Pamja ishte e para që spikati tek publiku, në fillim për sytë e saj blu e më vonë çdo ndryshim apo model i ri flokësh nuk kalonte pa u komentuar tek ndjekësit e programeve që ajo prezantonte.

Me kohën e vitet që e gdhendën më mirë profilin e saj, Albana diti të krijojë një identitet të vetin në prezantim, unik, i cili shpesh është i vështirë të krijohet.

Tani ia ka dalë mbanë, është një prezantuese e zonja, e sigurt dhe një femër që ka shumë për të dhënë, shumë për të thënë. Është përherë e veçantë në rrëfimet e saj, asnjëherë duke përsëritur vetveten. Ky karakter ndikohet edhe nga natyra e saj krijuese, pasi një nga pasionet e saj veç televizionit është edhe piktura. Ka shumë dashuri rreth vetes dhe kjo ndihet në çdo përgjigje, e cila vjen tek lexuesi e çiltër dhe me një lirshmëri që jo përherë e merr nga personazhet publike. Durim dhe punë, duket se ka qenë motoja e Albana Osmanit gjatë gjithë këtyre viteve në studiot e Top-Channel. Një punë e shpërblyer me besimin e një sërë emisionesh dhe spektaklesh duke ardhur më së fundmi tek sipërmarrja e saj më e re, “Fan Club”. Albana na tregon më shumë për këtë gjë, si i sheh ajo banorët e “Big Brother 5”, ç’mendim ka për djemtë dhe vajzat që konkurrojnë për 100 milionë lekët, si dhe shumë sekrete të tjera për veten. Një rrëfim që sjell jo vetëm emocionet e fillimeve në TV ku ajo shprehet: “Emocionet ishin aq të mëdha sa më dridheshin këmbët (qesh), por nuk pushoja së foluri, madje e teprova”. Por Albana zbulon edhe disa gjëra nga përditshmëria e saj, e cila është shpesh e thjeshtë dhe e komplikuar si e çdo femre tjetër, pavarësisht suksesit në karrierë:

Albana, sapo keni nisur një tjetër përvojë tuajën në prezantim, atë në “Fan’s Club”. Përse vendosët së pari të jeni pjesë e një formati të tillë siç është “Big Brother”?

Po, ka nisur “Big Brother Fan’s Club Albania”, një program që vjen çdo të diel për 90 minuta me radhë në ekranin e Top Channel, si post-Big Brother, reality shout më të ndjekur në Shqipëri. Pranova me shumë kënaqësi propozimin për të drejtuar këtë program, pasi çdo hap tjetër në punën time ka ardhur në progres. Për faktin se m’u besua mua ky format u ndjeva shumë e kënaqur!

Jam kurioze të di sa i keni ndjekur edicionet e tjera të BB?

Kam ndjekur të gjitha edicionet e mëparshme pa përjashtim dhe këtë e kanë bërë të gjithë shqiptarët, për këtë jam e bindur. Kjo formulë TV duket se ka një sukses absolut në vendin tonë. Të gjithë gjejmë nga realiteti ynë në ‘Shtëpinë e Vëllait të Madh’ dhe bëhemi tifozë të atij personazhi që na reflekton vlerat më të larta, që vlerësojmë si shoqëri apo komunitet.

A keni krijuar që në fillim simpatitë tuaja për ndonjë banor?

Këtu etika profesionale më lejon vetëm një koment: Janë konkurrentë shumë të fortë, luhet çdo minutë dhe në sytë e gjithë produksionit rregullat e lojës janë të gjitha të barabarta për secilin nga konkurrentët e BB5.

Sapo keni nisur, por dua të di ç’mendim keni krijuar për konkurrentët zyrtarë të këtij edicioni?

Konkurrentët zyrtarë tashmë pas dy javësh, ata që i shpëtuan televotimit dhe nisën garën për 100 milionë. Janë të ndryshëm! Secili përfaqëson copëza të ndryshme të realiteteve që ekzistojnë në Shqipëri. Jam e bindur se përplasjet e të kundërtave do sjellin pikërisht befasinë dhe lojën e pasjellë më parë në “Big Brother”.

Si ju duken femrat aty brenda, por një mendim edhe për djemtë?

Për mua janë të gjithë banorët e shtëpisë së “Big Brother”, nuk ka rëndësi gjinia nëse flasim në parim. Ajo çka u evidentua që prej fillimit është se djemtë këtë edicion janë të pashëm dhe karaktere që përbëjnë lajm dhe ngjarje. Vajzat duken se janë lojtare të mira. Intensiteti i menjëhershëm i lojës është ndjerë dhe na ka përfshirë të gjithëve pa përjashtim si teleshikues, apo si pjesë e realizimit të këtij produksioni gjigant, flas në rastin konkret.

Kush ju duket më karizmatik aty brenda?

Këtu ruhet pak etika profesionale. Nuk është aspak herët për të thënë që nuk mund të përcaktojmë emrat. Ajo çfarë unë do kem për kënaqësi është t’i kem në studio pas eliminimit të gjithë me radhë dhe t’i “zhbiriloj mirë e mirë”.

Keni menduar ndonjëherë për pjesën e vështirë të këtij emisioni, atij të përballjes me familjarët, ku dihet që shpesh ka të papritura?

Aspak. Jemi të përgatitur për gjithçka dhe për çdo gjë, pastaj shou mbetet shou, sidoqoftë. Gjithë të papriturat janë pjesë e asaj që tani konsiderohet loja e BB.

Pamë që në studio kishte të ftuar gazetarë dhe si përherë fansat apo miq të konkurrentëve, vetë ata që eliminohen të shtunën nuk do të jenë pjesë e “Fan’s Club”?

Do të jenë pa diskutim. E përmenda edhe më lart. Të gjithë banorët zyrtarë që eliminohen do kalojnë nga studio e “Fan’s Club”. Aty do shuhet kurioziteti juaj i madh për secilin prej tyre dhe ajo çfarë mbetet për ta ndarë me lexuesit është që në studio do komunikojmë online me teleshikuesit për pyetjet që kanë për banorët e skualifikuar dhe çdo gjë tjetër në faqen zyrtare të “Big Brother” në Facebook.

Fan’s Club do të jetë i vetmi angazhim i juaji këtë kohë?

Po. Dhe mjafton!!

Albana, keni një kohë të gjatë si prezantuese e shumë produksioneve të Top-Channel. Cilin prej tyre keni pasur më përzemër?

Gjithçka ka ardhur në progres dhe kjo mua më gëzon. Gjithçka nisi në terren me intervista e programe si “LOOK”,”KUPID”,”SELECT”, “TOP FEST”, “TI VLEN”, “ALBANIAN’S GOT TALENT”, “E DIELL” e tani “FAN’S CLUB”. Të gjitha kanë ardhur në kohën e duhur dhe secilin prej tyre i kam dashur dhe vlerësuar me shumë përgjegjësi në kohën e tyre. Sigurisht që u jam mirënjohëse drejtuesve të televizionit tim, që më besuan kaq shumë dhe shpresoj reciprokisht t’u kem kthyer besimin.

Si e kujtoni herën tuaj të parë në prezantim?

E kujtoj në çdo detaj. Emocionet ishin aq të mëdha sa më dridheshin këmbët (qesh), por nuk pushoja së foluri, madje e teprova. Një moment që e desha shumë, aq shumë sa për 10 vitet e ardhshme nuk bëra asgjë tjetër.

Çfarë ju kalonte në kokë në ato momente?

Pashë emrin tim të shkruar në drita të mëdha, si Bruno Mars në këngën e tij…

Sot kur hyni në skenë ose në studio për të prezantuar, cila është frika juaj?

Nuk kam asnjë frikë. Absolutisht asnjë frikë. Ama tensioni të shoqëron dhe është e paevitueshme. Flas në rastet e puntatave të para apo mbrëmjeve finale, por siç e kanë thënë dhe njerëz të vlerësuar në dekada, që kanë bërë televizion e media, sapo ndizet drita e kamerave përballë ndjehem se po bëj atë që dua dhe harroj çdo gjë tjetër.

A ka diçka që e harroni përherë pas kaq vitesh në televizion?

Po! Ka raste që harroj ndonjë detaj apo dhe diçka të rëndësishme, flas për momentin. Po sidoqoftë, brenda logjikës së transmetimit në fraksionin e sekondës së ardhshme rikuperohet e gjitha dhe gjithçka shkon sipas planit menjëherë.

Keni menduar ndonjëherë ta lini “Top-Channel” dhe të shkoni në një tjetër Tv?

Jo, asnjëherë. Do punoj aty deri sa të mos kem më fuqi. Pastaj do më ndajë vetëm familja ime, nëse do më duhej ta zgjidhja në radhë si prioritet.

Tani janë dy Osmani në këtë “Big Brother”, një binom interesant. Si e shihni këtë fakt duke qenë se me Arbanën shpesh ju kanë ngatërruar për shkak të mbiemrit?

Po, na kanë ngatërruar dhe vazhdojnë ta bëjnë sërish, por dhe faj nuk kanë se thuajse kemi të njëjtin emër dhe mbiemrin e kemi të dyja të njëjtë. Rastësisht!

Albana, ditët më të bukura si janë për ty?

Janë të rrethuara me dashuri të të gjitha dimensioneve!

Koha më e vlefshme nën shoqërinë e kujt kalon?

Këto ditë?!!! Para BB1 dhe BB2 në Digitalb! (qesh) Është e vërtetë!

Si i keni marrëdhëniet me lekun. Shpërdorni shumë?

Shpërdoroj. Nuk bëj llogari fare. Për mua në këtë aspekt nuk ka plane për ditën e keqe se më duhen. Ka vetëm “çfarë do bëj sot”.

Nëse po, kujt nuk i rezistoni dot për të blerë?

Ah, nuk i rezistoj asnjëherë një veshjeje që më pëlqen!

Parfumi juaj i preferuar cili është?

Kam disa. Momentalisht po përdor “Tom Ford Violet Blonde”.

Firma që zgjidhni përherë?

Këtu s’dua të përgjigjem(thjesht s’ka rëndësi kjo pyetje). Njerëzit s’kanë çfarë të hanë… s’më duket shumë e duhur të tregoj çfarë marke zgjedh unë).

Jeni pro bashkëjetesës, apo preferoni më mirë martesën?

Preferoj dashurinë. Ajo kalon gjithë testet e një raporti që funksionon. Nuk ka rëndësi asnjëra nga etapat, rëndësi ka kjo, pasi është forca që e mban raportin.

Albana, a ka një person special në krahun tuaj?

Jo, nuk ka nga ky speciali që pyesni, jo (qesh).

A e keni gjetur gjysmën tjetër me pak fjalë?

Jo. Nuk e kam gjetur gjysmën, çerekun po (qesh).

Jeni natyrë ëndërrimtare, apo me këmbë në tokë?

Unë ëndërroj me këmbët në tokë!

Çfarë nuk pëlqeni tek vetja juaj?

Më pëlqen vetja. Dhe ato që nuk më pëlqejnë i konsideroj rrugës të riparueshme sidoqoftë. Gjithmonë, referuar situatave në të cilat përballem dhe reagimet që përjetoj, që si kushdo tjetër ka dhe raste, nuk jam e kënaqur me veten.

Kur sheh veten në pasqyrë, çfarë shikon përtej Albanës në anën tjetër?

Kjo është pyetje filozofike që do i jepja një shtjellim shumë të gjatë. Por ajo çfarë shoh është një lumë që rrjedh, i kaltër si lumi i vendit ku kam lindur…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here