Rrugës kur po shkonim për të intervistuar Anxhelinën po mendonim që do ta kishim të vështirë, se Anxhelina nuk flet, është tejet e ndrojtur.

Kjo na ishte fiksuar nga një intervistë e një viti më parë dhe vrisnim mendjen ça pyetjesh t‘i bënim. Por për çudi bukuroshja bionde na surprizoi.

Anxhelina ishte rritur dhe ishte shndërruar në një vajzë të shkathët që vetëm fliste. Këtë ia shprehëm sapo e takuam. Ajo na tha se edhe shokët e shoqet kur e kishin takuar pas kthimit e kishin vënë re ndryshimin dhe të gjithë i thoshin “E ç‘të bën Amerika…”. Ajo na tregoi gjëra interesante jo vetëm për jetën e saj por edhe për “Tokën e premtuar”.
Anxhelina dimë që je kthyer nga Amerika për këngën magjike? E le me kaq apo do shkosh prapë atje?
Do kaloj këtu edhe Vitin e Ri pastaj në janar do kthehem prapë në Amerikë.
Na trego pak si e ke kaluar këto muaj andej?
Unë nuk jetoj vetëm se Amerika është gjigande dhe është e vështirë për një vajzë të vetme në moshën time. Për fatin tim të mirë kam xhaxhain dhe për njëfarë kohe sa të mësohem do rri me ta. E kam kaluar mirë, jam marrë me shumë gjëra kam shëtitur, kam njohur njerëz, kam punuar, kam studiuar, jam stërvitur. Kanë qenë muaj të mbushur plot.
Je penduar ndonjë moment që ike? Je mërzitur?
Po, në fillim kisha vështirësi, mërzitesha se më merrte malli për familjen. Unë nuk jam larguar asnjëherë nga familja kaq gjatë dhe nuk isha mësuar. Po tani më ndryshe, u ambientova.
Më the që ke studiuar e ke punuar. Na trego pak më me detaje se jemi kuriozë…
Unë kam filluar dy kurse, njëri për kërcim dhe tjetri për aktrim. Gjithashtu kam realizuar dhe set-e fotografike si modele.
Pse zgjodhe aktrimin dhe kërcimin?
Duke mësuar të kërcej përmirësoj lëvizjet dhe performancat e mia në skenë dhe më pëlqen kërcimi. Kursi i aktrimit është një mënyrë për të zgjidhur një problem të vogël që unë kisha. Gjithmonë kur dilja në skenë isha tepër e emocionuar. Kështu menduam që një kurs ku unë do të mësoja të aktroja do më jepte siguri. Ishte një zgjedhje e mirë se unë e ndjej veten që jam përmirësuar goxha.
Po kërcen, po aktron, po pozon, ndërkohë edhe këndon. Të gjitha këto për të arritur çfarë një ditë? Cila është ëndrra jote më e madhe?
Të bëhem një këngëtare e suksesshme. Të gjitha gjërat që bëj më pëlqejnë po zemrën e kam tek kënga.
Po shkollën do e vazhdosh?
Vitin që vjen do futem në universitet. Vetëm se atje unë kam vënë re që të rinjtë nuk i japin shkollës rëndësinë që i japim ne. Për ata është e rëndësishme që të bëhen të aftë në diçka që i pëlqen, në diçka që kanë talent e janë të zotët. Ndryshe nga këtu që shkollën e shohin si detyrim, mbushet juridiku e ekonomiku plot dhe hajt… Këtu në Shqipëri duket sikur të rinjtë nuk kanë pasione, bëjnë shumica të njëjtat gjëra.
Po djemtë amerikanë si janë?
Në Los Angeles sidomos janë të gjithë të bukur, të kuruar me stil. Nuk sheh asnjë që të mos duket bukur si në fizik apo në veshje e krehje. Kujdesen shumë për pamjen atje dhe kjo gjë më pëlqen. Kur shkoj ndonjëherë rrallë në klube në shoqërinë e xhaxhait se mua nuk më lejojnë të futem për shkak të moshës i shikoj të gjithë veshur me shumë shije, me stile krejt të veçanta dhe o zot sa bukur kërcejnë…
Po në sjellje si janë? Të ndalojnë, të flasin, të bëjnë komplimente?
Çuditesha në fillim se jo vetëm djemtë po të gjithë njerëzit që jetojnë atje janë fare pa komplekse. Shumë të lirë në ato që bëjnë dhe ato që thonë. Kur po bëja setin fotografik edhe femrat më thoshin sa e bukur që je gjë që këtu nuk ndodh kurrë. Ose ta thonë por ndihet që nuk janë më sinqeritet. Po ashtu dhe djemtë. Një ditë kur shkova në fillim, isha ulur për një kafe dhe vjen më ulet një djalë në tavolinë, prezantohet e më zgjat dorën. Unë nuk ja jap dorën dhe i them se nuk dua ta njoh. Ai ngeli keq dhe e di si më tha “Ti qenke e paedukatë” dhe në fakt kishte të drejtë. Po unë nuk isha mësuar…
Tani ia jep dorën?
(qesh) Po po tani i jap dorën pastaj i kthej përgjigje për jo.
Pse gjithmonë për jo, nuk të ka pëlqyer ndonjëherë ndonjëri?
Jo se nuk më ka pëlqyer por unë nuk dua të futem në një lidhje se dua ta njoh mirë një njeri. Unë jam shumë e dashur dhe e çiltër, edhe e padjallëzuar si natyrë. Kam frikë se mund të më gënjejnë. Pastaj ka kohë, jam mirë kështu njëherë.
Cilat janë mënyrat për të ecur përpara atje në botën e artit?
Mjafton të kesh kontaktet e duhura. Funksionon çdo gjë me kontakte me të cilat po më ndihmon xhaxhai im i cili gjithë këto vite bashkë me të shoqen është marrë me modeling. Pastaj atje show biz-i të promovon vërtetë jo si këtu që merren me gjëra të cekëta si psh kisha veshur unë apo jo të brendshme…
Po si përfundim ti i kishe veshur apo jo?
Jo nuk i kisha veshur sepse fustani ishte i tillë që nuk duheshin. Po kjo më duket fare e parëndësishme për t‘u komentuar.
Po vipat atje si reagojnë ndaj paparazëve? Fshihen, ruhen?
Unë jetoj në Hollywood Hills ku banojnë një pjesë e madhe e yjeve botërore. Personazhe të njohur që i njeh e gjithë bota janë shumë të thjeshtë, dalin shëtitje, bëjnë pazar pa e pasur problem.
Ti ke takuar apo ke parë ndonjërin nga afër?
Aty ku unë bëjnë palestër vijnë herë pas here. Psh Kanye West stërvitet aty, një tjetër aktore e njohur e telefilmave për fëmijë (s‘më kujtohet emri për momentin)etj…
Ti si reagon kur i sheh? i kërkon foto apo autograf?
Jo sepse aty askush nuk e kthen kokën, secili sheh punën e vet dhe as mua pastaj nuk më vjen ta bëj. Megjithëse është kënaqësi të kesh afër njerëz kaq të njohur.
Po për në Shqipëri ke ndonjë plan pune?
Patjetër që po. Shqipërinë time nuk dua ta le kurrë pas dore. Ndoshta nga vera mund të realizoj një këngë. Të shohim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here