Ai është i njohur si këngëtar i rrymës rrok, por herë pas here i pëlqen të eksperimentojë me muzikën e tij.

Deri tani ka pasur bashkëpunime të suksesshme si me këngëtarin e njohur Gent Bushpepa, por edhe me Dj DALOOL. Kënga e tij e fundit “Ti je ajo”, është kthyer në një nga këngët më të pëlqyera të verës dhe e ka bërë muzikën e Andos edhe më të njohur në tregun shqiptar.

Andos Sinani së fundmi ka vendosur të marrë pjesë për herë të parë në festivalin “Kënga Magjike”, me një këngë që vjen si bashkëpunim me Alban Skënderajn. Për kureshtarët djali simpatik thotë se deri diku kjo këngë është një dedikim. “Është një tekst, të cilin e ndjeva disi, një tekst që i shkon edhe natyrës së këngës. Po mos t’ju gënjej tani që edhe ne nuk kalojmë nëpër kriza. Sigurisht që po”. Ndërsa sa i përket muzikës sot këngëtari i ri shprehet: “Jo. Sot nuk bëhet muzikë më e mirë. Më ndryshe po. Nuk është edhe aq e pastër dhe e sinqertë si dikur”. Andos në këtë intervistë flet edhe për raportet e tij me vajzat, ku pohon se joshet shumë nga mënyra sesi buzëqesh një femër, si dhe bëhet romantik vetëm atëherë kur femra e meriton diçka të tillë.

Andos, është hera e parë që merrni pjesë në “Kënga Magjike”?

Po. Është hera e parë që marr pjesë në këtë festival.

Çfarë prisni nga ky festival dhe përse vendosët të merrnit pjesë pikërisht në një garë të tillë, ku artistët votojnë njëri-tjetrin?

Të jem i sinqertë, unë nuk marr pjesë në festivale për të fituar apo për të qenë në garë me këngëtarët e tjerë. Nuk po garojmë për miliona euro apo për një shumë tjetër të madhe parash. Për mua është shumë e rëndësishme të pëlqehet kënga që kam prezantuar. Sigurisht që edhe çmimi është një plus, mirëpo mbi të gjitha për mua është i rëndësishëm vlerësimi i këngës sime në festival.

Ju trembin miqësitë e artistëve?

Jo edhe aq, pasi sigurisht që ndajmë një botë të njëjtë artistike, nëse mund ta them kështu. Mua më pëlqen të kem miqësi me artistë të vërtetë, të cilët edhe krijojnë materialet e tyre, jo ata që duan famën më shumë se krijimtarinë që bëjnë.

Keni bashkëpunuar me Alban Skënderajn për këngën tuaj. Si lindi ky bashkëpunim?

Unë me Albanin jemi miq shumë të afërt dhe për shkak të kësaj miqësie unë u ndjeva shumë rehat t’ia besoj Albanit tekstin shqip. Kjo sepse këngën unë fillimisht e kam bërë në versionin anglisht, pastaj shqip. Albani e ka përkthyer. Bashkë kemi punuar me tekstin, mirëpo merita më e madhe i shkon Albanit për tekstin. Muzika mbetet si punë e imja. Ia besova Albanit, pasi besoj që Albani është një ndër tekstshkruesit më të mirë që kemi tani.

Ka ndonjë dedikim të veçantë kjo këngë?

Jo. Është një tekst të cilin e ndjeva disi, një tekst që i shkon edhe natyrës së këngës. Po mos t’ju gënjej tani që edhe ne nuk kalojmë nëpër kriza, sigurisht që po(qesh).

Keni pasur mjaft bashkëpunime me artistë shqiptarë, si Gent Bushpepa… A priten më mirë duetet sesa këngët single, sipas teje?

Duetet janë gjithmonë interesante për mua. Besoj edhe për publikun, mirëpo edhe këngët solo kur janë të mira kanë të njëjtin rezultat.

Kënga “Ti je ajo” me DJ DALOOL është kthyer në një hit. E keni pritur që kënga juaj të bëhej kaq e kërkuar?

Jo edhe aq në këtë nivel, mirëpo gëzohem shumë që u vlerësua kënga dhe u pëlqye. Kemi punuar shumë me Daloolin për këtë dhe vazhdojmë të punojmë. E di që kemi rrezikuar të dy, pasi kemi stile të ndryshme muzikore, por të dyve na pëlqen të eksperimentojmë muzikalisht. Pastaj thamë pse jo, ta provojmë diçka të tillë.

Suksesi i një kënge ju motivon më tepër për punë apo ka raste kur thjesht keni dëshirë të shijoni frytet e punës suaj?

Të dyja, duhet të them. Gjithsesi besoj që luan më shumë rolin e motivimit, pasi nuk është se mund ta shijosh edhe shumë në tregun tonë suksesin e këngës, fatkeqësisht.

Ju këndoni rrok. A ka shumë adhurues në Shqipëri kjo rrymë?

Po, unë besoj që ka. Vetëm se në rrok artistët duhet të ofrojnë sa më shumë material, që të kenë sa më afër dhe publikun. Sigurisht që është rritur edhe kualiteti edhe konkurrenca e artistëve të zhanreve të tjera.

Cila është diferenca që vëreni mes muzikës që bëhet në Kosovë dhe asaj në Shqipëri?

Këto vitet e fundit nuk është se dallon shumë. Ka ecur mjaft mirë edhe krijimtaria e artistëve nga Shqipëria është bërë më moderne. Gjë që është me rëndësi për një artist, që të ecë pak edhe me kohën.

Mendon se sot po bëhet muzikë më e mirë?

Jo. Më ndryshe po; më e mirë më duhet të them që jo. Nuk është edhe aq e pastër dhe e sinqertë si dikur.

Andos, si i keni raportet me femrat?

Jo edhe keq (qesh).

Jeni ju ai që i kërkoni ato, apo ndodh e kundërta; janë femrat të parat që ju gjuajnë dhe duan të dalin me ju?

Mund të them se ndodhin të dy rastet.

Çfarë ju josh më shumë te një femër?

Mund të them se joshem pas buzëqeshjes. Mënyra sesi një femër buzëqesh tregon shumë rreth saj, ndaj ky është detaji i parë që vërej.

Për një rroker shpesh thuhet se mungon romanticiteti. Ju si jeni? A bëni shpesh gjëra romantike?

Mundohem edhe të jem ndonjëherë, nëse është vajza e duhur.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here