arbanaosmani1Nëse ka diçka që nuk ndryshon kurrë në “Big Brother”, ajo është Arbana Osmani. Moderatorja e suksesshme do të drejtojë për të gjashtin vit radhazi reality show-n më të ndjekur nga shqiptarët, “Big Brother Albania”. E pyetur nga “Bluetooth” se si e ka kaluar këtë kohë të shkurtër pushimi, pas përfundimit me sukses të edicionit të dytë të “1001 Pse”, Osmani është përgjigjur kështu: “Pas përfundimit të ‘1001 Pse’, kam pasur shumë pak kohë për të pushuar, por e kam shfrytëzuar maksimalisht. Disa ditë në mal, Prishtinë, një javë në Berlin për Festivalin e Filmit, aq sa më duket sikur nuk kam pushuar fare”, – rrëfen moderatorja energjike.

Më tej, biseda rrjedh vetë dhe Arbana nis të tregojë për punën e saj në këtë edicion të gjashtë të “Big”-ut: “Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit, me formulën e ndryshuar të ‘Big Brother’, ndryshon edhe fokusi dhe puna ime bëhet pak më delikate dhe e vështirë. Gjithsesi, kam preferuar që edhe unë të mos i di sekretet, por t’i zbuloj aty dalëngadalë, bashkë me publikun, sepse unë ‘ Big Brother’ nuk dua veç ta prezantoj, por edhe ta jetoj me çdo emocion që ky spektakël transmeton. Nuk i kam takuar ende konkurrentët dhe nuk e kam parë ende studion, pasi kam qenë në udhëtim gjatë gjithë kohës”, – tregon ekskluzivisht për suplementin, ajo që nga shumëkush cilësohet si moderatorja më e mirë e ekraneve shqiptare.

Ndonëse ishte shumë e rezervuar në përgjigje, kërshërisë sonë për të zbuluar më shumë rreth spektaklit, as Arbana nuk i rezistoi dot. “Për veshjet këtë vit, bashkë me stafin e profesionistëve të look-ut që më ndjek, kam vendosur të promovoj artistët e rinj të modës në Shqipëri e Kosovë. Çdo natë do vishem nga një stilist i ri shqiptar, duke i mundësuar lançimin në një program me audiencë të madhe siç është ‘ Big Brother”. Shpresoj që veshjet të pëlqehen e të pranohen pa paragjykime, sepse janë vërtet ‘designer pieces’ të krahasueshme me emrat e mëdhenj të modës botërore që kam veshur vitin e kaluar. Kam parë shtëpinë e “BB” dhe është një mrekulli. Ah, edhe diçka: këtë vit këpucët e mia do të kenë taka”, – rrëfen Osmani me buzën në gaz, duke na zbuluar kështu një detaj të rëndësishëm të spektaklit, siç është dukja e saj gjatë të shtunave dhe arredimi i shtëpisë ku do të jetojnë për 100 ditë 16 banorët e përzgjedhur. Në fund, pak përpara se ta mbyllnim bisedën, e ngacmojmë Arbanën duke e pyetur “në ka menduar ndonjëherë të heqë dorë nga ‘Big Brother’”. – “E kam ende përzemër ‘ Big Brother’, sepse është një format që rishpik vetveten dhe stafi që punon për të janë profesionistë që unë i vlerësoj”, – ishte përgjigjja e saj e fundit, e cila u pasua nga ftesa për të ndjekur me vëmendje këtë vit “Big”-un, sepse do të ketë shumë ndryshim nga edicionet e mëparshme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here