Gazetat rozë në Itali kanë dalë me tituj “Amici 12”, Lamtumirë Belen, Stefano e Anbeta!”

Por balerina shqiptare, që ka bërë një karrierë për t’u admiruar në Itali, pohon se këto janë thjesht thashetheme, pasi ajo do të jetë përsëri te “Amici”.

E gjithsesi këtë herë balerina me famë në Itali, Toromani, i ka çuditur gazetarët ndërsa ka vendosur të japë një konferencë për shtyp për një çështje krejtësisht private, mes saj dhe ish-të fejuarit, modelit Oni Pustina.

Pasi nuk kanë mundur ta zgjidhin vetë këtë çështje, ajo ndodhet në Tiranë për 24 orë, pasi dje ka humbur përfundimisht çështjen gjyqësore me Pustinën.

Pas apelimit të çështjes nga Toromani, proces që u mbyll në janar të këtij viti në favor të Pustinës, Gjykata e Apelit ka zhvilluar dje një seancë duke lënë në fuqi sërish vendimin e Gjykatës së Tiranës, e duke mos i dhënë mundësinë e rikthimit të parave, që balerina pretendon se ai ia ka marrë me mashtrim pas bashkëjetesës 6-vjeçare.

Një vendim gjyqësor i shpallur pak para mbylljes së vitit 2011 rrëzoi pretendimet e balerinës Toromani për të shpallur të pavlefshëm kalimin e disa kuotave kapital të saj në një shoqëri në emrin e modelit Pustina.

Bëhej fjalë për dy kuota kapitali të shoqërisë “EU 2008” sh.p.k. nga paditesja Anbeta Toromani tek Fatjon Pustina, kuota me vlerë 11.507.813 lekë.

Pasi ka dalë e humbur dhe e zhgënjyer nga kjo procedurë gjyqësore e hapur ndaj ish-të fejuarit të saj, ajo është detyruar të japë një konferencë për shtyp në “Sky Tower” në Tiranë, ku u ka kërkuar ndihmë publikisht instancave më të larta shtetërore për të vendosur drejtësinë, dhe rikthimin e shumës së parave që ajo pretendon se Pustina ia ka vjedhur me falsifikim dokumentesh nga llogaritë e saj bankare. Ja çfarë ka rrëfyer Anbeta…

Ke hapur një proces gjyqësor ndaj ish-të fejuarit Pustina, dhe tashmë drejtësia shqiptare e mbyll në favor të tij. Si ndihesh?
Ndihem vërtet e zhgënjyer. Ky proces mbyllet në favor të tij pasi ka falsifikuar dokumentet. Për këtë arsye unë depozitova më datë 18 qershor një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Tiranë, dhe apelova çështjen, por sërish gjykata e mbylli procedurën në favor të tij. Ndihem vërtet shumë e shokuar, pasi këtu bëhet fjalë për marrjen e parave të mia nga personi në fjalë, pa të drejtë. Pra, nuk bëhet fjalë për para të trashëguara nga familja ime, por për shuma që i kam fituar me mund e sakrificë në 10 vite punë. Këto janë të ardhurat e jetës e sime.

Sa është kjo shumë parash për të cilën flisni?
Fjala është për vlerën 11.507.813 lekë.
Ndërkohë që ju keni bashkëjetuar për gjashtë vite, dhe po ashtu Pustina ka pasur pretendime se keni kontribuuar të dy për vënien e kësaj pasurie. Ç’mund të thuash ti vetë?
Unë vërtet nuk e kuptoj se pse ky njeri pretendon të jetë kontribuues në vënien e këtij kapitali, ndërkohë që kam qenë vetëm unë ajo që kam investuar me punën time. Dua të di se si i ka vendosur ai këto para dhe nga i ka marrë, duke ditur mirë për të ardhurat e tij gjatë bashkëjetesës sonë, dhe faktin që kur kemi jetuar bashkë në Itali, atë e kam mbajtur unë me paratë e mia. Theksoj që Fation Pustina nuk ka pasur asnjë llogari bankare, asnjë pronë… Asgjë nuk është në emër të tij, sepse çdo gjë është e imja.
Ai në fakt nuk është prononcuar asnjëherë për këtë fakt. Po ti si do e etiketoje veten në të gjithë këtë histori ndarjeje, që është acaruar duke mbetur tek paratë?
Unë nuk preferoj të përdor fjalën “viktimë” për veten se nuk më pëlqen aspak kjo fjalë, por në këtë rast kjo është e vërteta, dua apo s’dua unë. Unë erdha posaçërisht dhe ngela shumë e shokuar nga procesi gjyqësor. Nuk e di nëse dikush prej jush e ka provuar të gjendet në këto pozita, por vërtet nuk e prisja që një çështje kaq serioze të trajtohej në këtë mënyrë nga drejtësia. Nuk dua të mendoj që ka pasur ndërhyrje gjatë procesit, por dua të mbaj shpresën gjallë që kjo çështje të zgjidhet, edhe pse besimi deri diku më është zbehur.
Në çfarë momenti janë prishur marrëdhëniet tuaja me Onin, dhe si i dhatë fund kësaj lidhjeje?
Lidhja jonë mori fund në shtator të vitit 2009. Di të them vetëm që ndërkohë që ai qante dhe ndiente dhimbje për ndarjen, nga ana tjetër kishte mendjen se si të më merrte paratë.
Cilat kanë qenë komentet që ke marrë në lidhje me këtë çështje parash, të ka surprizuar ndonjë person me qëndrimin e tij?
Po, Adi Krasta, prej të cilit nuk e prisja, pasi më njeh që të vogël. Kam ngelur e zhgënjyer ndërsa e pashë në një intervistë me Plattinet. U çudita që, komenteve të Plattinet me superlativa për mua, ai iu përgjigj me një batutë të tipit “Mirë, mirë fol për Anbetën ti, por ajo po i humbet gjyqet këtej…” Dua të ma shpjegojë Adi Krasta se ç’ka dashur të thotë me këtë batutë.
Ndërkohë që në lidhje me karrierën tënde është shkruar në gazetat italiane se nuk do të jesh më në spektaklin “Amici”. Si është e vërteta?
Do ta konsideroja thjesht një gossip. Çdo vit unë shkëputem nga “Amici”, sepse çdo vit shkëputem nga kontrata e cila nënshkruhet vetëm për një sezon. Dhe besoj që do lidh kontratë të re në sezonin e ri.
Duhet thënë se kjo është hera e parë që një personazh i njohur publik jep konferencë për shtyp për një çështje kaq delikate dhe private. Pse e bëre?
Po e vërtetë, pasi unë jam një person që i evitoj gazetarët, jo se nuk kam respekt për punën tuaj, por se gjithmonë mendoj se nuk kam asgjë për të thënë. Në këtë moment mendoj se kam diçka që duhet ta them, dhe është e vetmja mënyrë për të folur e për të ngritur pluhur. Unë dua të më ndihmoni. Përfitoj nga ju që të bëj një thirrje duke filluar nga Presidenti, Kryeministri, ministri i Drejtësisë, Prokuroria apo Gjykata të vendosin drejtësinë në çështjen time. Zgjedh këtë mënyrë se nuk kam njohje personale me ta, dhe nuk mund të gjej ndonjë mënyrë tjetër për t’i kontaktuar.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here