agimposhkaAgim Poshka është ndoshta ndër të vetmit këngëtar shqiptar, që ka një titull Doktor, dhe këtë në fushen e Filologjisë dhe Edukimit të Gjuhëve. Megjithatë pasioni që ka ai për muziken është shumë i madh. Në një interviste të dhënë për suplementin “Koha Tjetër”, Agimi flet për arritjet si pedagog, për jetën, projektet e tij dhe sigurisht edhe për problemet që shqetësojnë sot muziken shqiptare. Për më shumë lexoni intervisten e plotë.

 

Si ishte viti 2012 për ju?

Ka qënë një vit i varfer në fushen muzikore. I jam dedikuar në pjesën më të madhe të kohës punës në Universitet dhe familjes, pasi në verën e vitit që lamë pas u futa dhe në shtëpinë e re. Ajo që nuk dihet ende në Shqiperi për mua, është fakti që unë udhëheq një komunitet artistësh në Maqedoni. Është Shoqata e Artistëve Shqiptar në Maqedoni për të krijuar hapësira të barabarta mes artistëve shqiptare dhe atyre maqedonas. Aktiviteti i fundit kishte të bëntë me diskriminimin që televizioni publik maqedonas u bën artistëve shqiptar gjatë organizmit të konkursit për në Eurovision, ku një ndër nenët e statusit të këtij festivali thotë se këngët duhet të kendohen vetëm në gjuhen maqedonase. Kjo është diskriminuese duke marr parasysh faktin se edhe gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Maqedoni. Ne kemi pasur një serë konferencash si komunitet artistik shqiptar, sepse besojmë që është absurde për një festival multi-kulturor si Eurosongu të organizohen konkurse mono-kulturore.

A kishte diçka që ju ka mbetur pa realizuar dhe në një farë mënyre peng, nga viti që shkoi?

Kisha disa ide që kishin të bëjnë më shumë me menaxhimin artistik se sa krijues, që desha t’i nis por mbetën për këtë vit.

Po viti 2013 si ka nisur për ju?

Në qetësi!! Bëra disa dite pushimet duke bërë edhe pak ski dhe turizem malor, pasi e di se më pret një vit intensiv.

Cilat janë pritshmërit për këtë vit të ri në aspektin profesional?

Ky vit do të jetë mjaft më dinamik për vetë faktin që viti 2013 për mua është vit jubilar. Këtë vit bëhen 15 vite nga regjistrimi i këngës time të parë që ndodhi në Tiranë dhe prezantimin tim të parë në TVSH. Besoj ky vit jubile për mua, do të shoqërohet me një koncert gala dhe album të ri, por edhe një liber me rreth 60 poezi. Mbi disa nga këto vargje une kam shkruar edhe muzikën dhe i kam bërë këngë.

Po në atë jetësore?

Shpresojmë për një bebe të shumë pritur në shtëpinë e familjes Poshka. Kënget, bebit I’a kemi shkruar, kompozuar dhe dedikuar dhe më heret dhe tani vetëm shpresoj të personalizohen.

Si e shihni ndërlidhjen e rrymave të ndryshme sot në muziken shqiptare?

Mendoj që ndërlidhja e rrymave muzikore në atë shqiptare, e pasuron atë dhe i jep një dimension më global jetës së shqiptarëve. Kjo ka qënë e nevojshme pas shumë vitesh komunizëm dhe tranzicionit të tejzgjatur. Ajo që nuk shkon, sipas mendimit tim është ndërlidhja e frymëve dhe motiveve të etnive të ndryshme në muziken shqipe. Disa do të thonë që “ky është Ballkani, një tavë turli”, dhe jam dakord, por identiteti ishte autenticiteti i muzikës shqiptare, si një nga tiparet që formoi identitetin e dallueshem shqiptar ndër shekuj. Dhe për çudi tani që jemi kryesisht të lirë në trojet tona në merremi ose më mirë kopjojmë, muziken e popujve të tjerë. Kjo nuk është si arsye e shpirtit kosmopolitan që kanë disa “kompozitorë” shqiptarë por është arsye e shpirtit medioker dhe ekstremist komercial, që kanë disa muzikantë shqiptarë.

Ju kemi parë paksa të tërhequr nga muzika, pse?

Unë përveç karrieres time muzikore që e fillova si jo shumë i ri, kisha paralelisht edhe një profesion të cilin e kam dashur dhe i jam dedikuar  për një kohë të gjatë. Gjatë 6 – 7 viteve të fundit kam jetuar dhe studiuar edhe disa semestra në Amerike, për të kompletuar kualifikimin tim post-diplomik. Më pas mbrojta edhe Doktoraturen në fushen e Filologjise dhe Edukimit të gjuhëve. Kjo kërkon seriozitet dhe angazhim të vazhdueshem, periudhë që e nxori përkohësisht muziken në plan të dytë. Por tani që statusi im si Docent Universitar është i kompletuar, unë mundem t’i kthehem më i pjekur edhe muzikës.

A keni pengje për humbjen e disa vitëve të rinisë në profesionin e Profesorit serioz, kur mund të ishit një muzikant i lirë dhe të shijonit ato vite me shumë dinamizëm siç dinë të bëjnë artistët?

Mbase po, në momentë të caktuara, por njeriu maturohet dhe kupton që shpesh herë kanë rëndësi planet e së ardhmes sesa kënaqesit e momentit. Une fillova punë në moshen 22-vjeçare si një lektor i thjeshtë në Universitetin e Evropes Juglindore në Tetove në vitin 2001, kohë kur ishin edhe luftimet midis UCK-se dhe ushtrisë maqedonase. Në atë faze, njeriu kupton që të punosh ndershëm në arsimimin e brezit të ri të popullit tënd, është më e rëndësishme se një turne koncertesh në Gjermani ose Zvicer. Nuk po them se ata që bënë koncerte gabonin por aty, unë ndjeva se mund të jepja kontributin më të madh për vendin tim edhe sepse gjëndja e sigurisë në Tetovë gjatë kohës së pas luftës, ishte larg nga normalja. Sado që duam ndonjëherë të kemi statusin e një “ylli të madh artistik” ne jetojmë në një Gadishull të vogel ku duhet të evidentojmë vazhdimisht vlerat tona, përballë shumicës sllave në Ballkan.

Çfarë do ju largonte përfundimisht nga muzika?

Vetëm fatkeqësitë shëndetësore. Edhe pse jam komod në profesionin e pedagogut, muzika për mua përfaqëson botën shpirtërore dhe për mua bota shpirterore është shumë më e rëndësishme se ajo materiale.

Kemi parë se muzika rome po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e muzikës shqiptare, ju çfare mendimi keni për këtë?

E preka pjesërisht këtë temë edhe më sipër. Një popull me gjithë këtë folk të pasur, me gjithë ato variacione motivesh, që ndryshojne nga jugu deri në veri, nuk ka nevoje fare për huazime. Pashko Vaso ka thënë “muzika shqiptare kaloi 3000 vite në robëri të ndryshme, por përsëri ruajti identitetin e saj”. Sot një pjesë e këtyre pseudo-muzikantëve e kanë më në zemer muziken rome, se muziken shqipe. Për mua muzika rome është mjaft e bukur por njoh muziken time shqipe në identitet. Muzikanti shqiptar nuk ka si bëhet modern dhe interesant me muziken e një populli tjetër. Muzika rome për hir të së vertetës ka një muzike dhe muzikantë të jashtezakonshem, por identiteti muzikor shqiptar duhet të pretëndojë vlerat perendimore siç bëjnë të gjitha fushat e tjera artistike si teatri, piktura, baleti dhe jo të pretëndoje lindjen ose orientin.

Gati për çdo këngë të re që del, thuhet se është e kopjuar, ju duket normale kjo?

Të jem i sinqertë shpesh herë kjo edhe është e vertet. Ky është një fenomen gati normal tani. Për fat të keq një pjesë e madhe e radiove, televizionëve dhe festivaleve, nuk kanë redaktorë të vërtet muzikore që të filtrojnë muziken e vërtet popullore ose moderne shqiptare nga këto devijime dhe ne gjëndemi në këtë gjëndje që jemi. Në vënd që mediumet të kenë redaktor muzikor profesionist ata kanë redaktor profesionist komercial. Unë e kuptoj që është ekonomi e tregut, por me këto ritme neve do të harrojme çfarë kemi hequr t’a ruajme këtë identitet deri në ditët e sotme dhe tani që jemi të lire, në vend të krijojme lirshem disa nga ne vjedhin nga turqit, grekët, rumunët, romët etj.

Ironia më e madhe është se një pjesë e “muzikantëve” thonë që ata s’kanë ç’të bëjnë se ashtu e do populli dhe ky është një mashtrim i madh. Populli shqiptar konsumon atë që i ofrohet. Ndonjëherë mendoj se një pjesë e këtyre hajdutëve kanë studiuar mirë teoritë filozofike të Orteges për psikologjinë e turmave.

Nëse do të kishit mundësi që të ndryshonit diçka, çfare do të donit të ndryshonit në muzikë?

Unë do të kisha propozuar fillimin e një strategjie afatgjatë të Ministrisë së Kulturës për ruajtjen e vlerave dhe kulturës muzikore brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kjo nuk bëhet me institute të kohës së xhaxhit duke hapur muze, duke ruajtur fonograme dhe transmetuar vetëm këngë të Fitnete Rexhës dhe Jusuf Myzyrit, por duke kontrolluar redaksite muzikore për permbajtjen e dyshimtë që promovojnë ata. Mund të tingellojë si ide e kohës së “reformave agrare” por Franca kështu e ka zgjidhur. Mediumet paguajnë për muziken që transmetojne dhe e kanë të detyrueshme që 40% e muzikës se tyre të jetë autentike franceze qoftë ajo pop, folk apo rock. Duke bërë këtë balancë, autorët e mirëfilltë shqiptarë stimulohen dhe paguhen për artin që bëjnë dhe çlirohen nga ata që vjedhin muzikën e popujve të tjerë. Muzika është kategoria më fluide, nuk është si kostumet popullore që i konservon dhe e ke siguruar cilësinë ndër vite. Brezi i ri që do rritet me muzikë rome, turke dhe grekë do të vazhdojë këtë tradite edhe të brezi i ardhshëm. Në fillim besoja se kjo fatkeqësi ka kapluar vetëm zonat jashtë shtetit zyrtar shqiptar si Maqedonia, Kosova apo Mali i Zi por kjo është një metastazë që vitet e fundit lulëzon edhe në qëndren e Shqipërisë, Tiranë. Sado që tingellon fataliste, ka ardhur koha që dikush të ndërmarrë diçka sepse pasojat do t’i ndjejmë shpejt dhe s’do jenë të largëta

Çfare do na thoni për në fund?

Shëndet, fat e mbarësi për të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe faleminderit redaksisë suaj që ngacmoni temat delikate të lartpërmendura. Unë si natyrë jam optimist dhe besoj se ne shqiptarët do gjejmë energjinë e duhur për të unifikuar vlerat muzikore dhe artistike kombëtare.

Burimi: Vipat.info

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here