Sot është një prej personazheve më të pushtetshëm në median shqiptare. Me një karrierë të gjatë e të lavdërueshme në televizion, Alketa Vejsiu është shndërruar me vitet në një idhull për të gjitha vajzat që synojnë ekranin.

Aktualisht ka në dorë një prej patentave më të rëndësishme ndërkombëtare dhe është bashkëproducente artistike në “X Factor Albania”.

Krah saj, qëndron edhe këtë herë njeriu që e zbuloi dhe e shndërroi në një yll, regjisorja dhe producentja e famshme e spektakleve, Vera Grabocka. Mes rreshtave që do të pasojnë Vejsiu rrëfen për herë të parë në një media, takimin me ‘homologen’ e saj italiane Simona Venturën.

Ka vizituar studiot e “Sky Italia” e ka zhvilluar atje një intervistë ekskluzive me ikonën e televizionit italian, për të cilën thotë se e ka admiruar që në vogëli. Ajo flet gjithashtu për eksperiencën shqiptare në “X Factor”, premiera e të cilit mbahet më 8 janar. Juria e talent show-t dhe rikthimi në “Klan”. Koha me fëmijët dhe orët e provave me to…Alketa i rrëfen të gjitha. Bashkëngjitur me këtë rrëfim vijnë edhe fotot ekskluzive.
Si do ta komentoje këtë rikthim në “Klan”?
Në “Klan” kam qenë gjithmonë. Numërohen në këtë televizion me dhjetëra orë programi të drejtuara në këtë 10-vjeçar, më i rëndësishmi i jetës sime në media. Sot “Klan” është edhe më i fuqishëm dhe ambicioz. Një frymë e shkëlqyer bashkëpunimi në skuadër dhe një vizion i përbashkët “të bëjmë suksesin”. Të rejat e këtij sezoni nuk do të kenë lidhje vetëm me përmbajtjen dhe patentën, por me risitë teknologjike. Me dhjetëra njerëz të ndarë në ekipe të ndryshme punojnë me orë të tëra ditë e natë për të sjellë një shfaqje të standartizuar. Stafi krijues i kalon dhe orët e mesnatës në punë ndonjëherë. Atmosfera është shumë e bukur, mes njerëzish të gëzuar në prag të Krishtlindjeve.
Rikthehesh në ekran me një projekt shumë ambicioz, i cili të sjell për herë të parë nën petkat e producentes. Është kjo një sfidë ndaj vetes, apo ndaj kolegëve të tjerë të medias?
Kjo pyetje më kujton ato qindra shkallë që kam ngjitur në Cappella Sistina në Vatikan (Romë). Kur ti ngjitesh për ta prekur diçka të bukur, diçka të madhe, e bën dhe për kënaqësi, edhe për të sfiduar veten. Punojnë stafet e ekspertëve botërorë dhe shpikin patenta e nxjerrin esenca, ne duhet të krijojmë e të ndjekim gjurmët e tyre dhe risku është gjithmonë më i vogël. Jam e gëzuar që jam në bërthamën e organizimit të një suksesi botëror, që kam fatin të jem pranë Verës, që është si një minierë ari ku sa më shumë kërkon aq më shumë gjen, dhe që ky program do të realizohet në një sistem mediatik që funksionon shkëlqyeshëm, që me shumë ambicie po investohet në teknologji e njerëz që “X Factor” të jetë sukses. Do të vijmë në ekran në 8 janar me natën e parë. Shpresojmë që të na shpërblehet gjithë kjo punë me pëlqimin e publikut.
Flitet gjithë kohës që do të jeni tek Symon Cowell, që e keni takuar vetë personalisht. Si është e vërteta?
Symon Cowell është një model që frymëzon. E karakterizon një gjenialitet krijues i admirueshëm. Mund të them që kur të fillojë “Britan’s got talent”, ne do të jemi në Londër për ta intervistuar.
Jeni gjatë gjithë kohës mes personazhesh të njohur në botë. Mendon ndonjëherë të shkëputesh nga Shqipëria?
Herë pas here shkëputem nga Shqipëria, sepse kam një jetë të dytë në Toskana dhe sepse puna që kam aktualisht në një format botëror dhe rrjeti i lidhjeve bën që së bashku me televizionin “Klan” dhe Verën të jemi vazhdimisht në lidhje me emra botërorë të showbiz-it. Dikur ëndërroja të isha në përzgjedhjet e “Amici” për t’u shfaqur në Mediaset, sot jam shumë e lumtur se televizionin amerikan, anglez, italian apo francez e prek me një status tjetër, me pasaportën e një suksesi botëror.
Çfarë ju tha Simona Ventura në intervistë, pasi lexuam në statusin tuaj në ‘Facebook’ që ishit me të në ‘Sky’?
Ishte një intervistë shumë origjinale me një nga pikat e mia të referimit që në fëmijëri të hershme. Super Simona është pa dyshim një nga personalitetet e tv italian, një grua shumë e fortë dhe një profesioniste e spikatur. Kam kuptuar një gjë, që sa më të mëdhenj janë njerëzit, aq më të thjeshtë janë kur i takoj nga afër. Kjo është vlera më madhe e shtuar njerëzore për një artist. Këmbët në tokë, menaxhimi i suksesit, thjeshtësia. Nuk mund të jesh i madh nëse nuk je njeri.
Rikthehemi tek “X Factor Albania”, si ju duket juria?
Janë personazhe pa filluar programi. Pandi Laço, një personalitet i padiskutueshëm që artikulon çdo mendim duke i dhënë kuptim e peshë gjykimit. Me një background shumë të pasur ndër vite si producent, autor e skenarist, gjithmonë në zemër të eventeve e festivale muzikore. Juliana Pasha, një profesioniste që s’bën kompromis me ata që s’kanë talent të mjaftueshëm, objektive, e ashpër dhe kërkuese. Një ndër zërat më të jashtëzakonshëm femëror. Vesa Luma, nuk arrij ta kuptoj kufirin që ndan tragjedinë dhe komedinë. Mes dramës dhe emocionit ku shket ndonjë pikë lot për ndonjë zë të rrallë apo ndonjë largim nga gara, kemi humorin, ëmbëlsinë dhe show-n e një këngëtareje shumë të kërkuar të rinisë. Alban Skënderaj, një profesionist absolut, shumë vizionar e mendje hapur, me intuitë dhe shije e shumë kulturë muzikorë. Absolutisht ndër më të kërkuarit e tregut diskografik. Të katërt kanë një gjë të përbashkët, janë një skuadër unikale e apasionuar profesionistësh dhe mbi të gjitha njerëz të shkëlqyer.
Si e menaxhoni kohën tuaj? Duket sikur je një Super Alketa që i bën të gjitha?
Jam një njeri normal, që ka gjetur pikën e balancës për të qenë e përmbushur nga të gjitha kënaqësitë e jetës; familja, puna, miqtë e kolegët. Nuk është e thjeshtë, por është e mundur. Fëmijët janë një energji e pashtershme.
A ndjejnë fëmijët, Nicola dhe Lioneli i vogël mungesën e mamit në shtëpi?
Mendoj që Lionel do ta ketë ‘Faktorin X’ patjetër (qesh), sepse ka qenë shumë aktiv këtë edicion të “X Factor”. Më është dashur shpeshherë ta marr me vete. Kam pasur ndihma e përforcime, po ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm nëpër Shqipëri në zbulim të talenteve. Ndërsa Nicol është vajzë e rritur tani. Është mrekullia e jetës sime dhe shpeshherë kërkon vetë që të jetë prezente në setin e xhirimeve. Meqë edukata për punën kultivohet në moshë të hershme, mendoj që ka vlerë ndonjëherë në të rrallë t’ua tregosh fëmijëve mjedisin e punës dhe rëndësinë e të punuarit.
/Bluetooth/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here