Është një nga fytyrat më të bukura të ekranit. Një damë e vërtetë e spektakleve. Një prezantuese e lakmuar.

Një biznesmene. Një grua e realizuar jo vetëm në karrierë, por edhe në familje. Ajo është Amarda Toska dhe mund të themi pa frikë se është një prej personazheve më të dashur të show biz-it shqiptar.

Me sharmin dhe elokuencën që i ka gjithmonë me vete, Ami, siç të gjithë jemi mësuar ta thërrasim tashmë, i përgjigjet pa teklif secilës prej pyetjeve që i drejtojmë. Është veshur si gjithmonë me shije. Ka bërë një tualet të lehtë dhe rrezet e diellit që i përkëdhelin kokën ia shtojnë edhe më shumë hijeshinë. Është një ditë e ftohtë shkurti, por moti këtë herë është bërë aleati ynë. Diellin e kishim mbi kokë përgjatë gjithë bisedës dhe ndonëse në temperatura të ulëta, prezenca e tij na ngrohu edhe ne. Më shumë se sa ai në fakt, na ngrohën përgjigjet e Amit, që si gjithmonë e sinqertë, bëri që biseda të ishte më shumë miqësore. Folëm për gjithçka ndodh rreth saj aktualisht, duke filluar që nga projekti aktual me emrin “Dancing with the stars”, tek familja dhe biznesi…
Kanë kaluar vetëm pak ditë nga Shën Valentini dhe ne dëshirojmë të mësojmë se cila ishte surpriza e Ermalit për ty?
Një tufë e madhe me trëndafila të kuq surprizë në tavolinën e punës në agjenci.
Si e festuat këtë vit?
Fishekzjarrë nuk pati…(qesh). Por e festuam me shumë dashuri, e dhënë kjo në çdo forme të mundshme.
Prej kohësh media rozë shkruan për shtatzëninë tuaj, ndonëse deri tani asgjë s’ka rezultuar e vërtetë. A është në planet e 2012-ës sjellja në jetë e një fëmije?
Po duke parë duke bërë!
Çfarë dëshironi më shumë, vajzë apo djalë?
Vajzë.
Duket sikur Ermali është ai që i kërkon gjithmonë me më shumë ngulm gjërat, edhe për martesën ai këmbënguli. Pse Ami është e tërhequr në këtë aspekt?
Ou, paska këmbëngulur kaq shumë, s’e dija. Kjo varet pak edhe nga tipi i personit, mënyra se si ai i arrin gjërat. Unë në përgjithësi nuk i imponohem të tjerëve edhe për gjërat që dua shumë në vetvete.
Sa fëmijë dëshironi të keni?
Dy.
Ju pëlqejnë familjet e mëdha?
Jo edhe aq. Më pëlqen më tepër një familje e mbledhur, ku dominon dashuria e pakushtëzuar dhe komunikimi.
Tani që jeni bashkëshorte dhe normalisht jeta familjare kërkon përkushtim, sa herë e vizitoni familjen tuaj?
Fatmirësisht shtëpinë e prindërve e kam shumë afër me punën time, kështu që dy ose tri herë në javë shkoj aty, ose kur dalim për kafe a ndonjë drekë në fundjavë. Ndërsa tek motra ime nga shtatë ditë, pesë herë në javë jemi aty për darkë.
Qëndrojmë edhe pak te familja dhe flasim për angazhimin tuaj si zonjë shtëpie. Bëni pazar, merrni me fshesë me korent, hekurosni, gatuani? Çfarë ju bezdis më shumë nga punët e shtëpisë?
Hekurosjen nuk e bëj dot, nuk më pëlqen fare. Kur kërkohet nevoja edhe i bëj të gjitha dhe më pëlqen ndonjëherë kur jam pa angazhime t’i futem punëve dhe të kënaqem pastaj me rezultatin. Pjesa që më pëlqen më shumë është të merrem me bibliotekën, ta sistemoj, t’i ndërroj vendin gjërave, fotove, revistave, trofeve që kemi si kujtim të dy nga ngjarje dhe evente të ndryshme. Me këtë rast bëhem dhe pak nostalgjike. Edhe gatimi më pëlqen pa fund.
Ermali ndihmon në këtë pjesë?
Më mirë ta anashkalojmë këtë pyetje (qesh). Tashmë jam mësuar me këtë fakt dhe kemi paqe mes njëri-tjetrit, sepse secili i di përgjegjësitë dhe limitet e veta.
A është ai burrë shtëpie. Kush kujdeset për financat dhe kush i merr vendimet?
Sigurisht që burri i shtëpisë në të gjitha kuptimet është ai. Unë gjithmonë kam dashur, madje e kam të nevojshme të ndihem e sigurt nga dikush dhe të mbështetem diku. Me pak fjalë, dua të komandohem brenda mureve të shtëpisë, por vetëm brenda shtëpisë ama. Nuk më pëlqen kur femra humb feminilitetin, duke marrë vendime që i takojnë mashkullit. Për sa i përket vendimeve, financave dhe çdo gjëje tjetër që na lidh në çift, sigurisht që vendosim të dy.

Jeni gjatë gjithë kohës bashkë. Në biznes, në shtëpi, në spektakël. Si është puna së bashku?
Jemi bashkë dhe s’jemi bashkë, varet nga periudha, sepse në verë për shembull kemi një ritëm krejt të ndryshëm pune për shkak të specifikës së punës. Për sa i përket spektaklit, nuk e keni idenë sa komode është të qenit bashkë. Ata që e kanë provuar e kuptojnë ekzaktësisht këtë që po them. Ku ka më mirë se të jesh pranë njeriut që kërkon, përpiqet dhe ëndërron më të mirën për ty.
Meqë jemi tek biznesi, ndalemi pak këtu. Si është të jeni me çiftet në ditën më të rëndësishme të jetës së tyre?
Është fat i madh që kemi të bëjmë vetëm me ditë të lumtura, me njerëz që gëzojnë. Ky është një motiv shumë i madh për ne për t’u përsosur gjithnjë e më shumë. Është kënaqësi e dyfishtë, kur merr falenderimet e tyre dhe kupton se me punën tënde ke kontribuar, që ajo ditë të mbetet në kujtesën e tyre si diçka e realizuar me profesionalizëm.
Të flasim pak tani edhe për angazhimin tuaj aktual. Jeni shtylla kryesore në prezantimin e “Dancing with the stars”. Pasi mbyllët me sukses sezonin e 2-të, të parin për ju, vini sërish këtë vit në të njëjtat pozita. Si ndihet Ami në atë skenë?
Sikur e bëj prej vitesh më duket! Është format gjithëpërfshirës, me shumë ritëm, emocion, është argëtues dhe unë e kam pëlqyer gjithmonë formatin, edhe para se ta prezantoja. Mendoj që në këtë edicion çdo gjë do të jetë, ose të paktën premisat janë për të qenë sigurisht edhe më mirë se dy të parët. Di të them, që mezi po e pres dhe kjo i shpjegon të gjitha ndjesitë.
Fakti që jeni në një spektakël vallëzimi ju jep komoditet, duke qenë se ju keni studiuar disa vite në shkollën e baletit?
Sigurisht që ky fakt nuk është determinant në pozitat e mia si moderatore në atë spektakël; mund të bëja dhe pa diplomën e baletit. Por është ky fakt që ma bën punën më të gëzueshme, më bën t’i përjetoj të njëjtat emocione që ndiejnë çiftet kur debutojnë, më bën t’i kuptoj ata më mirë. Dhe në këtë sens kam një përputhje më të madhe me këtë format.
Është komode, që përkrah në këtë prezantim, të keni shokun e jetës?
Nuk është se e shoh shumë si shokun e jetës në skenë, edhe pse të qenit me të më jep një qetësi dhe komoditet të paparë. Por nuk dënoj asnjë grimë të ritualit tim të punës, si tani që kam përkrah Ermalin, ashtu edhe po të isha me dikë tjetër. Në rast se do ta shkelja këtë pakt me veten do kisha humbur. Secili nga ne ka direktiva dhe përgjegjësi tepër të qarta aty.
I bëni vërejtje njëri-tjetrit?
Kur shërbejnë, patjetër po.
Bëni ndonjëherë prova në shtëpi me Ermalin?
Në fillim linim orar në shtëpi për ndonjë kalim teksti, por ahaa, nuk ishte ide e mirë, më tepër bëhej gallatë sesa punë produktive (qesh). Nga puntata e 3-të iu rikthyem normalitetit, duke punuar vetëm në vendin dhe kohën e punës. Ky është sekreti mendoj unë, të mos e trajtosh, edhe më keq akoma ta ngatërrosh marrëdhënien personale me atë të skenës. Nëse arrin të ruash balancën dhe punon me të njëjtin ritëm e përkushtim siç do të bëje me një X moderator tjetër, atëherë publiku do shohë më shumë punën tënde sesa marrëdhënien e për rrjedhojë do arrish jo vetëm të jesh në formë, por edhe të rritesh profesionalisht dita-ditës.
Është ai humorist edhe në shtëpi?
Humorin Ermali e ka të lindur, kështu që i bie të jetë.
Meqë e prekëm pak humorin, dimë që ju jeni një ndjekëse e rregullt e të gjitha produksioneve ku Ermali interpreton. Nuk mungoni asnjëherë në sallë dhe sigurisht s’kishit si të mungonit në premierën e “Apartamentit” këtë vit. Si ju duk? Si ju duket Ermali në atë rol?
Ndihej në ajër që publikun e kishte marrë malli për “2XL”, po ashtu edhe mua. Është formati më i duhur për të nxjerrë në pah origjinalitetin e 3-shes dhe sidomos të Ermalit, i cili karakterizohet për improvizimet, imitimet. Për shkak të kësaj lirshmërie, jashtë klisheve që i shohim rëndom në ekranet tona, “2XL” mbetet unike dhe gjithmonë e pëlqyer. Kënaqem pa fund të shtunave kur shoh shfaqjen dhe e admiroj Ermalin për aftësinë e tij mbi atë skenë./Gazeta Shqiptare/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here