Agnesa Vuthaj, bën pjesë në ato personazhe që sado të dalin nëpër gazeta a revista, nuk bëhen kurrë të mërzitshme. Sepse në mos me atë që thotë, fotot e saj tërheqin gjithmonë vëmendjen.

I tillë është edhe seti që do të shoqërojë intervistën që bukuroshja ka dhënë për “Bluetooth”…Intervistë kjo, në të cilën ka mjaft gjëra për t’u lexuar. Angazhimet aktuale të Agnesës dhe dashuria. Politika dhe “Dancing With the Stars”. Për kë bëri tifo ajo këtë vit dhe marrëdhënia e shumëpërfolur me Simonen… Rrëfehet Agnesa.

Agnesa, kemi kohë që nuk të kemi në Tiranë… Nuk të ka marrë malli?
Më merr malli gjithmonë për Tiranën dhe gjithë Shqipërinë. Kam qenë para pak muajsh për punë, por shumë shkurt dhe së shpejti do të vij prapë, por jo vetëm për punë, edhe për qejf.
Cili është aktiviteti yt për momentin? Me se po merresh?
Kam qenë e angazhuar këto ditë me show-n televiziv “Unë jam Top Model” si anëtare e jurisë, një format interesant në kërkim dhe përzgjedhje të modelëve të rinj, pastaj isha bashkëpunëtore në organizimin e Videofestit Muzikor. Gjithashtu, së shpejti do të më shihni edhe si imazh të një kompanie shumë prestigjioze.
Ne dimë që ti ke bërë shpesh punë vullnetare në ndihmë të komunitetit. Vazhdon të jetë kjo, pjesë e aktiviteteve të tua?
Unë kam bërë shumë punë vullnetare dhe vazhdoj të bëj, edhe kur më kërkohet, por edhe përgjatë organizimeve të mia të spektakleve apo aktivitete të tjera, gjithmonë gjej një mënyrë për të ndërlidhur anën humane. Unë jam edhe anëtare e “Rotary Club Prishtina”, dhe si klub kemi organizuar shumë aktivitete bamirësie këtë vit dhe kemi ndihmuar Spitalin Pediatrik e shumë shoqata të tjera që kanë pasur nevojë për ndihmën tonë.
Ndërkohë, vazhdon me dëshirë edhe përzgjedhjen e bukurosheve të Kosovës…A të ka lodhur ndonjëherë kjo punë?
Edhe më ka lodhur, jo përzgjedhja, por puna si producente, e cila kërkon shumë përkushtim dhe kushtet në Kosovë janë akoma të papërshtatshme për të realizuar një program televiziv ashtu siç kërkohet apo pritet.
Ndjen xhelozi kur sheh që kurora e bukurisë bëhet çdo vit pronë e vajzave të ndryshme e nuk mund të jetë më e jotja?
Nuk kam pse të ndjej xhelozi; secila vajzë ka fatin e saj dhe po ashtu secila mund të ketë suksesin e saj. Mua më ka shërbyer shumë kurora dhe titujt e bukurisë dhe ia uroj këtë sukses edhe pasardhëseve të mia. Unë jam munduar gjithmonë që të përkrah vajzat e reja, të cilat meritojnë të jenë pjesë e botës së modës dhe bukurisë në Kosovë, Shqipëri apo edhe në Diasporë. Ndjej krenari që kemi kaq shumë vajza të bukura, të cilat me dinjitet po përfaqësojnë Kosovën e Shqipërinë nëpër evenimente ndërkombëtare.
E ke ndjekur “Dancing With The Stars” këtë vit? Si po të duket, duke qenë se vjet ti ke qenë vetë konkurrente në këtë format?
Po, e kam përcjellur herë pas here, më ka pëlqyer gjithmonë formati i “DWS”; edhe këtë vit e kam ndjekur edhe me shumë emocion, sepse i kujtoja vallëzimet e mia dhe ndjej nostalgji për atë kohë. Dua të veçoj që këtë vit më kanë pëlqyer jashtëzakonisht shumë edhe veshjet e koreografitë.
Kush është çifti yt i preferuar?
Provoj të përcjell gjithmonë performancën e Zhakut dhe Simones; i parapëlqej përpjekjet me shumë përkushtim të Zhakut dhe Simones, dhe mendoj që secili vallëzim i tyre ka qenë i veçantë, si koreografi, përputhur me hapin bazë, me muzikën dhe interpretimin e të dyve. Gjithashtu e pëlqej shumë edhe Elvanën, performancën dhe dukjen e saj në “DWS”.
Me partnerin tënd të kërcimit, Simonen, a mban akoma kontakte? A ka pasur në ndonjë moment, diçka më shumë se miqësi midis jush?
Simonen përveç partner të vallëzimit, e konsideroj edhe meritues të suksesit të përbashkët që arritëm në “Dancing With the Stars” vitin e kaluar. Përveç aktivitetit në të cilin ishim të angazhuar dhe miqësisë, asnjëri nga ne nuk ka pretenduar diçka tjetër dhe koha e dëshmoi, që ato që u përfolën në spektakël dhe media mbetën vetëm fjalë dhe këtë çështje e konsideroj si temë të mbyllur tashmë.
Jemi në prag pushimesh. Ke bërë ndonjë plan?
Po, më mban akoma energjia e pushimeve të gjata dimërore që i kalova në Miami. Nuk kam vendosur akoma për pushimet verore, sepse do jem e angazhuar me disa projekte të radhës këtë verë, por në bregdetin shqiptar do kaloj disa ditë gjithsesi.
Në krahët e kujt do e kalosh verën?
Verën do e kaloj me punë, por edhe pranë familjes sime dhe miqve të mi të afërt.
U bë kohë që deklaron se je singëll…Duhet të vazhdojmë ta besojmë? A ka një mashkull përkrah Agnesës?
Unë asnjëherë nuk kam preferuar të flas shumë për jetën time private. Kam dashur të krijoj imazhin tim mbi punën time dhe jo statusin tim. Kur ta kompletoj historinë time të dashurisë, do e tregoj në një intervistë speciale.0
A nuk do doje dhe ti si të gjitha femrat, të tregoje me krenari mbi mashkullin që ke në krah?
Karriera që kam krijuar ndër vite më ka mbajtur krenare edhe pa pasur një mashkull në krah.
Çfarë e tërheq vëmendjen tënde? Çfarë duhet të ketë një mashkull që të të bëjë për vete?
Unë vlerësoj shumë personalitetin e një mashkulli, sjelljen, respektin, vendosmërinë, guximin e patjetër edhe dashurinë.
Nëse do e krahasoje me një figurë të njohur, si kush do të doje të ishte i dashuri yt i ardhshëm?
Nuk preferoj të bëj krahasime, i dashuri im duhet të jetë unik.
Mund të ishte ky një politikan?
Për shumë arsye, jo.
Ti, si i ke raportet me politikën, meqë edhe ke studiuar për këtë fushë? Do bëhesh deputete?
Njëherë për njëherë jam e lumtur me punën që bëj dhe nuk kam interes të kyçem në politikën aktuale në vend. Me kalimin e viteve edhe mund të ndodhë të më shihni edhe në politikë.
/Bluetooth/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here