Nëse Afërdita kalon në rrugë, zor se ndonjë nga kalimtarët nuk e kthen kokën pas. Me një bukuri perëndeshe, përmasa ideale trupore, ajo rrëmben vëmendjen kudo ku shkon

Prej pak kohësh ndodhesh në Tiranë, së bashku me Shpatin, i cili nis aventurën në “Dancing with the Stars”. Si po e përjetoni transferimin këtu?

Tiranën e dashuroj, nuk mund ta shpjegoj se sa shumë e dua. Këtë e them seriozisht, sa herë që më pyesin. Edhe kur kam biseduar me Shpatin, i kam thënë që edhe nëse ai vendos që një ditë ne të jetojmë këtu, unë do isha shumë e lumtur.

Do ishe gati ta lije Amerikën për Tiranën?

Po, patjetër, e kam bërë këtë gjë edhe tani që flasim, që jam këtu me Shpatin.

Afërdita, ti mban mbi krye kurorën e Miss Kosovës, që është shoqëruar me shumë thashetheme për ty. Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje nga gjithë ç’u tha?

Kanë thënë që Afërdita e ka blerë çmimin. Ky është një thashethem i tmerrshëm. Nuk e di se çfarë kanë menduar duke shpikur këtë. Dua të sqaroj këtu, meqenëse më jepet rasti, që unë nuk kam blerë kurrë asnjë gjë në jetën time.

Miss Universi këtë vit zhvillohet në Brazil, një vend që nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Si do ndërmjetësosh ti në këtë mision dhe a i ke nisur sakaq përgatitjet për këtë ngjarje të madhe?

Natyrisht që unë do përpiqem me sa të kem mundësi që të ndërmjetësoj në mënyrë që Kosova të njihet edhe nga ky shtet. Konkursi mbahet më 12 shtator në Brazil, ndërsa të gjitha vajzat pjesëmarrëse do të takohemi atje një muaj para spektaklit. Kam nisur përgatitjet, si p.sh., merrem me fitnes etj., në mënyrë që të jem sa më në formë.

Fadil Berisha, fotografi zyrtar i këtij spektakli, është përfolur se i favorizon vajzat shqiptare. Sipas jush, a ka të vërtetë në këtë mes?

Po, Fadili është fotografi zyrtar i Miss Universit dhe ai ka siguruar licencën e pjesëmarrjes për Shqipërinë dhe Kosovën, për të cilën ka qenë edhe më e vështirë. Unë kurrë nuk mund ta falënderoj mjaftueshëm Fadilin për gjërat që ka bërë, jo vetëm për mua apo për modelet shqiptare, por për mbarë shqiptarët. Dua të përmend këtu që vetëm fotot që ai na realizon pa asnjë lloj pagese, janë shumë për ne. E them me bindje që Fadili nuk mund të ndihmojë askënd në Miss Univers, pasi edhe ai dëshiron që vajza më e bukur, si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova, të përfaqësohet në këtë kompeticion. Për më tepër, ende asnjë shqiptare nuk ka marrë kurorën e më të bukurës së universit, që të mund të flitet për këto thashetheme.

A ka qenë Fadil Berisha shtysa kryesore që ti të merrje pjesë në Miss Kosova?

Unë dua të sqaroj që kur unë kam bërë foto me Fadilin, ai më ka sugjeruar që të konkurroja në Miss Univers Kosova. Ai më ka thënë me gojën e vet: Nuk të premtoj që do fitosh, sepse edhe unë dua të na përfaqësojë më e bukura. Kur më ka thënë këtë, as ai vetë nuk e dinte se cilat ishin vajzat që do të merrnin pjesë. Fakt është që unë aplikova online, më pas shkova në Kosovë dhe ndenja bashkë me vajzat e tjera konkurrente në hotel, ndoqa çdo procedurë si gjithë të tjerat, pra nuk pata asnjë privilegj.

Të kalojmë pak te muzika, a ke ndonjë të re nga kjo fushë?

Muzika po shkon shumë mirë, jam duke përgatitur një këngë të re, ndoshta një duet. Po punoj me Florin, i cili është producenti im për këtë vit. Jam shumë i kënaqur nga ai dhe nga muzika që bën, tek e cila e gjej shumë veten.

Me cilin këngëtar do të realizohet ky duet?

E lëmë pak surprizë më mirë, por sigurisht, jo me Shpatin.

Afërdita, tani muzikën e sheh si pasion apo profesion?

Më është bërë edhe mua profesion, pasi do gënjeja nëse do thosha që është thjesht pasion. Falënderoj Zotin që kam pranë Shpatin, sepse pa të nuk do kisha arritur këtu ku jam sot me muzikën, që bëj këngë të reja, klipe, marr pjesë nëpër festivale etj.

Modelimin duket se e ke lënë paksa mënjanë këto kohë, apo jo?

Para zhvillimit të Miss Kosovës isha në Amerikë për 3 muaj, periudhë gjatë së cilës punova si modele. Zakonisht, kur jam në Amerikë punoj me sfilata, pasi jam e lidhur me agjencitë me të cilat kam punuar prej kohësh. Tanimë jam më shumë këtu, për shkak të Shpatit, muzikës etj., por as modelimin nuk e lë mënjanë.

A jeni xhelozë për njëri-tjetrin ju, aq më tepër që jeni të dy të njohur dhe keni fansa që reagojnë në rrugë, koncerte etj?

Jo, Shpati nuk është aspak xheloz. As unë, në fakt. Ndoshta na ka mësuar largësia që kemi pasur me njëri-tjetrin. Aq më tepër që jemi të dy në fushën e artit dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin.

Po kur fanset femra i afrohen atij dhe duan të bëjnë foto së bashku, apo ta puthin?

(Qesh). Jo, jo, përkundrazi, unë kënaqem me suksesin e tij.

A kemi ndonjë dasmë në horizont, pasi keni kohë që jeni të lidhur dhe të fejuar ju të dy?

Dasmë?! Hahah, nuk e kemi në plan, sidomos tani që jam e angazhuar për në konkursin Miss Univers. Ne bashkëjetojmë kur jemi këtu, por ceremoninë e dasmës duhet pak punë e kohë për ta bërë të bukur, siç e kemi ëndërruar.

Si e keni ëndërruar ju? P.sh., kë do të ftonit të këndonte?

Të gjithë (Qesh). Dëshira ime e flaktë ka qenë gjithmonë të këndonte për ne Aurela Gaçe dhe “Elita 5”.

Po Shpati ka të njëjtat preferenca me ty?

Ai më thotë “Kë të duash ti, Afërditë”. Po kujt nuk i pëlqen Aurela?! E dashurojmë të dy!

Shpati tani është i angazhuar full-time me provat e “Dancing with the stars”. A kërcen ai edhe kur jeni bashkë në dhomë?

Mundohet të kërcejë me mua, por bëhet nervoz kur unë nuk i ndjek hapat si balerina. Duhen hedhur kështu këmbët o zemër, më thotë (Qesh).

Ti mendon se ai do ketë sukses në këtë spektakël?

Po, Shpati duket shumë bukur kur kërcen dhe e ka marrë seriozisht pjesëmarrjen, duke bërë përditë nga 2-3 orë prova.

Ndërkohë që je këtu, me çfarë po merresh, si po e menaxhon kohën?

Me intervista, pjesëmarrje në emisione të ndryshme, po kështu jam në përgatitje e sipër të këngës së re me klip.

Ju të dy aktualisht po jetoni në hotel, por nëse do të ishit në shtëpi, a do të gatuaje e pastroje ti?

Për gjithçka jam, por për të gatuar jo. Jam shumë e pastër, edhe kur jam në hotel që ka shërbyese, unë e pastroj vetë dhomën. Jam shumë e dhënë pas pastrimit, ndërsa sa i takon gatimit, unë përpiqem, por kur bëj diçka ose e djeg, ose nuk del shumë e mirë (Hahaha).

Po Shpati a di të gatuajë?

(Qesh). Jo, as kafen nuk di të bëjë. Ndonjëherë i them: “Zemër a na bën ndonjë kafe për mëngjes”? Po, më thotë dhe shkon poshtë dhe e blen (Hahaha).

Është komentuar shumë në shtypin shqiptar ajo oferta e famshme që i kanë bërë Shpatit për t’u bërë model. Si qëndron e vërteta, pasi disa thonë që kjo është shpikje e Shpatit?

Bëtë mirë që ma përmendët, pasi edhe unë kam lexuar në një gazetë që kjo nuk ishte e vërtetë, gjë që më bëri shumë nervoze. Dua të nënvijëzoj se Shpati nuk ka pse të gënjejë për diçka të tillë, për më tepër që ai nuk ka thënë që Calvin Klein apo Georgio Armani më bëri një ofertë miliona dollarëshe. Shpati ka thënë thjesht që një agjente e “Ford Model Agency” në Chicago, e ka ndalur kur unë kam qenë bashkë me të në aeroport, dhe e ka pyetur nëse ishte model. Shpati tha: “Jo”. Ajo i tha më pas: “Urdhëro kartën time dhe eja më tako në agjenci”. Unë i thashë: “Zemër, e ke idenë se çfarë agjencie e madhe është “Ford Model Agency”?! Disa persona e kanë komentuar negativisht, por Shpati nuk ka thënë askund se ka refuzuar një ofertë joshëse.

Po përse e refuzoi Shpati këtë ofertë atëherë, kur bëhet fjalë për një agjenci prestigjioze mode?

Shikoni, modelimi është një fushë ku një person që merr pjesë në të, duhet të nisë gjithçka nga zeroja, duhet mbi të gjitha të jetojë në SHBA, ndërkohë që Shpati ka një karrierë si këngëtar, nga e cila nuk mund të heqë dorë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here