Flokët kaçurrel, pak të gjatë, ishin karakteristikë e djaloshit që realizonte “Orën zero”. Ky është imazhi që të gjithë mbajnë mend nga Albani i viteve 2000.

E pas kësaj, akrepat kapën menjëherë orën 23 të mbrëmjes, ku janë të fiksuar sot e kësaj dite. Kohët kanë kaluar… Moderatori i “Top Show-t” rrwfehet në një intervistë për Sh2-in.

Si ka filluar 2010-a për Albanin?

Nuk është se ka pasur ndonjë ndryshim të jashtëzakonshëm. Ka vazhduar normalisht programi që kam pasur, me punën e përditshme, po ashtu edhe jeta ime.

Keni gjashtë vjet që drejtoni një emision si Top Show..

Unë kam 6 vjet që bëj Top Show-n, po vetë ky emision nuk është i njëjti. Ne kemi qenë të kujdesshëm që gjithmonë të ndryshojmë, por jo në mënyrë radikale, pasi shpesh ka nevojë për një lloj freskimi brenda për brenda.
Keni bërë emisione edhe për fëmijë.. Si e shikon veten Albani- fëmijë në raport me fëmijët sot?

Besoj dhe nuk mendoj se nuk është vetëm konstatim im, por këtë duhet të ketë parë edhe im atë me mua. Gjithmonë tendenca është se një brez që vjen ka një tjetër zhvillim me një brez të mëparshëm. Mendoj që fëmijëria ima ka qenë shumë e mirë. Madje, në disa gjëra fëmijët sot kanë shumë lehtësira. Ne atëherë kemi pasur një lloj aktiviteti më të shëndetshëm.

Luanim, dilnim në lagje. Kishte më shumë aktivitet fizik, ndërsa fëmijët sot janë më shumë pasivë në këtë lloj kuptimi. Do të shkojnë te këndi i lojërave që të luajnë, nuk mund të shkojnë të luajnë në lagje se nuk ka më hapësira. Ose ne atëherë shikonim shumë më pak televizor sesa këta sot. Prapë është një moment pasiviteti që i vjen fëmijëve. E kishim kohën të shpërndarë ndërmjet lojërave të fëmijëve dhe aktivitetit fizik që janë po aq të rëndësishme. Unë mendoj që fëmijët sot kanë shumë avantazhe, por këtë e kanë disavantazh në krahasim me ne.

Me sa dimë Albani është edhe babai i nje vajze të vogel.. Si i keni marrëdhëniet me vogwlushen?

Ne flasim shumë me njeri-tjetrin. Ajo është në atë moshën që i zbraz gjërat nga njëra anë, por edhe tregon të gjitha fantazitë e saj, gjithë çfarë i vjen në mendje. Unë nuk dua dhe nuk e kam trajtuar ndonjëherë vajzën si një gjë të vogël, e cila duhet tani që ta kuptojë autoritetin tim. Dua që ajo të më ketë mua si njeriun e dashur, më të cilin mund të flasi pa fund.
Sa të vështirë e ka patur Albani për të ecur në këtë rrugën e televizionit?

Mbase kam qenë unë me fat, por kam dëgjuar shumë njerëz që thonë se u është dashur shumë për të arritur diku…

Unë kam pasur vetëm një ide kur kam qenë një gjimnaz; të bëhesha i famshëm. Nuk ishte puna te fama për hir të famës dhe njerëzit t’i kthenin sytë nga unë. Mua gjithmonë tek njerëzit më ka shqetësuar shumë ideja që, ti mund të jetosh në këtë botë pa e marrë vesh askush që ke ekzistuar përveç njerëzve të tu të afërm. Është ideja që t’i jep një kontribut, dhe të tjerët të njohin për shkak të një kontribut që ke dhënë në jetë. Mua më pëlqente kjo, megjithëse në atë kohë unë kisha pasionin e madh për t’u bërë aktor. E kam pasur këtë lloj delli artistik brenda vetes. Aktivizohesha që në 8-vjeçare, kam qenë në Shtëpi Pionieri që i vogël.

Kisha të qartë që do të bëhesha aktor, mirë po jeta është e çuditshme se si të merr. Kisha pasion për të shkruar dhe fillova të merresha me gazetari. Këtu filluan të bëheshin gjërat e paqarta pastaj; do vazhdoja të qëndroja në aktrim apo do të bëhesha gazetar. Ky lloj dualizmi i profesioneve të mia ka filluar deri nga 2001 kur hyra në Top Channel. Këtu e ndava mendjen, sepse isha i pakënaqur, nuk po shikoja gjëra që po më kënaqnin shumë. Kur fillova të spikasja më shumë si gazetar, dhe mora një lloj statusi, atëherë u shtyva më tepër nga gazetaria se sa nga aktrimi.

Para se t’i hynit gazetarisë, keni punuar, çfarë punë ka qenë ajo?

Kam bërë lloje të ndryshme punësh. Kam punuar kamarier, kam punuar në benzinat (në një pikë karburanti) gjatë kohës që kam qenë student. Ishte një mënyrë e mirë për të pasur paratë e mia pa i rënduar familjes.


“Mendjetrashët nuk i duroj dot”

Çfarë është lumturia absolute për Albanin?
Nuk ka lumturi absolute.
Ç’ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Ideja që kam shumë punë për të bërë.
Hera e fundit që ke qeshur me shpirt?
Qesh shpesh.
Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Më pëlqen komunikimi i lehtë me njerëzit.
Defekti juaj kryesor?
Mund të isha më i planifikuar.
Ndaj cilave gabimeve je më tolerant?
E kam më të lehtë të them ndaj cilave nuk jam tolerant. Nuk toleroj dot të më shpërdorojnë besimin.
Hera e fundit që je përlotur?
Duhet të ketë kohë, nuk më kujtohet.
Udhëtimi juaj i preferuar?
Mua më pëlqen të udhëtoj, më pëlqen shumë. Herë pas herë fundjavave e kam komoditetin që të marr makinën e të lëviz.
Cili është virtyti që vlerëson më shumë të një grua?
Në përgjithësi më pëlqejnë gratë që janë dhe të bukura dhe të mençura.
Po tek një burrë?
Sqimën.
Kënga që fërshëllen kur bën dush?
Në fakt në mëngjes zgjohem gjithmonë me një melodi në kokë. Në dush nuk këndoj apo fërshëllej
Muzika e preferuar?
“The doors”.
Ngjyra juaj e preferuar?
Në përgjithësi anoj nga të errëtat.
Kë konsideroni suksesin tuaj më të madh?
Punën time në “Top Show”.
Pija juaj e preferuar?
Uiski, vera, birra.
Çfarë urren më shumë në këtë botë?
Urrejtja është një fjalë shumë e rëndë. Po të flasim për gjërat që më bezdisin deri në neveritje, mendjetrashët nuk i duroj dot.
Në çfarë rastesh zgjedh të thuash gënjeshtra?
Zakonisht kur dua të ruaj disa gjëra të miat.
Cila është motoja juaj?
Të jetosh mirë, të jesh komod financiarisht dhe të jesh i rrethuar nga njerëz që i do e të duan. Të mundohesh të gjykosh pak e të kuptosh sa më shumë.
Si do të dëshiroje të vdisje?
Pa lënguar gjatë, e para. Dhe e dyta, me mendje në kokë.
Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t’i thoshit?
Që disa gjëra i ka bërë gabim.
Gjendja shpirtërore?
Mirë./shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here