Anjeza Shahini rrëfehet…Zëri potent i skenës shqiptare, vjen këtë herë në një intervistë ndryshe, jashtë profesionit. Do të flasim për vitet e gjimnazit, që për shumë njerëz, ashtu si dhe për Anjezën, janë vitet më të bukura.

Një intervistë e mbushur me përgjigje të ndjera e nostalgjike. Për të mos ju zbuluar më shumë detaje nga rrëfimi, po ju lëmë ta shijoni atë vetë në vijim…

Si i kujtoni vitet e gjimnazit?
I kujtoj me shumë përzemërsi e mall. Ishin vitet e krijimit, e zhvillimit të personalitetit, të shoqërisë dhe në rastin tim edhe të një zgjedhjeje të rëndësishme profesionale, sepse ishte pikërisht koha që unë nisa të këndoj në skenë.
Çfarë ju bie më shumë në mend nga ajo kohë?
Më kujtohen mëngjeset e vona të miat, që shoqja ime e fëmijërisë, më vinte alarme që unë të kapja mësimin. Më bie gjithmonë ndërmend stafi pedagogjik që i kam dashur shumë sikurse ata mua, shoqëria si dhe oraret e pushimit që rrija në klasë ndërkohë që prisja për të përtypur ndonjë patatinë. (Buzëqesh)
Cila ishte lënda juaj e preferuar?
Që në 8-vjeçare kam pasur të preferuar lëndën e gjuhë-letërsisë, edhe në gjimnaz e njëjta gjë. Duke pasur fat për mësuesen që më kishte rënë, duhet të them që kjo gjë ndikonte shumë në preferencën e lëndës. Mësuesi i gjeografisë ishte gati një idhull për nxënësit për shembull, për mua veçanërisht, dhe kjo e bënte edhe lëndën më të dashur.
Po lënda që nuk e duronit dot?
Megjithëse kujdestarja ime ka qenë një njeri i veçantë e që e kam dashur fort, nuk arriti që shkencat ekzakte si fizika apo matematika të m’i bënte lënde të dashura, gjithsesi ishin orë që i bëja me qejf për vetë atmosferën që krijohej.

Sa orë në ditë mësonit?
Kohën e kam pasur shumë të kufizuar, duke qenë se që në vit të parë u angazhova me aktivitete. Ndoshta, prandaj dhe kohën që rrija në klasë mundohesha ta shfrytëzoja aq sa të përfitoja nga ajo kohë.
Çfarë notash merrnit zakonisht?
I kam marrë të gjitha notat duke nisur që nga 2-shi tek 10-ta. Nuk kam qenë e fiksuar pas notave, kishte momente që përkushtohesha dhe vlerësohesha ashtu sikurse ndodhte dhe e anasjellta.
Keni marrë ndonjë herë katër?
I kam provuar të gjitha notat.
Flet sot me shokët e shoqet e gjimnazit?
Sigurisht që po. Shumë prej tyre, janë diplomuar brenda ose jashtë vendit, disa janë pozicionuar nëpër vende të mira pune dhe kjo më bën të ndihem krenare për shkollën time. Dihet që të gjitha këto angazhime bëjnë që dhe ndonjëherë kur shihemi mezi njihemi, sepse të gjithë kemi pësuar ndryshime, megjithatë faleminderit kohës së internetit që mban marrëdhëniet shoqërore në kontakt.
Ç’marrëdhënie keni pasur me mësueset?
E përmenda dhe më sipër, më shumë se të mira. E quaj veten me fat për stafin e mësuesve që kam pasur përgjatë gjithë shkollimit tim. Mbi të gjitha, kishim marrëdhënie të mira sociale, mund të pinim edhe kafe e të diskutonim probleme personale dhe pse dinin të ishin po aq striktë gjatë mësimit. Ruaj një dashamirësi të veçantë dhe jam e bindur që kështu ndodh me të gjithë maturat e brezit ku kam bërë pjesë unë.
Dëgjonit muzikë atëherë?
Pafund, në pushim përfitoja për të dëgjuar në kufje dhe ndonjëherë i këpusja një vokalicë për t’i zgjuar të gjithë. (qesh)
Ju ngacmonin djemtë?
Të them të drejtën, kishim krijuar një marrëdhënie të tillë brenda mureve të shkollës që do më vinte për të qeshur ose çudi nëse ‘çunat e shkollës’ do ngacmonin.
Gjatë viteve të gjimnazit ju u bëtë e famshme, fituat “Ethet”. Si ndryshoi jeta juaj, si ndryshoi Anjeza?
Po, kam qenë në vit të dytë. Gjatë muajve të pare gjeta pak vështirësi të kombinoja kohën dhe imazhin nga Anjeza e shkollës në atë të skenës, megjithatë shumë shpejt e kapa veten. Fillova ta menaxhoja kohën, me ndihmën e të gjithëve sigurisht, sidomos të shoqes sime që përmenda më sipër, e cila më mbante në kontakt që mos të humbisja gjë. Ndërkohë që vazhdoja të shkoja në shkollë me po të njëjtat xhinsa, pa make-up-in që më bëhej në skenë. Kjo si fillim dukej e çuditshme mbase ngaqë dhe pritshmëria e të tjerëve ishte që unë do të ndryshoja dhe në shkolle, por them që i rezistova mirë tundimit të famës dhe moshës.
I keni pas lënë orët e mësimit?
Gjithmonë me leje dhe vetëm kur kisha vërtet punë ose orët e para, që i kam pasur gjithmonë problem prej gjumit të pakët që bëja.
Për çfarë ju bërtisnin më shpesh prindërit?
Nëse më e vogël kam qenë si një çun i papërmbajtshëm, mistrec, në gjimnaz u tjetërsova në një vajzë të qetë, kështu që dhe prindërit aty e kanë ndalur shqetësimin dhe nuk mbaj mend të më kenë bërtitur më.
Çfarë ëndërronit të bëheshit kur ishit në gjimnaz, për çfarë donit ta ndiqnit universitetin dhe si vijoi arsimimi juaj?
Që pas vitit të dytë unë u profilizova në lëndët e shkencave sociale. Në mes dyzimit ‘akademi’ apo ‘shkenca sociale’, unë zgjodha të ikja në Austri për 2 vjet. Atje isha një studente e jashtme në Universitetin e Muzikës Moderne. E gjitha më shërbeu edhe në aspekte të tjera, si p.sh të njihja kultura dhe koncepte të ndryshme, të jetoja vetëm, por edhe që të vendosja që arsimimi i ardhshëm do ishte në Shqipëri dhe ashtu bëra. Tashmë jam diplomuar për marrëdhënie ndërkombëtare në UET. Te shohim ç’do bëjmë në të ardhmen, pasi dihet që në këto kohë arsimi s’ka fund, por deri tani ndihem mirë me zgjedhjet që kam bërë./gazetahqiptare/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here