Momenti kur lançon diçka të re është përherë emocionues”, e nis rrëfimin e saj Anjeza, vetëm pak orë pas promovimit të këngës së saj më të re. Është një këngë që vjen në hapësirën e duhur kohore, sidomos nëse merret parasysh që efekti i këngës “Ti dhe unë” ndihet ende.

Anjeza Shahini është një nga zërat më të mirë e më premtues të muzikës moderne shqiptare. Ajo vjen në këtë intervistë për të na treguar diçka më shumë për videoklipin e këngës “Të desha shumë”, por edhe për veten e saj. E kujdesshme në jetën e saj private, Anjeza ka ditur përherë të shfaqë vetëm vlerat si artiste, pa i përzier këto dy fusha. Në fakt të gjithë jemi kuriozë për të ditur diçka më shumë për të.

Në këtë intervistë ajo flet edhe për dashurinë, për atë sesi e sheh veten mes karrierës dhe familjes, ëndrrave dhe realitetit. Momente nga fëmijëria, nostalgji, por edhe pjesë nga e përditshmja e saj, Anjeza i tregon çiltërsisht për “Mapo”-n. Gjithashtu Anjeza, që ka bërë një nga përfaqësimet më të mira të Shqipërisë në Eurosong, shprehet për këngën e Rona Nishliut: “Atë që Rona dha në skenën tonë, besoj se do ta japë edhe atje. Nëse do të jetë më mirë se unë, këtë nuk e them dot deri në momentin që bëhen votimet”- vazhdon më tej këngëtarja e talentuar.

Anjeza, keni bërë promovimin e klipit dhe këngës suaj më të re “Të desha shumë”. Çfarë emocionesh ka një këngë e re?

Ky videoklip është sjellja e një kënge të re, për të mbajtur publikun në kontakt të vazhdueshëm me atë çka unë bëj. Është një këngë që ka pak kohë që është bërë. Është një këngë e Endrit Shanit, me tekst të motrës sime dhe videoklipi është realizuar nga “Sebastian Production”. Kisha një kohë të gjatë që po e mendoja dhe kemi rreth një muaj që po përgatitemi për klipin. Mendoj se duhej diçka e re pas videoklipit “Ti dhe unë” dhe mendoj se edhe koha është mjaft e përshtatshme.

Si i përjetoni këto emocione, komplimentet apo edhe kritikat sot?

Është emocionuese, sepse gjithmonë ke ankthin kur sjell diçka të re, nëse njerëzit do ta pëlqejnë apo jo. Momenti kur lançon diçka të re është përherë emocionues. Kur rezultati është pozitiv, ndihesh më mirë sigurisht. Sa i përket kritikave, që nga promovimi deri tani kënga është pritur shumë mirë. Nga komentet që kam marrë deri tani cilësohet si një nga këngët më të mira që kam sjellë në treg. Kjo është dhe arsyeja pse lë hapësira, që ajo që sjell t’ia vlejë. I kushtoj kohë diçkaje që bëj, duke parë me detaj çdo gjë. Është përgjegjësi të sjellësh një këngë të re për publikun.

“Të desha shumë”, duket në fakt shumë personale. A është në fakt kjo këngë një dedikim dashurie për dikë?

Është për të gjithë ata që janë të dashuruar, por është një këngë që flet për një personazh, e cila edhe pse ka ikur diku, kthen kokën pas dhe kupton që ka dashur dikë shumë. Tekstin e ka shkruar motra ime, kështu që nuk ka lidhje personalisht me mua.

Keni qenë përherë e kujdesshme në materialet tuaja muzikore. Në fakt, sa e vështirë ka qenë të krijosh një stil të veçantë në një kohë që gjithçka duket kaotike në këtë drejtim?

Është ajo që thashë pak më sipër. Unë lë gjithmonë dhe marrë kohën e duhur përpara se të sjell diçka të re. Dua që në këngët që sjell të jem sa më origjinale, edhe pse kjo mund të më lërë në “backstage” për pak kohë.

Sa kohë duhet për të bërë një këngë të re? Cila është pjesa më e vështirë, të themi?

Pjesa më e vështirë është që unë të adaptohem me atë që është krijuar. Që nga momenti kur merr këngën në studio dhe deri te realizimi i klipit janë moria e gjithë detajeve që e bëjnë të vështirë. Realizimi i videoklipit, sa përshtatet me këngën, sa të bashkohen idetë e të gjithëve në grup për këtë, bëjnë që një prurje e bukur dhe e veçantë të kërkojë një kohë specifike për t’u krijuar.

Ende sot jehona dhe arritja juaj në Eurosong përmendet në çdo fundvit, kur shpallet fituesi i ri RTSH-së. Dua të di çfarë mendoni për këngën e Rona Nishliut sivjet?

Kam qenë që në momentin e parë shumë pozitive. Është një këngë që më ka dhënë shumë emocion. Me po këtë emocion pres ta shoh edhe në “Eurosong” dhe shpresoj që kështu të pritet edhe nga publiku europian. Është një këngë shumë emocionale, zëri i Ronës nuk besoj se ka nevojë për koment, për fjalë mendoj. Fakti që kënga është ribërë në Los Angelos, besoj se është diçka që premton. Atë që Rona dha në skenën tonë besoj se do ta japë edhe atje. Nëse do të jetë më mirë se unë, këtë nuk e them dot deri në momentin që bëhen votimet. Megjithatë, shpresoj që të jemi në finale dhe të përfaqësohemi denjësisht. Më rëndësi ka që të dalim mirë, sesa pozicionimi në klasifikim.

Ikja e viteve mes suksesit dhe rritjes profesionale, si e ka ndryshuar Anjeza Shahinin si person?

Mendoj se si person mund të kem ndryshuar, sepse të gjithë njerëzit ndryshojnë me kohën. Kjo ka lidhje me çdo gjë që i ndodh njeriut për t’u rritur. Por mendoj se karakteri është i lindur dhe thjesht zhvillohet, por nuk ndryshon. Të jesh i njohur ose e famshme nga ana tjetër mendoj se të bën më të përgjegjshëm, të ndihmon të rritesh më shpejt, të marrësh përgjegjësi më të mëdha. Asgjë tjetër, veç asaj që duhet të jesh më i kontrolluar. 

Duke u rritur të gjithë bëhen pak nostalgjikë për fëmijërinë. A ju ndodh edhe ju kjo gjë?

Mua më ndodh gjithmonë. E kujtoj fëmijërinë si një moment shumë të bukur, koha më brilante për mua. Vërtet që kam pasur një fëmijëri shumë të bukur. Ajo kohë gjithmonë shijohet, sepse nuk mendon ç’do të bësh në të ardhmen. Ka qenë koha kur loznim jashtë. Ndonjëherë kthehemi dhe në këto vite.

Si ka qenë fëmijëria juaj Anjeza? A kishit idhuj në atë kohë?

Po kur kam qenë fëmijë imitoja gjithmonë mamin tim. Shkaku ishte  sepse mami këndonte dhe unë doja që të bëhesha si ajo.

Çfarë muzike ju ka pëlqyer në adoleshencë?

Kam dëgjuar gjithmonë shumë rryma…  Përgjithësisht kam dëgjuar këngëtarët të cilët i këndoja (duke qenë se në kohën e adoleshencës kam qenë tek Ethet). Dëgjoja shumë Houston, Turner, Mariah Carey, po edhe rryma të tjera, si rrok, pop p.sh. Roxete, BSB, Briteny Spears, si të gjithë me pak fjalë.

Anjeza, si është një ditë e juaja e zakonshme?

Gjithmonë me të papritura… Nëse planifikoj të rri në shtëpi, më qëllon që duhet të dal me tuta të shkoj diku ose e filloj ditën vonë në orën 12. Ditët normale janë ato kur bëj takime, shkoj në prova, fundjavat live dhe takimet me miqtë.

Angazhimet që ju lodhin cilat janë?

Janë ato kur bëhen shumë angazhime bashkë. Mbivendosja e tyre më lodh, të bësh shumë gjëra në të njëjtën kohë.

Kur nevrikoset Anjeza kush duhet të ketë frikë?

Përgjithësisht mundohem ta kontrolloj veten. Megjithatë, kur nevrikosem frikë duhet të ketë ai që më bën me nerva (qesh).

A qani shpesh? Çfarë ju bën të derdhni lot?

Jo qaj nuk jam tip që qaj shpesh. Qaj njëherë për të gjitha kohët. Duke qenë tip nostalgjik, kujtimet më bëjnë ndonjëherë të derdh lot ose kur largohet dikush, ndonjëherë edhe ndonjë këngë…

Anjeza, si i keni marrëdhëniet me kuzhinën? Ju pëlqen të gatuani?

Më pëlqen shumë të gatuaj, por më vjen shumë rrallë rasti për ta bërë një gjë të tillë. Kur gatuaj gjërat që i bëj vetë më shijojnë shumë (qesh).

Anjeza, jeni më shumë klasike apo sport?

Sport gjatë ditës, klasike mbrëmjeve.

Çfarë i thoni vetes sapo çoheni nga shtrati? Keni një frazë me të cilën nisni ditën?

Nuk dua të flas me asnjë në telefon.

Anjeza, vërtet jeni dashuruar me një të huaj?

Nuk dua të jap asnjë lloj komenti për dashurinë. Mendoj se është diçka shumë personale.

Çfarë është dashuria për ju?

Është një idealizëm që ndonjëherë edhe e besoj.

Jeni realiste në këtë pikë apo ju pëlqen të ëndërroni?

Nuk besoj se ka njerëz që nuk ëndërrojnë, por mua më pëlqen të jem me këmbë në tokë.

Në jetën e një femre çfarë ka më shumë rëndësi karriera apo familja?

Mendoj se më shumë rëndësi, padyshim që ka familja.

Jeni tradicionale apo më tepër “open mind”?

Unë jam tradicionale për gjërat që duhet të jem. I respektoj mendimet e të tjerëve dhe mendoj se jam mendjehapur për ato gjëra që duhet. Jam shumë e lirë në mendime dhe nuk kam paragjykime. Tradicionale më shumë jam për gjërat që lidhen me familjen./mapo/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here