Për ata që dëshirojnë ta shohin Amarda Toskën në skenën e “Dancing With the Stars”, duhet të presin vitin 2013. Por gjithsesi ajo nuk qëndron në hije. Prezanton mbrëmjen gala të festivalit të 13-të të Filmit Shqiptar dhe sjell tendencën e re të fustaneve të nusërisë në “Albanin Fashion Week”. Gjithashtu qëndron pranë Ermal Mamaqit për ta mbështetur në garën e “Kënga Magjike”. Duke u frymëzuar dhe nga titulli i këngës së tij “Bëj si di vetë”, Amarda zbulon sekrete të vendimmarrjes së tyre në çift.
Cilat kanë qenë angazhimet e tua këtë periudhë jashtë ekranit?
Kam qenë e fokusuar tërësisht tek “Ami Event”, vend i cili merr një pjesë të mirë të kohës dhe energjisë sime. Madje sapo mbaroi “Albanian Fashion Week”, java e modës shqiptare, ku  përveçse sponsor ishim pjesëmarrës me koleksionin e ri të vitit 2013. Pjesa tjetër e punës sime u dedikohet aktiviteteve artistike private, udhëtimeve, si dhe shijimit të qëndrimit me familjarët e miqtë. Me pak fjalë më shumë kohë për veten dhe në shërbim të vetes.
Mbrëmë u shfaqe si prezantuese në natën gala të ndarjes së çmimeve të Festivalit të 13-të të Filmit. Kush ta bëri këtë ofertë?
Ky eveniment ka rëndësi të veçantë për artin tonë kinematografik dhe mbrëmja gala, ku ndahen çmimet dhe dorëzohen kupat është kurorëzimi i një pune të madhe 5-vjeçare të shumë artistëve. Ftesën për të qenë drejtuesja e këtij eventi, e mora nga drejtori i Festivalit të Filmit, Artan Minarolli, të cilin gjej rastin ta falënderoj. Sigurisht e pranova me shumë kënaqësi.
I ke ndjekur filmat e këtij festivali dhe cili të ka tërhequr deri në fund?
Në fakt, ka shumë filma, të cilët janë të panjohur për ne dhe që janë shfaqur gjatë javës së filmit, por mua më shumë më ka pëlqyer filmi “Besa” (The promise).
Meqë jemi te kinemaja, cili ndër aktorët shqiptarë është më i preferuar për ty, dhe ti ke dëshiruar ndonjëherë të luash në ndonjë film?
Robert Ndrenika dhe Tinka Kurti për mua janë emblemat e artit skenik. Ndërsa unë personalisht nuk e kam pasur ndonjëherë ëndërr në sirtar të jem aktore, dhe nuk më ka shkuar mendja kurrë të luaj film. Aktrimi mbetet gjithnjë një tentativë e imja për sa kohë më duhet ta luaj në daljet e mia skenike.
Këto ditë je përfshirë në emocionet e një tjetër festivali, atij të “Kënga Magjike”, ku Ermali konkurron me këngën “Bëj si di vetë”. Ti zakonisht bën si di vetë në vendimet në familjen tuaj, apo i merr gjithmonë mendim atij?
Përgjigjja është sa relative dhe e përgjithshme në të njëjtën kohë, sepse ka vendime që më mirë se unë nuk i di dhe nuk i merr dot askush (të cilat janë më të rralla), ka dhe vendime në familje që lidhen fort me të dy ne. Por në përgjithësi është fryma e përbashkët dhe uniteti i vendimeve që na karakterizon si çift.
Po ashtu si çift të dy bashkë ju shohim ndërsa moderoni spektaklin “Dancing with the stars”. Kur pritet të nisë show i ri?
Po në 2013-n i bie…
Jashtë ekranit, cila është jeta juaj si çift tashmë, si e organizoni ditën?
Jeta në çift është një lloj tjetër kënaqësie për ne, sepse dy ditë kurrë nuk janë njësoj dhe gjithmonë organizojmë diçka ndryshe, për shkak të punës shpeshherë.
Atëherë nga 1 në 10, sa ndiheni me statusin “të martuar” në mënyrën si e jetoni jetën bashkë?
Nga 1 në 10 e martuar ndihem 10, sepse mendoj që i plotësoj të gjitha kriteret që i nevojiten një bashkëshorteje (qesh). Pastaj për një përgjigje më të besueshme ju duhet të pyesni Ermalin…

Burimi: Panorama.com

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here