Aishwarya Rai dhe Abhishek BachchanAmerika ka Hollivudin, Nigeria ka Nollivudin, ndërsa India Bollivudin. Bumi i industrisë së filmave në gjuhën hindi prodhon çdo vit qindra të tillë, përveç produksioneve muzikore.

Ndërkohë që shumë çifte të famshme të Hollivudit kanë arritur të kenë famë në të gjithë planetin, edhe Bollivudi ka nxjerrë një prej çifteve më të famshme në botë, Aishwarya Rai dhe Abhishek Bachchan.

Ash dhe Abhi, të njohur nga më shumë se 5 milionë fansa në të gjithë botën, ishin yjet e Bollivudit para se të dashuroheshin dhe më pas martoheshin në prill të 2007-s. Abhi, bashkëshorti i Ash, ka qenë pjesë e industrisë indiane të prodhimit të filmave që i vogël.

Të dy prindërit e tij kanë qenë aktorë Bollivudi dhe përgjatë viteve ai ka interpretuar në më shumë se 40 filma. Pasi u kurorëza si “Miss Bota” në vitin 1994, Ash u bë një nga yjet më të mëdha të Bollivudit. Që atëherë aktorja me sytë e mrekullueshëm dhe bukurinë mahnitëse ka lidhur me qindra kontrata, ka bërë me dhjetëra reklama dhe ka interpretuar në më shumë se 40 filma.

Aktualisht ajo fiton më shumë se 15 milionë dollarë për film. Pas kaq kohësh, për herë të parë, Ash and Abhi janë ulur për të dhënë intervistën e tyre të parë së bashku. Përpara se të ishin burrë e grua, Ash dhe Abhi ishin kolegë dhe miq shumë të mirë. Pasi punoi me Ash në disa filma, Abhi tregon se nisi të ndiejë diçka për aktoren e cilësuar si gruaja më e bukur në botë.

“Isha duke xhiruar në Nju Jork për një film. Po rrija në ballkonin e hotelit, duke menduar sa i lumtur do të isha nëse ndonjë ditë unë dhe Ash do të ishim bashkë dhe të martuar”. Vite më vonë, ish-kolegët u kthyen sërish në Nju Jork, por kësaj here si një çift i lumtur. Kishin ardhur në Amerikë për premierën e “Guru”-t, një film për të cilin kishin punuar së bashku, por Abhi kishte rezervuar diçka speciale për të.

“Pas premierës ne u kthyem në hotel. E çova Ash tek i njëjti ballkon ku shpreha dëshirën dhe e pyeta nëse donte të martohej me mua”. Pas fejesës, dasma e Ash dhe Abhi u bë një nga ngjarjet më të pritura në të gjithë Indinë. Për muaj me radhë media shkruante çdo detaj dhe plan të çiftit për dasmën. Në prill të vitit 2007 u bë celebrimi.

“Dasmat indiane janë shumë të komplikuara, por njëkohësisht edhe mjaft të bukura. Si pjesë e kulturës sonë ne duam të festojmë gjithçka. Dasma jonë zgjati për më shumë se një javë, rreth dhjetë ditë”, tregon Abhi. Në ditën e ceremonisë së dasmës, mijëra fansa mbushën rrugët jashtë shtëpisë së Abhit, duke u përpjekur të shikonin ndonjë pjesë nga dita më e rëndësishme e yjeve të Bollivudit.

Çifti mbajti edhe një ceremoni private për familjen dhe miqtë larg syve të paparacëve. Disa kohë pas martesës, Ash tregon se media dhe gazetat e thashethemeve nisën të shkruanin se çifti më i famshëm i Indisë do të sillnin së shpejti në jetë një fëmijë. “Më kanë bërë shtatzënë shumë herë. Njerëzit janë të prirur të shohin çdo ndryshim te ty dhe nëse ti nuk je në formë, ose shton ndonjë kilogramë më shumë, nuk është e vështirë ta shohësh veten në faqet e para të gazetave nën titullin ‘Ash është shtatzënë‘”, tregon aktorja bukuroshe.

Aishwarya Rai dhe Abhishek Bachchan tregojnë se jetojnë së bashku në një shtëpi me prindërit e Abhit. Sigurisht ata janë të pasur dhe të famshëm, por si pjesa më e madhe e çifteve indiane, ata nuk jetojnë vetëm. Ash dhe Abhi kanë një apartament në vilën e prindërve të tij. “Është diçka normale dhe krejtësisht natyrale për ne. Jetoja me prindërit para se të martohesha, kështu që nuk më bën përshtypje kjo gjë”, thotë Abhi, që më tej rrëfen se edhe gjyshërit e tij jetonin në një shtëpi së bashku me ta para se të vdisnin.

Kjo praktikë është shumë e zakonshme në disa vende të botës. “Të jetosh me prindërit dhe të kesh respekt për ta bën pjesë në proceset e jetës. Ata janë pjesë e jona përgjithmonë”, thotë Ash. Edhe pse i kanë kaluar të 30-at, Ash and Abhi u janë bindur rregullave të shtëpisë.

“Njëra prej tyre, e vendosur nga mami, është se nëse jemi të gjithë në qytet, duhet të hamë patjetër një vakt së bashku”, tregon Ash. Diferencat kulturore i kanë vënë re edhe në ekranin e madh. “Për shembull, djali takon vajzën, bien në dashuri dhe më pas duan të shprehin dashurinë për njëri-tjetrin. Në Indi ne kemi një këngë për këtë moment të jetës. Është shumë argëtuese”, tregon Abhi.

Hollivudi dhe Bollivudi bashkëveprojnë në produksione të ndryshme artistike. Shumë aktorë amerikanë bëjnë një ose dy filma në vit në Bollivud, ndërsa yjet indianë shfaqen në pesë apo gjashtë filma në vit në Hollivud. “Ne po punojmë së bashku dhe aktualisht kemi katër filma në përpunim e sipër.

Prandaj jemi gjithmonë të zënë”. Kur kanë ndonjë moment të lirë, Ash dhe Abhi nuk udhëtojnë nëpër vende ekzotike apo frekuentojnë klubet e natës më në zë të Mumbait. Në vend të tyre, ata preferojnë të qëndrojnë në shtëpi. “Ne na pëlqen të qëndrojmë në shtëpi, të kalojmë kohën me familjen dhe miqtë. Është diçka e natyrshme për ne. Kjo na argëton më shumë se udhëtimet apo daljet me miqtë”, tregon Ash. Aishwarya Rai renditet e nënta nga 100 gratë më të bukura të planetit, sipas listës së publikuar së fundmi nga revista “Harper‘s and Queen”./Gazeta Shqip

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here