të sjell kënaqësi, po aq të sjell tundim, pak zhgënjim dhe shumë afirmim. Sikurse thashë, arti kërkon shumë sakrificë dhe shumë dashuri.

Mund të vlerësoheni edhe si këngëtarja e festivaleve, sepse për një kohë të shkurtër keni marrë pjesë, madje disa herë, në shumë festivale, si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë. A jeni krenare që ftoheni nëpër festivale?
Flm. për vlerësimin. Është shumë e vërtetë që kam qenë në disa festivale, sepse i dua ato dhe i çmoj, kurse ftesat për t’u prezantuar nëpër festivale të tilla sikur janë një konfirmim i vlerave që ke.
Pra, për mua festivalet mbesin një lloj gare artistike.

Pas këngëve “Baby Boy”, “Pse je xheloz”, pasojnë edhe këngë të tjera dhe suksese të reja. Si e përjetoni realizimin e një kënge?
Mund të them se realizimin e çdo kënge e pres me emocione dhe më pak, do ta quaja, tremë, ose më mirë të them përgjegjësi.

Ju kemi parë edhe në serialet “Qyteti pa lumë” dhe ‘Shtëpia ime’, në RTK. Si jeni ndier dhe a do të thotë se edhe aktrimi tashmë ju ka rrëmbyer?
Po, isha pjesë e këtyre dy serialeve. Ka qenë një eksperiencë e re për mua dhe mund të them që aktrimi më ka rrëmbyer në magjinë e tij. Zaten, arti, në njëfarë mënyre, është unik dhe fisnik.

Pas këtyre serialeve, sigurisht keni marrë ftesa të reja. A jeni vajzë e dilemave, apo gjërat i shikoni me prioritet?
Jo, nuk jam vajzë e dilemave, madje dilemat nuk i kam në qejf fare. Por, jam vajzë që gjërave u jap prioritet dhe në këtë prioritet mundohem të kem një rend. Pas këtyre serialeve, ju them se shumë shpejt do të më shihni edhe në projekte të tjera, mbase në role më të mira.

Dukeni një femër e qetë, e shoqëruar dhe e padjallëzuar, e me shpirt të butë dhe të pastër. A mendoni se femrat tashmë janë përfshirë nga një virus, që quhet xhelozi?
Jam një vajzë shumë e thjeshtë, por më pak çapkënllëk. Gjërat i marr shtruar, kurse po qe se gjendem para ndonjë sfide, e përballoj me dinjitet dhe dal fitimtare. Me një fjalë, mund të them se kam një ego të fortë, të cilën e vlerësoj si një virtyt te njerëzit.

Megjithatë, arti sikur është ilaçi më i mirë për ta luftuar xhelozinë?
Vaj halli për atë që e përfshin ky virus i pashërueshëm. Sa më përket mua, jam e kursyer nga ai virus dhe besoj se vazhdimisht do të kem imunitet që do të më shërbejë si një aureolë mbrojtëse.
Arti këtë mision ka. Ta mund të keqen dhe ta shpëtojë botën, sepse nuk thuhet kot se e bukura, si kategori artistike, i mund të gjitha të ligat. Dafina e lavdisë është e papushtueshme dhe e përjetshme, sikurse që është arti me tërë fuqinë e tij.

/Telegrafi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here