Është padyshim një nga vajzat më të ëmbla të ekraneve shqiptare. Një vajzë e cila në moshë fare të re është përballur me botën e spektaklit dhe ka ditur mjaft mirë të krijojë një personalitet të fortë.

Është përfshirë në këtë botë fillimisht pasi fitoi një konkurs bukurie e më vonë duke kapërcyer vazhdimisht vetveten. Starti drejt medias ishte pikërisht vlerësimi si një fytyrë mjaft e këndshme.

Por Anjeza Maja diti të tregojë se nuk është vetëm e bukur, por edhe një profesioniste e vërtetë. Këtë e ka dëshmuar jo vetëm në prezantim por edhe në punën e saj si redaktore e një prej emisioneve më të ndjekura dhe më serioze siç është “Opinion” i drejtuar nga gazetari Blendi Fevziu.

Edhe pse aktualisht e shkëputur nga puna në “Opinion, sërish Anjeza na tregon për atë kohë. Një kohë që i ka shërbyer shumë, siç pohon ajo, duke thënë madje se puna aty ka qenë një nga gjërat që ka ditur të bëjë më mirë në jetë. Anjeza Maja, të cilën këto kohë nuk po e shohim më në ekranin e “TV Klan”, tregon se nuk i dihet kurrë se kur mund të rikthehet aty. Eksperienca më e fundit televizive për Anjezën ishte ajo në spektaklin ‘Dancing with the stars”, për të cilën shton se “Isha më e zonja para se ta nisja garën.

Po me dy kërcime më shumë jam tani”. Anjeza, e cila është diplomuar për drejtësi, tregon për projektet e saj të ardhshme dhe marrëdhëniet me botën televizive. Kësaj tërheqjeje momentale duket se ajo nuk do t’i rezistojë gjatë, pasi thotë se për të televizioni është diçka që dashur pa dashur nuk i rri dot larg për gjatë. “Jeta televizive, është si magnet, që sado të përpiqesh ka një moment që të tërheq”.

Në përfundim të kësaj interviste për “Mapomadame”, Anjezën e kemi ngacmuar pak edhe për djalin e zemrës së saj, për të cilin ajo preferon të thotë vetëm kaq “Unë mund të kem në zemër dikë dhe nuk e kam në jetë. Disa të tjerë e kanë në jetë, por s’e kanë në zemër. Janë të komplikuara këto punë, ndaj më mirë t’i mbajmë për vete disa gjëra”.

Anjeza, cila është marrëdhënia juaj me ekranin sot?

Shumë dimensionale. Shoh sa herë kam kohë filmat e rinj që dalin (qesh). E kuptoj pyetjen tënde, e cila ka të bëjë me një marrëdhënie personale. Nuk kam ndonjë angazhim aktualisht. Le të themi se unë dhe ekrani po mendohemi pak për njëri-tjetrin.

Së fundmi nuk ju kemi parë në Tv Klan, cili është angazhimi që ju ka bërë ta “braktisni” punën aty?

Nuk e braktisa, në fakt. Nuk i dihet kurrë, mund të më rishikoni sërish aty. Ishte një moment kur kisha nevojë të merrja pak frymë jashtë botës së televizionit, e cila edhe të konsumon kur rri gjatë në të. Por është kaq e çuditshme jeta televizive. Është si magnet, që sado të përpiqesh, ka një moment që të tërheq.

Si ka qenë për ju fakti i të qenit redaktore përgjegjëse e një emisioni si “Opinion”, ku temat që trajtohen janë shumë të forta?

Gjëja më e mirë që kam ditur të bëj. Në fillim ishte një sfidë dhe dëshira për të punuar me një profesionist si Fevziu ishte sa ankth aq edhe krenari. Unë u rrita profesionalisht, por mendoj që kam dhënë shumë gjatë atyre viteve. Akoma ndonjëherë Blendi më telefonon për ndonjë emision të vjetër, sepse shpesh kam qenë kujtesa e çdo pune të bërë aty, për shkak se gjithçka do të kalonte në një mënyrë apo tjetër në dorën time.

Së fundmi duket se jeni prezente gjithnjë e më shumë në koncertet e PD-së… Cili është bashkëpunimi juaj me këtë parti?

Nuk e di pse jam e zgjedhura e kësaj force politike. Ata më telefonojnë dy ose tri ditë para dhe unë shkoj e prezantoj. Ata me siguri kanë arsyet e tyre se pse më marrin pikërisht mua. E bëj me kënaqësi prezantimin, sepse është ajo që dua më shumë të bëj. Disa duan të këndojnë, disa vdesin të komentojnë në Facebook. Bota është e larmishme dhe unë jam e lumtur për zgjedhjet e mia dhe tolerante për zgjedhjet e të tjerëve.

Jeni bërë e njohur duke fituar titullin ‘Miss’ e më pas ju kemi parë si pjesë e shumë programeve të njohura. Cila nga këto eksperienca ka qenë më sprovuese për ju?

Miss kam qenë atëherë kur ishte fashion ai spektakël. Tani është diçka e vjetruar, por për në atë kohë ka qenë diçka e bukur. Çdo eksperiencë në jetë është e vlefshme dhe s’ia vlen të pendohemi për asgjë.

Qysh në fillim është evidentuar bukuria juaj. Sa ju ka ndihmuar kjo gjë, sidomos në ekran?

Sa herë që ma kanë bërë këtë pyetje, nuk e ke idenë! Mendojnë që bukuria ime nuk ka bërë asnjë mrekulli me jetën time. Ndonjëherë më ka vënë në shënjestër, por sinqerisht, sa më shumë kalon koha aq më shumë normalizohet bukuria te një njeri. Do doja të kisha ditë të bukura, atëherë po, do thoja jam e bukur.

Nga një vajzë me kurorë Missi, në gazetare. Si ka qenë ky kapërcim, ta themi kështu, për ju?

Kapërcim normal ka qenë, janë vetëm të bukura. Ndodh që të kesh edhe tru bashkë me bukurinë. Jeta është kapërcim. M’u kujtua filmi “Eat,pray and love”. Është një moment kur protagonistja, që është Xhulia Roberts, po mëson italisht dhe jo pa qëllim thotë se fjala e preferuar në italisht është “attraversiamo”.

Të nisësh një karrierë në ekran nuk është asnjëherë e lehtë. Kush ju ka mbështetur më shumë në këtë rrugë?

Fati, familja. Domethënë dy F.

Anjeza, të jesh e njohur në një moshë të re, çfarë avantazhesh dhe disavantazhesh ka?

Njësoj është në çdo moshë. Mjafton të dish të kontrollosh ndjenjat dhe të organizosh mendimet.

A bëhet të qenit një person publik pengesë për të jetuar një jetë sa më normale?

Mund të jetë edhe e kundërta. Njoh shumë normale që e kanë bërë jetën e tyre anormale, duke u marrë me personat publikë. Gjynah!

Anjeza, së fundmi ju pamë pjesë e spektaklit “Dancing with the Stars”. Si ishte të provoje edhe pistën e vallëzimit?

Emocionuese.

E quan veten një kërcimtare të zonjën pas gjithë atyre provave?

Isha më e zonja para se ta nisja(qesh). Po me dy kërcime më shumë jam tani.

Së fundmi, a mund të na thuash nëse ka një njeri në zemrën tuaj?

Ka shumë njerëz në zemrën time. Por ti do të thuash a kam të dashur? Pse ka rëndësi kjo gjë? Është kaq private dhe delikate. Unë mund të kem në zemër dikë e s’e kam në jetë. Disa të tjerë e kanë në jetë, por s’e kanë në zemër. Janë të komplikuara këto punë, ndaj më mirë t’i mbajmë për vete disa gjëra.

Çfarë është lumturia për ty?

Lumturia për mua është diçka e cila vjen dhe hyn në jetë përmes dyerve të cilat ne as që mbajmë mend që i kemi harruar të hapura.

Gjërat që s’do bëje kurrë në jetë?

Të shpifja!

Femër lind apo bëhesh?

Të dyja!

Si i shihni femrat shqiptare sot?

Femra shqiptare duket që ka evoluar, kërkon më shumë nga vetja, është më ambicioze.

A është bukuria sot një nga gjërat që shitet më kollaj?

Jo, e ke gabim. Shpirtin po e shesin më kollaj në këto kohë.

Më mirë një iluzion i bukur apo një realitet që dhemb?

Më mirë një iluzion i bukur.

Frika juaj cila është?

Të humbas ata që dua.

E mendoni plakjen?

Jo. Kurrë!

A mund të ketë njeriu vetëm një dashuri të madhe?

Do Zoti, jo!
/Jonida Hitoveizi MAPO/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here