Nga “Kënga Magjike” mori si kujtim kupën e kantautorit më të mirë, me këngën “Ku je ti”, një çmim i bukur për rockerin kosovar, i cili konkurronte për herë të parë. Në këtë intervistë, Andos Sinani zbulon sekretet e djalit të lakmuar nga femrat
Kjo ishte hera jote e parë në garë te “Kënga Magjike”. Si u përballe me votimin e këngëtarëve, kishte nga ata që të zhgënjyen në votim, po ti vetë sa të vështire e pate të votoje kolegët?  
Të jem i sinqertë me ju, nuk jam fiksuar fare pas faktit se kush më ka votuar, ose jo. Kur pashë listën që isha në finale, ai ishte lajmi më i mirë për mua, për të mos përmendur faktin që mora një çmim mjaft prestigjioz. Ndërsa për mua personalisht procesi i votimit ishte shumë shumë i vështirë, pasi ishte edhe hera e parë që votoja kolegët. Pastaj fakti që njoh shumicën e këngëtarëve, e bënte dhe më të vështirë votimin, gjithsesi  shpresoj të jem treguar korrekt me votat e mia.
Konkurrove në “Kënga Magjike” me këngën me titull “Ku je ti”. I dedikohej dikujt?
Jo në mënyrë direkte dikujt. Mund të them “Ku je ti” është fraza më kryesore e këngës, e cila është përkthyer nga versioni anglisht që i është përshtatur dhe versionit shqip shumë. Vendosa t’ia lë kështu titullin këngës, pasi i shkon disi edhe natyrës së saj. Pse hyre në garë me këngëtarët e tjerë në “Kënga Magjike”, çfarë pretendoje nga kjo garë?
Hyra në “Kënga Magjike”, pasi nuk kisha marrë pjesë asnjëherë më parë dhe mendova pse të mos e përjetoj dhe emocionin e “Kënga Magjike”. Mbi të gjitha shpresoja që kënga të pëlqehej nga publiku, e pastaj çdo çmim ishte i mirëseardhur.
Cilët do të veçoje mes pjesëmarrësve si konkurrentët më të fortë në zhanrin tënd rock?
Para se të merrja pjesë, dëshiroja pjesëmarrës në garë shumë kolegë të zhanrit tim në këtë edicion të “Kënga Magjike”. Besoj që ky festival, si një ndër festivalet më të mira që kemi në skenën tonë muzikore, ka nevojë për pjesëmarrës më të shumtë të zhanrit rock.
“Ku je ti” vjen pas asaj me titull “Ti je ajo”, në bashkëpunim me DJ Dalool, që në fakt ishte një këngë ritmike. Zakonisht frymëzohesh nga jeta jote personale për këngët e tua?
Në shumicën e rasteve po, meqënëse në rastin e këngës “Ti je ajo” më është dashur disi t’ia përshtas melodisë tekstin, që e kam pasur më herët, derisa sa erdhi momenti për ta bërë këngë.
Pas prezantimit në “Kënga Magjike”, cilat janë komplimentet apo mesazhet që ke marrë nga femrat?
Shumë të mira. Besoj se kam marrë komplimente mjaft të sinqerta, pasi edhe kënga është e sinqertë dhe e thellë si muzikalisht, ashtu dhe në vargje. Të paktën sipas mendimit tim kam punuar shumë dhe jam munduar t’i jap sa më shumë emocion këngës, në mënyrë që dhe ata që e dëgjojnë,  ta përjetojnë njësoj siç e kam përjetuar vetë këngën gjatë realizimit të saj.
Duke të parë në skenë, fansat duan të dinë më shumë për ty. Cila është jeta jote jashtë muzikës, ku këndon “live” dhe a je duke jetuar një lidhje dashurie?
Jeta ime jashtë muzikës nuk është edhe aq aktive “Live”, mirëpo tani, pasi të kompletoj grupin tim, besoj që do të jem më aktiv me koncerte. Për sa i përket lidhjes së dashurisë, mund të them që jam ende “Free Spirit” .
Nga historia e kësaj kënge dukesh si një djalë i lënduar. Në jetën reale të ndodh të lëndohesh nga dashuria, po ti a i lëndon lehtë femrat?
Jo edhe aq. Kjo përgjigje vlen për të dyja pyetjet. burimi:panorama

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here