Bukuroshja e “Miss Universe 2011”, modelja dhe këngëtarja Afërdita Dreshaj, është prekur shumë me largimin nga spektakli i vallëzimit “Dancing with the stars” gjatë mbrëmjes së të enjtes, pasi konsideron se jo vetëm që ka kërcyer shumë mirë, por edhe se vlerësimi i jurisë ka qenë gati maksimal.

“Të dal unë me 27 pikë, kur 30 pikë janë gjithsej dhe pikët maksimale që u morën të enjten ishin 28, kjo nuk di si është e mundur. Turp!”, – thotë Afërdita në një intervistë për “Standard”, duke ndarë me ne emocionet rreth këtij eventi.

Ajo është e bindur se “Dance off”-i përballë shoqes së saj të ngushtë, Adelina Tahirit (së cilës i uron fitoren) ka qenë i kurdisur, pasi do të kishte më shumë ndikim te shikuesit. Ndërkohë, në Facebook dhe rrjetet e tjera virtuale kanë plasur debatet mes fansave, të cilët kundërshtojnë këtë largim të parakohshëm të Afërditës së bukur. Por, po i ecën mbarë me të tjera plane të fejuarës së Shpat Kasapit (gjithashtu konkurrent edicionin e kaluar në DWS), pasi ajo do të realizojë shumë shpejt një reklamë gjigante – siç thotë edhe vetë – ndërsa pret të punojë edhe për dy klipe të rinj.

Afërdita, u mërzite që u eliminove mbrëmjen e së enjtes nga “Dancing with the stars”. E prisje largimin?

Unë di të them vetëm që kur kam hyrë në këtë spektakël, kam menduar për zhgënjimin që pësoi Genta Ismajli gjatë edicionit të parë. Por, pastaj mendova që vitin e dytë sikur producentët e morën me më shumë seriozitet dhe mendova që do ishte kështu edhe kësaj radhe… Kam hyrë me seriozitet dhe profesionalizëm, ashtu sikurse marr çdo punë që bëj. Por, meqenëse profesionalizmin nuk e duan këtu në Shqipëri, të paktën në shumicën e spektakleve sepse nuk mund t’i përgjithësoj të gjithë, me të vërtetë nuk di të them se çfarë ndodhi. Të dal unë me 27 pikë, kur 30 pikë janë gjithsej dhe pikët maksimale që u morën të enjten ishin 28, kjo nuk di si është e mundur.

Unë po shoh reagimet e fansave në internet, të cilët duken mjaft të acaruar nga largimi yt, sepse e konsiderojnë të padrejtë dhe të parakohshëm…

E di që fansat kanë votuar për mua dhe unë jam munduar të mos i zhgënjej. Pra, vota prej tyre e di që kam marrë, jam e sigurt, ndaj them se jam e shokuar nga ky eliminim. Të kisha marrë më pak pikë, do ta kuptoja, por me 27 pikë?! Nga ana tjetër, jam plotësisht e vetëdijshme që nuk e meritoja, sepse njeriu e kupton kur nuk performon mirë. Po të kishte qenë një kërcim që nuk më shkonte dhe me të cilin unë nuk u ndjeva mirë në skenë, ok, por ja që gjithçka shkoi shumë mirë dhe për këtë ma dha konfirmimin edhe vetë juria! Është turp!

Ti dole në “Dance off”, që është faza e nxehtë e eleminimit, me shoqen tënde, Adelina Tahirin. Si e përjetove këtë përballje?

Në “Dance off” dolëm ne të dyja, sepse dihet që unë dhe Adelina jemi shoqe të sigurta dhe kjo përballje do të kishte impakt për spektaklin. Për këtë jam e sigurt.

Ndryshe nga ajo, ti e mbajte shumë veten. Adelina u shkreh në vaj…

E mbajta veten sepse kisha 3 muaj që merresha intensivisht me atë garë. Aq seriozisht dhe me angazhim e kam marrë, saqë jam shpërngulur nga SHBA në Tiranë, duke lënë gjithçka pezull. Këtë mendova, ndaj lotët nuk ia vlenin. Por, kam qarë pas skenës. U prekën për mua edhe Ardi Asllani, Lili griemierja, të gjithë ata që punojnë aty.

Je më shumë e prekur me jurinë apo me votat e fansave që të nxorën në “Dance off”?

Nuk di ç’të të them, vetë juria ishte në kontradiktë me veten, njëherë më vlerësoi gati maksimalisht dhe pastaj po në atë mbrëmje më eliminoi. Ilir Shaqirin e kam shok, e njoh që vitin e kaluar, kur mori pjesë Shpati në DWS, me Iva Tiçon njihemi nga bashkëpunimi në revistë, ndërsa Alfred Kaçinari më ka surprizuar për mirë, sepse kisha një opinion të ndryshëm për të para se të hyja në spektakël. Ai në fakt ishte shumë i mirë.

Ti vetë prisje ta fitoje spektaklin e vallëzimit këtë edicion?

Të jem e ndërgjegjshme, nuk prisja fitoren, por të paktën finalen. Megjithatë, jam e lumtur që fansat e mi më konsiderojnë fituesen morale të këtij edicioni të “Dancing with the stars” dhe ua them sinqerisht që kaq për mua mjafton.

Po me Shpatin a ke komunikuar gjatë këtyre orëve, çfarë të ka thënë ai?

Të enjten në mbrëmje, pas performancës Shpati më ka sjellë një mesazh ku shkruante: “Ke shkëlqyer në tango, kërcimi më i bukur që ke realizuar, mos ki frikë sepse ke qenë perfekte”. Më pas ndodhi ajo që ndodhi.

Po Shpati vjet u zhgënjye nga kjo garë?

Shpatin vjet e prisja në finale, por as ai nuk doli.

Çfarë do doje t’i thoshe tani jurisë së DWS dhe produksionit?

Do doja vetëm t’u jepja një këshillë, një koment që nuk më erdhi mbrëmjen e së enjtes: juria dhe stafi përkatës nuk duhet të shohin vetëm atë kërcim që zgjat një minutë, por ta gjykojnë personazhin VIP në paketë, pra të marrin në konsideratë edhe provat, korrektësinë etj.

Me çfarë po merresh tani?

Do rri këtu në Tiranë edhe 2-3 ditë, sa të realizoj xhirimet për një reklamë gjigante që do ta shihni shumë shpejt.

Për çfarë bëhet fjalë, nëse mund të na zbulosh diçka më tepër?

Ah, nuk mund t’ju zbuloj më tepër, por di të them që billboard-et me fytyrën time do t’i shihni shumë shpejt në gjithë Shqipërinë.

Po sa i takon muzikës, je në përgatitje të ndonjë klipi të ri?

Po, kam mbaruar dy këngë të cilat do t’i kompletoj me klip gjatë qershorit, kështu që gjatë verës do më shihni më ndryshe. Do sjell një Afërditë që nuk do të meritojë gjykime si ai i “Dancing with the stars Albania”.

Së fundmi, kush mendon se do ta fitojë “Dancing with the stars” dhe kujt do t’ia uroje ti fitoren?

E dimë të gjithë se kush mund ta fitojë, por unë personalisht fitoren do t’ia uroja shoqes sime, Adelinës, dhe pas saj Foto Strakoshës, me të cilin jam miqësuar shumë. Një nga personat me të cilët jam miqësuar më shumë gjatë kësaj aventure ka qenë Seldi.

U miqësuat me të gjithë apo pati si në çdo garë qejfmbetje?

Jo, ne VIP-at shkonim shumë mirë me njëri-tjetrin. Të gjithë janë shumë të mirë, kanë marrë përsipër këtë garë për të dhënë më të mirën nga vetja. Por, ndodh që juria pëlqen dikë, produksioni pëlqen dikë tjetër etj. Ja që kështu ndodh!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here