Kujt nuk i kujtohet këngëtarja, Aida Ndoci – Dyrrah, kur më 2007, së bashku me Frederik Ndocin, Fredin, prezantuan Shqipërinë në “Kënga e Evrovisionit”, me këngën ‘Balada e gurit’.

Vetë pjesëmarrja në këtë festival ishte sukses i plotë, kurse për ndonjë çmim nuk shpresohej, pavarësisht se kënga ishte e bukur, pasi që si në çdo festival tjetër, duket se edhe këtu ka hyrë politika dhe matematika.

Aida, këtyre ditëve gjendet për herë të dytë në Kosovë dhe ne zhvilluam këtë bisedë.

Cili është qëllimi i ardhjes suaj në Kosovë?
Sa here që vie në Kosovë zemra më bëhet mal dhe kam një ndjenjë të veçantë, madje, gati, e kam ndarë mendjen që tërë vitin ta ndajë në dy pjesë, gjashtë muaj të jetoj në SHBA dhe gjashtë muaj në Kosovë. E dua Kosovën, dhe ndjehem mirë këtu, jam në shtëpinë time. Këtu kam shumë miq, do të thosha elitar dhe kur më pyesin, sa do të qëndrosh Aida, unë ua kthej, deri tu vie në majë të hundës, kurse ata ma kthejnë, dmth do qëndrosh përgjithmonë, hahaha. Megjithatë, kësaj radhe, si të thuash kam ardhur me një sebep. Dua ta përgatis një spot muzikor, me kompozitorin Andin Randobrava kushtuar vajzave të dhunuara shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë. Tema është e rëndë, por ne duhet t’i tregojmë botës se çfarë ka përjetuar femra shqiptare nga barbaria serbe. Por, që ta realizoj këtë projekt më nevojitet ndihmë nga njerëzit vullnetmirë!

Në ndërkohë, keni pasur shumë aktivitete në SHBA?
Është e vërtet. Unë jetoj që me shumë se shtatëmbëdhjetë vjet në SHBA, më konkretisht në Nju Jork dhe jam shumë aktive në komunitetin tonë atje, ku marr pjesë nëpër koncertet e ndryshme, qoftë humanitare, qoftë kombëtare, të cilat nuk janë të pakta.

Jeni shumë e lidhur me Atdheun tuaj, Shqipërinë, veçanërisht me Durrësin, prandaj edhe mbiemrin artistik e mbani, Dyrrah?
Ah, më keni prekur në tel Shaqo! Unë vdes për Durrësin. Më duket qyteti më i bukur në botë, e shoh edhe në ëndërr. Meqë, rrethanat kanë bërë që unë të mos mund të jem fizikisht në Durrës, atëherë emrin e vjetër Dyrrah, e kam përvetësuar dhe e bartë si mbiemrin time artistik. Jam shumë krenare që jam durrsake, shqiptare.

Si jeni gjendur ne SHBA?
Si çdo shqiptar, me vështirësi, por edhe me lehtësi, si ta marrësh. Unë jam një femër origjinale dhe nuk kam komplekse, isha e gatshme të punoja dhe të (mbi)jetoja, herë nga kënga, herë nga punët më pak artistike. Në Amerikë ka vend për të gjithë ata që duan të punojnë ndershëm.

Dukeni ekstravagante (sharmante) në skenë, kurse në jetë jeni shumë e thjeshtë?
Është e vërtet, skena kërkon pak sharmë dhe shumë shpirt, kurse në jetën private jam kjo që jam dhe nuk dua të ndryshoj. Jam shumë e sinqertë, e drejtpërdrejtë dhe mendimin e them troç. Por, kam vërejtur se femrat janë më të sinqerta, të më falësh Shaqo, dhe kam bindjen se dinë të dashurojnë më shumë, prandaj edhe të vuajnë më shumë. Meshkujt e shikojnë femrën vetëm me sy, kurse femrat i shikojnë meshkujt me zemër. Femrat sakrifikojnë më shumë, kurse meshkujt janë të gatshëm të të sfidojnë, madje për një ndeshje futbolli, hahah. Femra ka nevojë për përkujdesje dhe është sikur lulja që duhet të ujitet për çdo ditë që të rritet dhe të rri e freskët, mos të vyshket. Sepse, nëse vyshket, ajo bie dhe nëse bie, nuk ngrihet më.

Ju mbani në kokë, një kapelë, në formë sheshiri, republikë, ka ndonjë domethënie, apo?
Është çështje e imixhit, nuk ka ndonjë domethënie. Më duket se tek veshja dhe dukja e jashtme, edhe një detaj i vogël bën të dukesh bukur. Unë e kam shijen time dhe mendoj se ende ekziston thënia, për shije nuk diskutohet…kam shije për gjithçka, prandaj edhe për veshje, jam ithtare e variantit, bukuria në thjeshtësi! Po iu pëlqeva kështu, ja ku jam, ndryshe nuk dua të jem dhe as që kam nevojë. Dua të jem Aida e vërtet, e tëra dhe e bëra!

Jeni një femër e shoqëruar, e megjithatë e vetmuar….
Hahahah, mirë e keni vërejtur. Sikurse e dini unë kam pasur një martese dhe tashti jam free, e lirë, d.m.th. artiste e lirë dhe liria është gjëja më e shtrenjtë në jetë. Kam shumë miq dhe kam shumë fansa, por jam në kërkim të gjetjes së gjysmës së dytë të Idës? Po erdhi, okej, nëse jo, mirë jam, ndihem komode në këtë punë. Askush nuk e dëshiron ndarjen, por kur e sheh se gjërat nuk ecin, vjen një moment dhe thua, mjaft. Më mirë herët, se vonë…a dini si, shpirti im është tepër i kristaltë dhe po u ça, njëherë, nuk saldohet lehtë. Jam e kujdesshme dhe nuk dua të nxitohem në këtë punë. Për, të ‘keqen e domosdoshme’, kurrë nuk është vonë.

Çka do t’i porositnit vajzat e reja?
Mos të nxitojnë të bëhen nuse, se pastaj mund të pendohen.

Ju kishit nxituar?
Po del se po. Mbase, jo edhe aq shumë, ama unë jam ithtare e thënies latine, Festina lente (shpejto, ngadalë). As mos nxito, as mos u vono. Disa gjëra janë në duar të fatit dhe nuk ke fuqi t’i ndryshosh dot, edhe po deshe Ti. Unë, për nga karakteri jam shumë e fortë. Më teket për diçka dhe o, e bëra, o s’bën. Kam ndenja të forta, të sinqerta dhe jam femër me ndjenja për meshkuj…të mençur.

Duket se jeni një femër emocionale?
Shumë, shumë, shumë….dhe kjo (shpesh) më len pa gjumë…dhe më krijon shqetësime, herë të ëmbla, herë të rënda. Vjen ndonjë moment dhe më dridhet zemra, por gjithmonë e konsultoj edhe logjiken dhe rezultati më del perfekt. Unë i besoj shumë fatit dhe them, ndiqe fatin. Mirë, dihet se jo gjithçka është fat, por edhe jo gjithçka është në dorën tënde. Unë, jam në gjendje që të dashurohem aty për aty, me një shikim prej katër sekondash, por edhe të rrënojë gjithçka, nëse në sekondën e pestë e vërejë se gjërat nuk shkojnë për së mbari. Por, kujtimet mbesin dhe mjerë ai njeri që nuk ka çka të kujtojë. Në këtë botë, megjithatë, askush nuk ka të drejtë të gjykojë tjetrin, tjetrën për veprimet e tij, saj… gjithkush e koncipon jetën e vet për qejfin e vet dhe pastaj edhe të mirat, edhe të këqijat duhet t’i bartë vet!

Duket se jeta juaj është shumë interesante.
Shumë, nuk e ke idenë. Unë kam lindur në Durrës, por kam jetuar edhe në Korçë dhe në Sarandë, kurse tashti jetoj dhe punoj në SHBA dhe e keni parasysh çfarë sfidash kam kapërcyer në jetë dhe ende nuk mund të them se jam …tërësisht e qetë. Jeta është një garë, një luftë, një teatër, kurse ne jemi aktorët e saj. Por, nuk mund të ankohem, sepse bëjë një jetë, relativisht të bukur dhe me çaste të këndshme e të lumtura. Kjo është jeta.

Kujdeseni edhe për vijën e trupit?
Unë, qysh si fëmijë kam qenë halle-ligë, madje babai im shpesh më shikonte në gjumë se a jam duke marrë frymë. Nuk isha fëmijë i plotë dhe kështu vazhdoj, pa ndonjë kujdes të madh. Mund të them se kam oreks, por më pëlqen të pijë shumë ujë dhe fruta. Më pëlqejnë edhe gjërat tradicionale, nga kuzhina shqiptare (gjithçka që është shqiptare e kam për hatër).

Porosia juaj?

Ta duam Atdheun dhe të punojmë për të. Në Amerikë, thuhet (citohet) thënia e presidentit Wilson “Kurrë mos pyet çka ka bërë shteti për ty, por çka ke bërë ti për shtetin”./Telegrafi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here