Xhinset dhe kanotieret stil rock nuk janë menduar kurrë se mund të shihen të veshura nga Alketa Vejsiu, për aq kohë sa në jetën e përditshme ajo shihet gjithmonë me veshje klasike kurse në spektaklet e viteve të fundit me fustane mbrëmjeje.

Ishte spektakli “X Factor” që solli një Alketë të veshur si shumë vajza nën të tridhjetat, siç është dhe ajo, një stil veshjeje tek I cili ajo ka shkuar me mjaft dëshirë, edhe pse gjatë netëve “gala” të spektaklit do I rikthehet edhe njëherë fustaneve për tapet të kuq. Qe sërish ky spektakël që e vuri për të parën herë edhe përpara një tjetër përvoje, atë të punës si producente.

Të tjerat nuk kanë ndryshuar, punon sërish me Vera Grabockën dhe në pjesën tjetër të kohës, u kushtohet dy fëmijëve të saj, ku Lioneli që është vetëm tetë muajsh kërkon kujdesin më të madh. Është e kënaqur me këtë përvojë, për të e destinuar që në fillim të ishte e suksesshme, për aq kohë sa flitet për një nga formulat më të suksesshme televizive sot për sot ne ekran.

“X Factor” është programi i parë, ku emri juaj shfaqet edhe si producente. Si e zgjodhët këtë format?

Ndoqëm një prirje botërore të pa kontestueshme të publikut në të gjithë globin. Këtë punë e bëjmë të gjithë për të bërë diçka që kënaq pasionet dhe prirjet tona, që kënaq publikun dhe finalizohet me suksesin e një misioni të mbërritur. Ne jemi në gjysmë të rrugës. Kemi bërë ngjitjen e avionit me sukses, me një ‘share’ të lartë absolut në natën e parë prej 75 % dhe 300 mijë klikime në 48 orët e para të programit në ‘youtube’. Tani duhet të bëjmë një fluturim të sigurt gjatë netëve finale dhe të bëjmë uljen e suksesshme të avionit në destinancion përfundimtar: finalja a madhe që do të ketë një fitues.

Keni thënë në intervista të mëparshme, që këto vite jeni përfshirë ne bizneset e bashkëshortit tuaj. Ka qenë kjo që ju ka bere më të sigurt, për t’u përfshirë në botën e spektaklit edhe si biznes, jo vetëm si prezantuese?

Ndajmë shumë interesa të përbashkëta prandaj jemi bashkë, ndër to edhe idetë e biznesit. Ndonjëherë angazhohem pjesërisht si këshilltare Komunikimi, por Kompania e Ndërtimit ka një skuadër njerëzish shumë të aftë, që e çojnë punën me sukses përpara. Është një model për t’u marrë shembull për mënyrën se si funksionon kjo Kompani në biznesin Shqiptar, është shumë e standardizuar. Në këtë drejtim është model referimi. Por unë kam një profesion tjetër, të cilit i kushtoj pjesën më të madhe të kohës, televizionit, ku shumë koncepte biznesi në fakt janë universale.

Si ju duket deri tani? A është gjithçka siç e keni pritur, apo më e vështire ose më e lehtë?

Është një nga programet më të vështira, por ne jemi njerëzit e duhur për ta realizuar në Shqipëri, e gjithë skuadra jonë. Jemi në kohën e duhur, në Televizionin e duhur, me njerëzit e duhur, dhe patentën e duhur.

Grabocka ishte me ju që në krye të herës, apo u bashkëngjit më vonë?

Ne jemi gjithmonë bashkë kur jemi dhe kur s’jemi. Sepse raporti profesional konkurrohet nga një raport tjetër, ai njerëzor që është edhe më i rëndësishëm, i mbrujtur në vite me dashuri dhe mirënjohje. Është një pjesë tjetër e jetës së gjithsecilës koha që Vera dhe Alketa ndajnë së bashku. Isha fëmijë kur e takova Verën vetëm 17 vjeç…. di të them që jam rritur pranë saj duke huazuar disa aksioma jete që do t’i kujtoj dhe nënvizoj përgjithmonë. Kam qenë me shumë fat.

I shihni spektaklet konkurrente në televizionet e tjera?

I shoh sigurisht por, pjesërisht për të mos huazuar gabimisht ndonjë gjë që më pëlqen shumë (qesh). Por atë pak kohë që më mbetet në mbrëmje pas një dite të ngarkuar të ndarë mes punës, fëmijëve dhe interesave të tjera, ja kushtoj leximit. Ndonjëherë dua të lexoj 10 libra bashkë, etje e madhe për dije, por kohë nuk kam, e them që është ajo çka më fort duhet të injektoj tek Nicol…

Gjatë puntatave të para të spektaklit, jeni shfaqur ndryshe në veshje nga Alketa që kemi parë deri tani. Larg veshjeve klasike me të cilat jeni fotografuar vitet e fundit në jetën e përditshme dhe më larg akoma fustaneve të mbrëmjes në spektaklet e fundit. Ishte formati që ua kërkoi këtë ndryshim?

Do jenë spektakolare në netët Gala… Në audicione ishte ideja e sport chic, meqë u bënë vite që publiku nuk më shihte ashtu. Dhe mua më kishte marrë malli për veten me këtë stil.

Jeni shprehur në disa intervista se Lionel ka qenë bashke me ju në audicione. Si ka qenë ky tour me këtë bashkudhëtar të vogël?

Një kujtim i mrekullueshëm, se ai është djalë për mamën e vet. Ka qenë i qetë, si një mrekulli. Ndonjëherë vjen dhe Nicol, ne setin e xhirimeve dhe është kaq bukur…

Cili është sekreti, që edhe pse me një fëmijë kaq të vogël, keni një formë fizike për t’u pasur zili?

Ma bëjnë shpesh këtë pyetje. Them që është pak fat dhe shumë gjenetike. Kujdesem sigurisht, kujdesi duhet të jetë në kulturën e çdo gruaje, siç them që edhe pse me disa kilogramë më shumë dhe ndonjë imperfeksion çdo femër duhet të ndihet e bukur dhe e veçantë. Por veçanërisht pas lindjes duhet të gëzohesh për mrekullinë që sjell ardhja e një fëmije në jetë. Kilet e tepërta s’duhet të jenë shqetësim. Ka ikur koha e idesë perfekte, simetrisë absolute dhe grave me portrete të mrekullueshme në revista dhe katalogje mode… Unë ju them të vërtetën: është nga natyra bukuria dhuratë, por është edhe nga dora e artistëve të ‘make up’. Mjafton të shohësh yjet e Hollywoodit pa ‘make up’ ose me rroba banje. Janë fare të zakonshëm./MAPO/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here