Alban-DudushiKisha ku ai rrëfehet janë njerëzit e tij më të afërt. Jo për të gjitha, sigurisht. Sepse ka ca sekrete që nuk ndahen me këdo. Ama ka dhe ca të tjera qëmund të rrëfehen për të gjithë ata që e shohin dhe e dëgjojnë me ëndje në emisionin e tij të përnatshëm në Top Channel. Dhe kur është puna për të shuar ca kuriozitete, Alban Dudushi di ta bëjë shumë mirë. Lexoni këtë intervistë të tijën dhe, do të na jepni të drejtë.

Cili është mëngjesi yt rutinë?

Zgjimi rreth orës tetë e gjysmë, një gotë lëng, një sanduiç dhe leximi i shtypit.

Cili do të ishte mëngjesi yt ideal?

Të rri në krevat deri në 12, njëri variant. Ose të zgjohem herët në mëngjes duke lindur dielli. Më ka ndodhur shpesh të zgjohem herët dhe më pëlqen ajo atmosfera e qytetit të përgjumur që fillon dhe zgjohet ngadalë. Ne shqiptarët këtu në Shqipëri vazhdojmë të zgjohemi herët. Ndryshe nga në Kosovë, ku zgjimi është më i vonët. Atje më pëlqen shumë ideja e një mëngjesi të diele, kur zgjohesh vonë, ka zjarr në sobë dhe aromë petullash, qumështi të zier dhe reçeli J

Jashtë shtëpisë, cili është vendi i preferuar për kafen e mëngjesit?

Zakonisht kafja e parë e mëngjesit pihet në barin e televizionit bashkë me redaksinë duke shkëmbyer të rejat e ditës.

Me kë dëshiron të jesh në këtë gjerbje kafeje mëngjesi?

Nuk është çështje dëshire. Ndonjëherë më pëlqen të jem dhe vetëm pa njeri të pi kafen dhe të lexoj. Por kjo ndodh shumë rrallë. Në këtë kuptim do të thosha, me veten time.

A të pëlqen puna që bën, profesioni që ke?

Patjetër. Më pëlqen edhe pse ka momente kur ndjehem i lodhur. Po të mos më pëlqente do kisha ikur, do e kisha lënë.

A u devijon shpesh detyrimeve apo afateve ditore që ke?

Ndodh. Herë pas here.

Cila është “gënjeshtra e bardhë” më e përdorur në kësi rastesh?

Isha i zënë, do ta bëj pas pak, më vjen keq për vonesën, por kishte trafik. Megjithatë ngushëllohem pasi kam një mik që është më i tmerrshëm se unë. Ai, kur e thërret, është gjithmonë “vetëm dy hapa larg”, por gjithmonë duhet ta presësh më shumë se dy hapa J

A je dembel? Nëse po, kur ju ka kushtuar më shumë ky dembelizëm?

Nuk e mendoj veten për dembel, por më pëlqen dembelizmi. Ka ditë që më pëlqen shumë të mos bëj asgjë, të rri, të sorollatem, të mos dal fare nga shtëpia.

Ku të zë dreka zakonisht?

Në punë. Kështu që shpesh jam i detyruar që drekën ta ha jashtë në restorant, ose ta porosis në zyrë.

Cilat janë restorantet më të preferuara për drekën?

Restorante që gatuajnë edhe atë që ne i thërrasim gjellë shtëpie, gjellë tradicionale shqiptare. Fatmirësisht ka disa të tillë të mirë në Tiranë dhe që ne i kemi afër.

Fton apo të ftojnë më shpesh për dreka?

Më ftoj dhe ftojnë. Nuk di të të them saktësisht çfarë më ka ndodhur më shpesh. Për dreka pune, më shumë më ftojnë.

A je kursimtar?

Nuk mund ta them. Disa më quajnë dorëshpuar. Unë mendoj që jam më normal se ç’mund të mendojnë ata që ta bëjnë llogarinë e xhepit vetëm me të parë.

A e ke në rit gjumin, apo pushimin e drekës?

Gjatë verës më pëlqen, kur nuk jam në sezon. Normalisht nuk e kam ritual gjumin e drekës, megjithëse duke më pëlqyer përtacia, më pëlqen dhe ajo që spanjollët e quajnë siesta. Në humor quhet “një dremitje e lehtë prej tre-katër orësh”.

Kur ke qenë i vogël a ta kanë diktuar prindërit pushimin e detyruar të drekës? Bëje  rrenga për t’i shpëtuar?

Cili është ai që mund të thotë që nuk e ka pësuar këtë “dhunë familjare”? Ishte rregull i përgjithshëm. Në orën dy duhet të futeshe në shtëpi. Larja, dreka gjumi, deri në orën pesë. Dhe cili mund të thotë që nuk ka bërë asnjëherë sikur ka fjetur kur kanë ardhur prindërit për ta kontrolluar, megjithëse me mendjen e vet ishte ende duke luajtur shpatash?

Çfarë ke ruajtur që nga fëmijëria?

Nuk di të ta them… Ndoshta pak përhumbjen në ëndërrime.

Cila është koha që mbart për ty kujtimet më të bukura?

Fëmijëria patjetër. Por unë mendoj që në çdo periudhë kam patur gjëra të bukura që sot i kujtoj me nostalgji, duke thënë që gjithsesi kam bërë një jetë të bukur.

Po kujtimet e hidhura?

Periudha midis përfundimit të gjimnazit dhe shkollës së lartë. Më vdiq gjyshja dhe u ndava me të dashurën time të parë J

Ç’ndodh me sekretet e tua? I rrëfen diku, i shkruan diku, i mbani vetëm për vete…? A ke mbajtur ditar?

Njerëzit e mi të ngushtë janë kisha ime. Por ka sekrete që nuk ndahen me këdo. Kur kam qenë në gjimnaz, për një periudhë gati dy vjet kam mbajtur një ditar të rregullt. Gjatë viteve kam vazhduar në mënyrë sporadike të mbaj ditar dhe po të njëjtën gjë bëj dhe sot.

Çfarë ka në portofolin tënd?

Jo vetëm para J

Në mëngjes, a e gjen gjithmonë menjëherë atë që kërkon në dollapin e rrobave?

Shumicën e rasteve jam i qartë dhe nuk vonohem. Por ka dhe ditë që më duket vetja femër, për shkak të mospëlqimit para pasqyrës të çfarë kam veshur.

Cila është ngjyra që mbizotëron në shtëpinë tënde?

E bardha, kafja e pjekur dhe bezha.

A ekziston një aromë të cilën e preferon për produkte kozmetike, ushqime të paketuara, aromatizues ambienti apo makinë?

Për makinën kam gjithmonë të njëjtën aromë deti. Më pëlqen shumë aroma që të kujton sapunin dhe limonin dhe që mua më lidhin me idenë e pastërtisë.

Çfarë CD ke në makinë?

Për momentin kam një cd të bërë vetë me miks muzikor dhe katër CD me muzikë franceze të dhuruara nga atasheu i ambasadës franceze në Tiranë.

Çfarë muzike ke zile telefoni?

Kam një nga zilet standard që Blackberry ka.

A ke miq të vjetër? Nëse po, a takohesh shpesh me ta?

Dy shokët e mi të ngushtë të fëmijërisë janë jashtë Shqipërisë. Me njërin prej tyre, fatkeqësisht kam që prej 14 vjetësh që nuk takohem, ndërsa me tjetrin shihemi rrallë kur ai vjen këtu.

A je i hapur për miqësi të reja apo duhet kohë e prova për t’u bërë mik i yti?

Natyrisht që jam i hapur. Megjithatë, jo çdokush bëhet mik. Gjithmonë ka nevojë për një kohë prove.

Ku rri zakonisht me miqtë?

Udhëtojmë bashkë, ose mblidhemi në shtëpitë e njëri-tjetrit.

Në ç’orë mbyllesh zakonisht në shtëpi? Pra kur mbaron zakonisht dita jote?

Nuk është një ritual i përcaktuar. Ka ditë që mund të kthehem në shtëpi shumë herët. Dhe ndodh që po u ktheva nuk dal më. Por ka dhe ditë të tjera kur kalon mesnata dhe afron mëngjesi për t’u kthyer në shtëpi.

Cila është mbrëmja e zakonshme në shtëpinë tënde?

Një gatim i shpejtë, televizor, kryesisht ndonjë film i mirë ose dokumentar. Internet, dhe gjithmonë një libër përpara se të fle.

Po idealja, cila do të ishte?

Për mua është perfekt kështu.

Kur shkon për të fjetur?

Varet kur jam kthyer në shtëpi.

Cila është uniforma juaj e gjumit?

Nuk mbaj pizhama J

Kush është njeriu i fundit që i thua “Natën e mirë dhe gjumë të ëmbël”?

Me mend të gjithë atyre që i dua më shumë. Të shtrenjtëve….

Burimi: Vipat.info

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here