Ka ndodhur shpesh kjo me këngëtaren Çiljeta Xhilaga, e cila vitin e shkuar agjëroi “Natën e Kadrit”, ndonëse po atë ditë kishte një koncert në Himarë.

Edhe këtë vit Çiljeta, e cila është e njohur në komunitetin mysliman për besimin e saj thotë për “Summer Pages” që megjithëse e ka të vështirë të agjërojë të gjithë muajin, do të gjejë mënyrën për të agjëruar të paktën netët e ashtuquajtura të mira sipas besimit mysliman.

Të devotshëm ndaj besimit mysliman janë edhe disa nga reperët shqiptarë si Ledri Vula, Lyrical Son, Mc Kresha, të cilët megjithëse të angazhuar me koncerte përsëri e kanë gjetur mënyrën për të agjëruar gjatë netëve të mira.

Ndërkaq, Teuta Kurti është gjithashtu një besimtare e devotshme. Gjatë një prononcimi të dhënë së fundmi për mediat këngëtarja Kurti është shprehur se: “Agjërimin e Ramazanit e kam mbajtur përherë që në moshën e adoleshencës, ndonëse për mua ky muaj është muaji më i bekuar dhe më i adhuruar, shkruan gazeta Shqiptare.

Këtë përkushtim e kam nga familja ime, e cila i përkushtohet fesë sonë myslimane dhe unë e trashëgoj nga ta. Fatmirësisht edhe familja e bashkëshortit është e dhënë pas fesë dhe kështu që jam e lumtur për këtë fakt.

Unë përveç që agjëroj i kryej edhe ritet fetare siç është falja e namazit dhe thënë të vërtetën ndjehem shumë mirë shpirtërisht kur kryej obligimet fetare ndaj Allahut”.

Sakaq Zaimina Vasjari bën pjesë gjithashtu në këngëtaret besimtare. “Kam agjëruar ditën e parë të muajit Ramazan, do të agjëroj dhe ditën e fundit si dhe në Natën e Kadrit.

Koncertet na e bëjnë të pamundur agjërimin, jemi gjatë gjithë kohës në lëvizje…”, – shprehet bukuroshja Vasjari për suplementin. Të njëjtën përgjigje me të ndan edhe këngëtarja Anjeza Branka, e cila gjithashtu do të agjërojë vetëm në Natën e Kadrit.

Krahas tyre personazhe të tjerë, shumë të dashur për publikun si: Sidrit Bejleri, Adelajda Xhamani e Marin Orhanasi, janë më rigorozë kur vendosen përballë urdhëresave të Allahut. Të tri këta personazhe ‘kanë bërë nijet’ siç thonë, që të agjërojnë në të 30 ditët e Ramazanit.

Ndërkohë që emra të tjerë përtej Shqipërisë, në Kosovë dhe Maqedoni do të agjërojnë gjatë këtij muaji. Një pjesë e mirë e këngëtarëve si: Shpat Kasapi, Adrijan Gaxha, Gili, Leonora Jakupi, Tuna, Big Mama, etj, pavarësisht koncerteve të shumta kanë nisur agjërimin – ndonëse jo me kohë të plotë.

Po Deputetët?!

Lidhur me këtë çështje pyetëm edhe disa prej deputetëve të parlamentit tonë.

E nisëm me aktoren e njohur Rajmonda Bulku, e cila na tha se ndonëse beson shumë në Zot nuk i ndjek me fanatizëm ritualet e fesë Islame.

Të njëjtin mendim me të ndante edhe deputetja socialiste, Shega Ligori e cila gjatë një komunikimi të shkurtër që patëm dje përmes telefonit, na u përgjigj: “Unë besoj në Zot dhe jo në rite”.

Menjëherë, pas saj i telefonuam zonjës Bregu, prej së cilës ishim të bindur që do të merrnim një përgjigje pozitive, dhe kështu ndodhi.

Ministrja e Integrimit ka bërë nijet (plan) që të agjërojë në netët e mira dhe sigurisht gjatë Natës së Kadrit. Njësoj si ajo do të bëjë edhe deputeti demokrat, Dash Sula. I kontaktuar nga “Summer Pages”, zoti Sula është përgjigjur se “agjërojmë familjarisht gjatë netëve të shënuara të këtij muaji”.

Për të mbyllur listën e deputetëve të parlamentit shqiptar kontaktuam dhe me Enkelejd Alibeajn, i cili na pohoi se, nuk ka mbajtur ende asnjë ditë Ramazan. Pavarësisht, faktit se zoti Alibeaj që pas udhëtimit në Mekë, gëzon dhe titullin “Haxhi”, nuk mban agjërim gjatë muajit të shenjtë.

Ndërkaq, ndonëse jo të përfshirë drejtpërdrejtë në politikë, familjarët e kryeministrit, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët: Argita e Shkëlzen Berisha agjërojnë gjatë Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit si dhe shtrojnë iftarë për agjëruesit e tjerë myslimanë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here