Do të nisë nesër transmetimi i natës së parë të spektaklit “X Factor” në “Tv Klan”, një show me bashkëproducente Vera Grabockën dhe Alketa Vejsiun, dhe me prezantim të Alketës.

Tashmë gjithçka është gati për fillimin e garës plot emocion për zgjedhjen e talenteve të reja, që pritet të zbulohen në këtë “reality” me famë në të gjithë botën. Pesë javët e para të programit do të jenë audicionet që janë mbajtur në qytetet kryesore të vendit: Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë. Pastaj dy net spektakli janë faza “bootcamp” dhe në vilat e anëtarëve të jurisë.

Pas këtyre shtatë netëve dalin 16 finalistët, që do të konkurrojnë “live” në 16 net “show”. Këta finalistë janë të ndarë në katër kategori: vajza, djem, grupe, dhe mosha mbi 23 vjeç. Pikërisht në momentin që nis “live” show, anëtarët e jurisë bëhen trajnerë të secilës kategori dhe, sipas logjikës së këtij spektakli, mbështesin kategorinë e tyre, duke u votuar nga publiku konkurrentët së bashku me trajnerin e skuadrës së tyre.

Pikërisht këtu do të hyjë në lojë protagonizmi, ambicia dhe konkurrenca edhe midis katër anëtarëve të jurisë së zgjedhur nga “X Factor”, që janë Pandi Laço, Alban Skënderaj, Juliana Pasha dhe Vesa Luma. Ata do të mbrojnë e trajnojnë të zgjedhurit e tyre, duke sfiduar kështu njëri-tjetrin një këtë “talent show”. Të provojnë emocionet e skenës dhe të një studioje televizive u ka ndodhur shpesh, por si e ndiejnë veten ata në këtë eksperiencë televizive, ku u duhet të bëjnë vërejtje, të gjykojnë dhe zgjedhin.

Alban Skënderaj: Nuk do të tregohem i rreptë, i sinqertë po
Për Alban Skënderajn, kjo është hera e dytë që ndodhet në një panel jurie, pas Festivalit të RTSH-së, ku pati edhe kontestime për dhënien e pikëve dhe që natyrisht nuk kaloi aq qetë si eksperiencë. Por dihet që në atë rast i duhej të gjykonte këngëtarë me shumë vite në skenë, ndërsa në këtë rast është krejt ndryshe. Do të gjykojë talente të reja, që ëndërrojnë të bëhen këngëtarë. Në këtë eksperiencë të re, si pjesë e formatit “X Factor Albania”, Albani i cili pohon se nuk e sheh shumë veten si pjesë e formateve televizive, por tregon se në këtë format ndihet brenda fushës së vet, që është muzika dhe se do përpiqet të tregohet jo i rreptë në gjykim, përveçse i sinqertë. Sipas këndvështrimit të tij, “X-Factor” është “fenomeni që ka pushtuar tregun muzikor botëror dhe madje e ka tjetërsuar”. Për më tepër, këngëtari që u zbulua nga “Top Fest”, ndërsa goditi në shenjë që herën e parë duke u shpallur fitues, i beson shansit që të jepet në jetë, si ky rast për talentet e reja.

Juliana Pasha: Do të jem e përqëndruar dhe e drejtë në gjykimin tim
Është një nga këngëtaret më të mira e të kënduarit “live” dhe e di mirë çfarë do të thotë të këndosh përpara një jurie. Kjo për faktin se prej vitesh ka kënduar në shumë festivale, dhe po ashtu ka të freskëta emocionet e Festivalit Europian, dy vite më parë. Pohon se nuk pati dilema për pranimin e ftesës për të qenë në jurinë e “X Factor”. Për sa i përket gjykimit të saj për talentet e reja, ajo thotë: “Do të jem e drejtë dhe e përqendruar mirë për të dalluar talentin”. Pohon po ashtu se “u bënë tashmë 10 vjet që unë jam aktive në skenën shqiptare dhe gjatë këtyre viteve kam mësuar shumë dhe kam krijuar një bagazh të gjerë artistik. Nuk do të kursehem aspak për t’u dhënë gjithçka nga vetja ime që unë njoh apo që e kam testuar tashmë prej vitesh”.

Pandi Laço: Do mundohem të mos jem i keqi
Skenaristi dhe gazetari Pandi Laço vitet e fundit ka qenë shumë i pranishëm në ekran, dhe së fundi si prezantues i spektakleve të tij muzikore, siç është “100 këngët e shekullit”. Të ftosh këngëtarët në skenë, nuk është aq përgjegjësi sa të gjykosh nga një kolltuk ku je i ulur. Ai pohon se “të gjykosh të tjerët, nuk është e thjeshtë, pasi përshtypja e parë ndodh që është e gabuar. Për sa i përket pyetjes se çfarë lloj gjykatësi do të jetë, pohon: “Do mundohem të mos jem ai i keqi”. Megjithatë, përballja e tij me talente të reja nuk është fillestare. Ai vjen nga eksperienca e talenteve për “Gjeniun e vogël”, e ngjashme me “X-Factor”. Për sa i përket grupit që mund të zgjedhë për ta ndjekur, Pandi i cili zbulon pasionin e hershëm për të drejtuar grupe rroku, thotë se do preferonte të drejtonte po ashtu një grup në “X factor”.

Vesa Luma: E kam të vështirë të gjykoj, kujtoj veten tek “Ethet”
Ajo do të jetë e vetmja anëtare jurie që do t’i kuptojë më shumë se të tjerët emocionet e talenteve që aspirojnë të dalin këngëtarë nga “X Factor”, pasi 10 vite më parë ajo provoi të njëjtën eksperincë në “Ethet e së premtes mbrëma”. “Mendova në fillim se ndoshta ishte shumë herët për mua të jem ajo që do të gjykoj talentin e dikujt, por tashmë përvoja në kaq vite besoj se mjafton që unë të veçoj talentet”. Për sa i përket gjykimit që do t’u bëjë talenteve të reja, ajo pohon se: “Pozicioni im mbase është më i vështirë, sepse i kuptoj emocionet e konkurrentëve, meqenëse edhe unë isha në pozitën e tyre para gati 10 viteve tek “Ethet”. “Mezi po pres të shoh se me çfarë do të na befasojnë”, thotë ajo. Rreth preferencave për kategoritë që do t’i dukeshin sfiduese dhe që do mund t’i zgjidhte, ajo pohon se janë mosha mbi 23 vjeç.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here