Alban Ukaj, është nominuar për “Aktorin më të mirë” në edicionin e 24-t të festivalit ndërkombëtar të filmit në Tokyo, merr vesh “Koha Ditore”.

Filmi “J-A-C-E” (Just Another Confused Elephant), në të cilin Ukaj luan rolin kryesor, do të shfaqet premierë në këtë festival, më 24 të këtij muaji.

Ky film, i cili është bashkëprodhim i Greqisë, Francës dhe Malit të Zi, është futur gjithashtu në konkurrencën zyrtare për filmin më të mirë të këtij festivali, “Tokyo Sakura Grand Prix”, që ka vlerë prej 50 mijë dollarësh. Regjisori grek, Menelaos Karamaghiolis, ka shkrirë në shirit filmik rrëfimin e një fëmije greko-shqiptar, të cilin mafia e shtyn që të vrasë babanë.

Ka qenë vetë aktori Ukaj, që në një bisedë për “Kohën Ditore” nga Sarajeva ka treguar rrëfimin e filmit.

“Është një odise i një fëmije që mafia e shtyn ta vrasë babanë e tij, ndërsa ai prej atij momenti vendos të mos flasë më kurrë”, ka thënë Ukaj. Në krejt filmin Ukaj ka vetëm dy replika.

“Jo pse është shurdhmemec, por ai refuzon të flasë”, ka thënë ai.

Frika, vrasjet dhe keqtrajtimi janë ato që përthekohen në rrëfimin 142 minutash të filmit dramë triler. Ai është xhiruar në lokacione të ndryshme, përfshirë Athinën dhe Maqedoninë.

Do të jenë emrat e njohur të kinematografisë aziatike dhe botërore, si: Edward Pressman, Kees Kasander, Fan Bingbing, Masahiro Kobayashi dhe Reiko Kruk, ata që do të vlerësojnë filmat në konkurrencën për filmin më të mirë.

Përveç premierës së 24 tetorit, filmi do të shfaqet në ekranin e madh në Tokyo edhe njëherë tjetër tri ditë më vonë. Festivali do të hapet më 22 tetor, dhe do të zgjasë 8 ditë.

“Pas premierës do të kem një bashkëbisedim me artistë dhe gazetarë të atjeshëm”, ka treguar Ukaj, i cili drejt kryeqytetit japonez do të udhëtojë një ditë para premierës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here