Anjeza Branka është një nga këngëtaret simpatike të skenave tona, e cila përherë di të vijë ndryshe dhe të befasojë publikun.

Vetëm pas këngës së publikuar këtë verë “Të kam xhan”, Anjeza do të vijë me dy klipe dhe këngë të reja, të cilat janë bashkëpunim me një kompozitor të huaj.

Gjithashtu, ajo është duke përgatitur dhe albumin saj të ri. Anjeza vjen në këtë intervistë duke mos folur vetëm për projektet e saj si artiste, por edhe jetën si nënë. Shpesh nuk është e lehtë që të jesh një nënë në karrierë, por Anjeza ia ka dalë të vendosë një balancë.

Pavarësisht punës, ajo tregon se gjithë kohën e saj ia ka kushtuar djalit të saj, për të cilin teksa tregon nuk mund të mos buzëqeshë. “Është një fëmijë i mbarë dhe i zgjuar. Madje shpesh më pyet se përse nuk gjej një punë ditën”, thotë këngëtarja për të birin, i cili tashmë e ka kuptuar së nëna e tij është e njohur.

Anjeza, si ishte vera që sapo lamë pas sa u përket koncerteve?

Ishte një verë shumë e mirë. Unë në përgjithësi jam një person që nuk më pëlqen të qahem dhe madje nuk duroj dot ata njerëz që janë të pakënaqur vazhdimisht. Jam e kënaqur me punën dhe falenderoj Zotin për çdo gjë që kam, si në punë ashtu edhe në sferën personale.

A ka ndikuar kriza ekonomike tek artistët?

Është normale që të ndikojë. Sa më përket mua, e thashë edhe më sipër që jam e kënaqur.

Cila është oferta më e lartë që të është bërë për të kënduar?

Normalisht nuk është se ka ndonjë ofertë super të madhe, por janë në nivele të mira. Në diasporë nuk ndodh kurrë që të jenë oferta më të ulëta se 1500 euro, ndërsa në Shqipëri, në varësi edhe të sezonit, jo më pak se 1000 euro.

Kënga jote e fundit titullohet “Të kam xhan”. Kujt ia dedikon?

Ua dedikoj të gjitha çifteve të lumtura dhe vetes sime.

Një klip joshës e bën më të kërkuar një këngë?

Varet gjithmonë nga kënga besoj, nuk ka lidhje vetëm klipi. Ka shumë raste kur mund të bëhen klipe mjaft të bukur, apo joshës, po nëse kënga nuk shkon te publiku, atëherë ai mbetet thjesht një klip i bukur. Duhet të jenë gjithë komponentët të mirëmenduar që një këngë të ketë sukses.

Cilat janë projektet e tua të radhës?

Aktualisht po punoj shumë. Kam në dorë dy këngë të reja, për të cilat po bashkëpunoj me kompozitorë të huaj. Këto këngë do të kenë dhe klipe dhe besoj do të jenë një surprizë për publikun. Gjithashtu, po përgatis edhe albumin tim të ri, të cilin shpresoj ta nxjerr në treg shumë shpejt.

Anjeza, njihesh si një nga këngëtaret më në formë. Si ndihesh kur të komplimentojnë?

Mund të them se tani më është bërë diçka e zakonshme. Trupin në formë e kam pasur gjithmonë, nuk është se diçka ka ndryshuar. Megjithatë, nuk mund ta mohoj që ndihem mjaft mirë, si çdo femër, kur komplimentohem.

Anjeza, si janë ditët e tua, duke pasur parasysh që jeni edhe nënë?

Ditët e mia pak a shumë janë njëlloj. Çdo mëngjes çoj djalin në kopsht dhe shkoj ta marr në orën 4. Gjatë këtyre orëve mbaroj punët e shtëpisë apo detyrimet e tjera që duhen bërë. Pasi e marr djalin, nuk ka ditë mos ta çoj te lodrat, bashkë me nënën time. Mund të them me plot gojën se ia kam dhuruar kohën tim biri. Shohim kukullat bashkë… me pak fjalë, për çdo gjë që ai ka nevojë unë jam afër tij.

Çfarë e bën të vështirë jetën e një nëne në karrierë?

Do të kisha dëshirë që në shumë raste ta çoj vetë tim bir në gjumë. Kjo mund të them është një nga vështirësitë kur je nënë. Të mos jesh gjithmonë pranë fëmijës tënd, por e thashë më sipër, unë veç rasteve kur jam në punë, gjithë kohën ia kushtoj atij.

Kush ju ka ndihmuar më shumë në gjithë këtë rrugë, të themi?

Familja ime. Veçanërisht im atë, që më ka mbështetur gjithmonë dhe vazhdon të më mbështesë. Njëkohësisht mbështetje e madhe për mua ka qenë edhe partneri që kam në krah, Landi.

Si i ke marrëdhëniet me djalin? A e kupton ai që nëna e tij është e famshme?

E vetmja gjë që mund të them është se është një fëmijë shumë i mbarë. E kupton shumë mirë që nëna e tij është e famshme. Madje ndonjëherë më thotë ”pse nuk gjen një punë ditën”(qesh). Pastaj mua (meqenëse fëmijët sot janë më të zhvilluar sesa kemi qenë ne), më duhet t’ia shpjegoj me imtësi sesi është puna e një këngëtareje dhe pse më shumë këndon në darkë dhe jo ditën.

Dihet se tashmë ju keni një raport të lumtur me partnerin tuaj, që është njëkohësisht edhe menaxheri juaj. Si është ky raport në çift dhe në karrierë?

Ajo që më bën të ndihem mirë është fakti që ai më mbështet gjithmonë. Më kupton, edhe pse nuk është aq e lehtë në profesionin tim, por avash-avash ia ka dalë të më mirëkuptojë. Nuk është e lehtë të jesh partneri i një femre që e njohin të gjithë, që kanë dëshirë t’i flasin të gjithë etj. Megjithatë, jam me fat që kam pranë një njeri si ai.

E mendon martesën me të?

Unë jam femër dhe si çdo femër në momentin që ka një lidhje apo që dashurohet me një mashkull e mendon ta ketë tërë jetë në krah. Unë them që jetës nuk i dihet asnjëherë. Rëndësi ka ajo që kam tani, mirëkuptimi, respekti dhe dashuria.

Si i ka raportet ai me djalin tuaj?

Kanë marrëdhënie shumë të mira dhe më bëhet qejfi për këtë raport.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here