Arbana Osmani shpallet zyrtarisht prezantuesja më e mirë dhe më me stil ndër prezantueset femra shqiptare.

Në prag të mbylljes së sezonit televiziv, një prej faqeve më të klikuara dhe autoritet i modës në Shqipëri, revista Anabel, zhvilloi një sondazh me pyetjen: “Kush ka qënë prezantuesja e veshur më me stil në këtë sezon”. Në këtë sondazh u përzgjodhën prezantuesit kryesorë të tre televizoneve më të mëdha dhe më të ndjekur sipas të gjithë sondazheve në Shqipëri.

Sipas kryeredaktores së revistës dhe administratores kryesore të faqes në Facebook, Dalina Buzi, sondazhi është shumë i besueshëm dhe ndihmon për të kuptuar trendin e preferencave të publikut ndaj prodhimeve dhe personazheve televizive: ” Përveç popullaritetit që gëzon faqja Anabel me mbi 60,000 miq, duhet theksuar që për shkak të përmbajtjes së revistës, e cila ka një përqëndrim të madh tek moda, shumë frekuentues të kësaj faqe janë të ndjeshëm ndaj modës dhe të aftë për të dhënë gjykime të logjikshme mbi konkurrentët.

Interesantja në këtë sondazh është fakti që votohet në vend të parë, një personazh që vazhdimisht ka ngjallur debate në lidhje me veshjen e saj. Ka qënë po ky publik që një ose dy vjet më parë në diskutime mbi veshjet e prezantueseve, e ka kritikuar shumë Arbanën dhe këtë rradhë e ka vlerësuar, që do të thotë se publiku në përgjithësi nuk është aspak paragjykues, përkundrazi një gjykues shumë i drejtë”. Sondazhi zgjati vetëm dy ditë dhe sipas Buzit, koha e shkurtër e zhvillimit të sondazhit, shmangu fushata që prezantuesit mund të bënin në faqet e tyre private në Facebook, duke shmangur “turmën” e fansave besnikë.

ARBANA: VISHUNI SI TË NDJEHENI MË MIRË
E njohur me rezultatet e sondazhit, Arbana u shpreh për gazetën Shqiptarja: “I falenderoj të gjithë ata që më kanë votuar për vlerësimin. Falenderoj revistën Anabel për këshillat dhe sugjerimet që herë pas herë shërbejnë si burim frymëzimi për mua ashtu si edhe për shumë vajza të tjera. Falenderoj edhe mikeshat e mia që më ndihmojnë të jem në formë çdo të shtunë dhe Top Channel që më ka ndihmuar në çdo zgjedhje të këtij sezoni. Uroj që të mos t’ju zhgënjej në të ardhmen dhe uroj të mos e merrni shumë seriozisht veshjen e askujt. Në fund të fundit, secili nga ne meriton të vishet ashtu siç ndihet më mirë. Një përqafim colorblock nga unë” Janë tre arsye përse Arbana u votua kaq shumë. E para, sipas komenteve, veshjet e saj ishin të kohës, kombinime të stilistëve më të mirë në veshje e këpucë si Alexander McQueen, Giuseppe Zanotti, Louboutin me marka popullore si Zara apo Mango. Shumë komentues gjithashtu theksuan se Arbana promovoi veshjen “tip”, duke rrezikuar me kombinime dhe duke e vënë theksin tek personaliteti i saj si një prezantuese e shkathët dhe inteligjente. Një tjetër arsye e këtyre votave është preferenca që publiku ka për të, duke e konsideruar prezantuesen e Big Brother dhe 1001 Pse? si më të mirën në Shqipëri. Arbana ka zgjedhur vetë garderobën e këtij viti dhe e mundësuar nga Top Channel, ajo ka blerë një pjesë të mirë të veshjeve të saj jashtë Shqipërisë, kryesisht në Milano dhe Firence.

MARINA, E PREFERUARA E MOTRAVE VJOLLCA
Një ngjitje që nuk pritej ishte ajo e Marina Vjollcës, e cila zuri vendin e tretë si prezantuesja e veshur më bukur. Ndërkohë motra e saj Luana qëndron në vendin e 10-të me 129 vota, më pak e votuar madje se prezantuese të tjera të reja. Votuesit vlerësuan kryesisht stilin e Marinës në emisionin “Procesi Sportiv” dhe pamjen e saj të ëmbël e romantike, ndërsa kritikuan Luanën për stilin e saj gjithmonë të ndryshueshëm dhe look-un agresiv. SURPRIZAT: ULPIANA LAMA DHE LIRA BURGIJA Lira Burgija, prezantuesja e re e Pasdite në Top Channel arriti të triumfonte mbi koleget e saj Rudina Magjistari dhe Anila Cela që kanë kohë që prezantojnë emisionet simotra si “Takimi i Pasdites” apo “Ora 5 p.m”. Lira u vlerësua për stilin e saj elegant dhe natyrshmërinë në prezantim. Por hyrja më interesante në këtë sondazh ishte ajo e Ulpiana Lames e cila këtë vit ndërmorri rolin e autores dhe moderatores së pjesës “talk-show” të spektaklit E diell. Ulpiana pati vlerësime të mëdha për stilin e saj, klasin por edhe inteligjencën në moderim. Në këtë sondazh Lama la pas prezantuese të njohura si Albana Osmani, Rudina Magjistari apo Luana Vjollca.

ALKETA VEJSIU DHE ENEDA TARIFA, PREZANTUESET MË TË KRITIKUARA
E renditur në vendin e parafundit, me 99 vota, Eneda Tarifa u komentua shumë për stilin e saj në Portokalli që sipas votuesve është “i vjetëruar” dhe shumë larg asaj që ajo ka treguar si këngëtare në evente të ndryshme. “Është shumë e lëkundur në stilin e saj, njëherë vishet si fëmijë dhe një herë ka stil mashkullor” thotë një komentuese. Ndërsa Alketa Vejsiu edhe pse e votuar në 5 prezantueset e veshura më mirë, u kritikua ashpër për veshjet e saj në edicionin e parë të X Factor. Shumë njerëz vlerësuan Alketën për pamjen dhe klasin “e pakrahasueshëm me të tjerë” siç dëshmojnë komentet, por shtuan se zgjedhjet në garderobën e këtij viti ishin të njëjtrajtshme dhe se nuk kishte asnjë kimi midis personalitetit të saj dhe ideve të stilistes Enada At’Nikolla që u mor me look-un e Alketës.

REZULTATET E SONDAZHIT
Arbana Osmani 1,151 vota
Amarda Toska 551 Vota
Marina Vjollca 504 vota
Xhemi Shehu 489 vota
Alketa Vejsiu 305 vota
Ulpiana Lama 261 vota
Albana Osmani 210 vota
Lira Burgija 167 vota
Rudina Magjistari 134 vota
Luana Vjollca 129 vota
Eneda Tarifa 99 vota
Anila Cela 32 vota

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here