Arben Bajraktaraj është i vetmi aktor kosovar që do të përjetojë “ethet” e ceremonisë prestigjioze “MTV Movie Awards”.

Skena nga filmi “Harry Potter and Dealthy Hallows” – në të cilin Bajraktaraj luan përkrah Daniel Radcliff, Ema Watson, Rupert Grint dhe Rod Hunt – është nominuar për çmim në kategorinë “Best Fight”. Filmi me regji të David Yates do të garojë për këtë çmim përkrah me “Inception”, “Twillight Saga”, “The Fighter” dhe “Kick Ass”.

Ceremonia prestigjioze e ndarjes së çmimeve për film do të mbahet më 5 qershor në Los Angeles dhe do të bëjë bashkë yje të filmit, duke përfshirë Cameron Diaz, Jesse Eisenberg, Selena Gomez, Ryan Reynolds etj. Nikoqir i kësaj ceremonie do të jetë aktori e komiku i mirënjohur Jason Sudeikis.

The Twillight Saga: Eclipse” është filmi që kryeson me nominime për edicionin e sivjetmë (tetë sosh), pasuar nga “Inception” me shtatë.

Ndërkohë “Harry Potter…” përveç për “Best Fight” është nominuar edhe në pesë kategori të tjera, duke përfshirë edhe atë për filmin më të mirë.
Aktori kosovar Arben Bajraktaraj ka thënë për “Kohën Ditore” se nominimi për këtë çmim është vlerësim për punën e ekipit që ka realizuar filmin.

Është kënaqësi e madhe për ekipin. Është një lloj vlerësimi për punën tonë”, ka thënë Bajraktaraj, derisa nuk ka komentuar shumë sa i përket konkurrencës. “Le të fitojë më i miri”, ka thënë ai.

Për Bajraktarajn i rëndësishëm është fakti se regjisori ia ka besuar një rol të tillë. “Jam i nderuar që regjisori ka pasur besim në mua dhe më ka angazhuar për herë të dytë në një film të Harry Potter”, ka thënë Bajraktaraj. “Jam munduar të jap më të mirën nga vetja për rolin”, ka shtuar ai.

Bajraktaraj po ashtu ka thënë se nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “MTV Movie Awards”. Për këtë ka dhënë arsyetim. “Aktualisht jam shumë i zënë me xhirime dhe nuk mund të shkoj. Posa kam përfunduar xhirimet e një filmi dhe menjëherë do të fillojë me xhirimet e një filmi të shkurtër”, ka thënë Bajraktaraj, duke shpjeguar se do të sprovojë veten në rolin e astronautit.

Bajraktaraj, i cili është kryepersonazh i filmit kosovar “Heroi” të Luan Kryeziut, ka lënë të hapur mundësinë që të vizitojë Kosovën brenda këtij viti. “Në rast se jepet premiera e filmit brenda vitit, gjithsesi se do të vij në Kosovë”, ka thënë ai.

Arben Bajraktaraj është aktor kosovar, i cili ka 12 vjet që jeton në Paris. Aktori 36-vjeçar, i cili ka lindur në Isniq të Deçanit, ka prapa vetes një bagazh me filma të njohur anembanë botës, si “Harry Potter”, “Taken” e “Sex Traffic”.

Ai ka luajtur përkrah aktorëve, si: Liam Neeson, Famke Lanssen, Maggie Grace, Daniel Radcliffe, Rupert Grint, Emma Watson etj.Ndryshe filmi “Harry Potter and the Dealthy Hallows” është dhënë premierë vitin e kaluar dhe është pjesa e shtatë e serisë së filmave të bazuar në romanin me të njëjtin titull të J.K.Rowling.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here